Persona të armatosur dhe me maska dhunojnë punëtorët dhe rojën e objektit në Tiranë. Në Gjirokastër dhunohet dhe grabitet në banesën e tij çifti i të moshuarve
Rikthehen grabitjet me armë dhe me dhunë. Vetëm ditën e djeshme, dy grabitje kanë ndodhur në Tiranë e në Gjirokastër. Në të dyja rastet personat e armatosur kanë dhunuar dhe kanë kërcënuar me armë, ndërsa kanë vjedhur shuma të konsiderueshme dhe sende të tjera me vlerë. Ene nga polica, për të dy rastet nuk ka emra autorësh të mundshëm të identifikuar
Tiranë
Grabitet me armë një pikë grumbullimi hekuri, në afërsi të Mëzezit në Tiranë. Pika e grumbullimit të skrapit pranë mbikalimit të Kamzës të autostradës Tiranë-Durrës në rrugën “Xhemal Alla” është bërë pre e grabitjes me armë nga katër persona të pamaskuar, duke pasur vetëm nga një kapele në kokë.
Ngjarja ka ndodhur mesditën e djeshme, personat e armatosur kanë dhunuar rojën dhe disa punëtorë të pikës së grumbullimit dhe nën kërcënimin e armëve kanë mundur të grabisin rreth 4 milionë lekë.
Mësohet se ata kanë qëlluar edhe në ajër më portën e objektit, çka ka vënë në alarm gjithë zonën pasi pranë saj ndodhet edhe një shkollë 9-vjeçare, por fatmirësisht kjo ngjarje nuk ka shënuar asnjë person të plagosur me armë zjarri. Sipas dëshmitarëve në vendin e ngjarjes, pasi kanë marrë paratë, grabitësit janë larguar me një makinë tip “Mercedes-Benz E-Class”, me targa italiane DM 118 YA.
Ndërkohë policia po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve të grabitjes, të cilët janë shpallur në kërkim.
Gjirokastër
Preh e grabitjes dhe dhunës kanë rënë edhe një familje e përbërë nga dy të moshuar në qytetin Gjirokastrës, të cilët gjatë natës së djeshme janë dhunuar dhe më pas vjedhur në banesën e tyre. Policia e Gjirokastrës ka bërë me dije se Thimi Cino e Maria Cino, burrë e grua, janë dhunuar në banesën e tyre në rrugën “Andon Poçi”. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:00 të ditës së parë të këtij muaji. Fillimisht, dhunuesit kanë hequr energjinë elektrike, në mënyrë që çifti të mos mund të identifikonte agresorët dhe më pas i kanë zënë gojën të moshuarës. Më pas ata kanë mundur të grabisin para dhe sende me vlerë. Policia shkoi në vendngjarje dhe po heton për zbulimin e autorëve të kësaj grabitje. Çifti i të moshuarve ka telefonuar policinë, ndërsa autoritetet po punojnë për të zbuluar identitetin e grabitësve.
Pranga tre shqiptarëve/ Dhunuan dhe i grabitën 100 euro të moshuarit italian
Tre të rinj shqiptarë kanë rënë në pranga nga policia italiane, pasi dhunuan dhe grabitën për 100 euro një të moshuar italian. Ngjarja ndodhi dy ditë më parë, në një bar në Kuneo, ku pre e sulmit të emigrantëve shqiptarë ishte 75-vjeçari italian. Sipas informacioneve që publikojnë mediat italiane, mësohet se viktima në këtë rast ka qenë babai i pronarit të lokalit, i cili ka mundur edhe të identifikojë autorët e grabitjes. Ndërkohë, fill pas sulmit, 75-vjeçari është dërguar për mjekim pas plagëve të marra nga dhuna e ushtruar nga të rinjtë shqiptarë, ndërsa nuk bëhet i ditur identiteti i tre shqiptarëve të arrestuar.
Shkodër/ Dhuna në familje, nënë e bijë rrihen nga babai dhe bashkëshorti
Dy femra në qytetin e Shkodrës janë dhunuar në mënyrë sistematike, fizikisht dhe psikologjikisht nga babai dhe bashkëshorti i tyre. Burime të policisë lokale, bëjnë të ditur se, 50 vjeçarja Sh. G., dhe 27-vjeçarja A. G., nënë e bijë, janë drejtuar në komisariatin e policisë së Shkodrës, për të bërë kallëzimin ndaj 49-vjeçarit Ndue G., i cili është përkatësisht bashkëshorti dhe babai i të dhunuarave. Burimet policore nuk kanë publikuar shkakun e dhunës së ushtruar mbi të reja, ndërsa bëjnë me dije se u plotësua Kërkesë-Padia për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes për nënë e bijë.
Tiranë/ Dhunon fizikisht e psikologjikisht kunatën, prangoset ish-i dënuari
Një 33-vjeçar nga Tiranë është arrestuar pasi ka dhunuar psikologjikisht dhe fizikisht kunatën e tij. Burime të policisë së Tiranës, bëjnë të ditur se i prangosuri Silvan Meta ka qenë i dënuar më parë për veprën penale të vjedhjes. Sipas të notave burime, mësohet se ai është arrestuar rreth orës 15:00 të ditës së djeshme, ndërsa ndaj kunatës së tij u plotësua kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes. Materialet do t’i kalojnë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Tiranë/ U arratis nga makina e policisë, kapet i dënuari me 18 vite burg
Policia e Tiranës ka vënë në pranga 22-vjeçarin i cili në 16 shtator u arratis nga makina e policisë teksa po transportohej në burg. Sipas burimeve të policisë së Tiranës, mësohet se 22-vjeçari Mirgen Ymeri i dënuar me 18 vite burg për vrasje të mbetur në tentativë është arrestuar rreth orës 16:00 të ditës së djeshme në zonën e Pallatit me Shigjeta.
Mirgen Ymeri, 22-vjeçar, në 16 shtator të këtij viti, mundi t’i shpëtojë një toge shoqërimi, ndërsa transferohej nga qelitë e paraburgimit drejt burgut të Fushë-Krujës. Mirgen Ymeri, nuk ishte i prangosur në momentet e shoqërimit, kur ka mundur të dalë nga fugoni dhe të largohej në zonën e Kamzës. Kjo ngjarje vuri në lëvizje Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm. Pas hetimit paraprak, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm arrestoi dy punonjës të policisë dhe vendosi ndjekje në gjendje të lirë për një tjetër, të akuzuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”. Të arrestuarit janë Luan Mulgeci, 47 vjeç, me gradën kryeinspektor, me detyrë ndihmës specialist i shoqërimit në seksionin e Sigurimit të Shoqërimit të Forcave të Posaçme dhe Gëzim Dervishi, 50 vjeç, me gradën nënkomisar, me detyrë specialist informacioni, ndërsa në gjendje të lirë do të ndiqet Gjon Kerri, 50 vjeç, me detyrë shofer i togës së shoqërimit. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për konsumim të veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”.
Mirgen Ymeri u arrestua me 5 shtator të këtij viti nga njësia operacionale e policisë së Tiranës. Gjatë momentit të arrestimit, Ymerit iu gjet një patentë e falsifikuar, ndërkohë që policia arrestoi dhe të vëllain, Olsi Ymeri, të cilit gjatë kontrollit në banesë iu gjet një armë “Kallashnikov”. Arrestimi i Mirgenit u bë, pasi ishte dënuar me 18 vjet burg nga Gjykata, sepse në datë 8 qershor të 2013-ës ka tentuar të vrasë në rrugën “Hamdi Pepa” në kryeqytet, shtetasin Dorian Xhelili, ku, sipas policisë, gjithçka ka nisur për motive të dobëta.




