Rikonstruktohet rruga “Prenkë Jakova” Biletat e urbanëve, Bozdo: Bashkia, kundër rritjes së çmimit

  Më shumë se gjysma e flotës së autobusëve është e re, përmirësimi është i dukshëm dhe i prekshëm

 Qeveria të ndërhyjë jo duke rritur çmimin, por duke bërë subvencionimin

 

bozdoGjatë rikonstruktimit të rrugës “Prenkë Jakova”, nënkryetari i Bashkisë, Enno Bozdo, bëri të ditur se Bashkia është kundër rritjes së çmimit për biletat e urbanëve. “Ju e dini tashmë pozicionin shumë të fortë të Bashkisë së Tiranës, çmimi i biletës për Bashkinë e Tiranës nuk duhet të rritet në asnjë mënyrë. I takon qeverisë të shikojë mekanizma të tjerë financiarë të paeksploruar akoma, të cilët mund t’i sjellë operatorët në kushte më të mira të përfitueshmërisë së tyre ekonomike. Në mënyrë që cilësia e shërbimit në Tiranë të ngelet ajo që është, kemi bërë një sforco të madhe për ta sjellë cilësinë e shërbimit të transportit urban në Tiranë në këtë nivel që është sot. Ju siguroj, më shumë se gjysma e flotës së autobusëve është e re, përmirësimi është i dukshëm dhe i prekshëm. Ne kemi shumë nevojë që këtë standard ta mbajmë, por këtu qeveria duhet të ndërhyjë jo duke rritur çmimin por duke eliminuar ndoshta akcizën, ndoshta TVSH-në për karburantin, ndoshta edhe taksën e re që u rrit dhe ja ka bërë jetën të gjithëve më të shtrenjtë”, – theksoi Bozdo.

 

Biletat e urbanëve

Çmimi i biletës pritet të shkojë 50 ose 70 lekë, një rritje që do të ndikojë drejtpërdrejt në xhepat e qytetarëve. Rritja e çmimit të biletës për urbanët do të sjellë dhe rritjen e çmimit të aboneve. Kështu, një abone e përgjithshme pritet të kushtojë 2400 lekë, abone vetëm për një linjë 1800 lekë dhe aboneja e studentit 1200 lekë. Shoqëritë e transportit në muajin dhjetor zhvilluan një protestë disaorëshe për rritjen e çmimit të biletës ose qeveria të heqë akcizën e naftës dhe TVSH-në për biletat. Kërkesa për subvencionim dhe heqje TVSH-je nuk u pranua nga qeveria, e cila tashmë do të miratojë një rritje të çmimit për biletat e urbanëve.

 

 

Rruga “Prenkë Jakova”

Me një investim prej 10,4 milion lekë Bashkia e Tiranës ka rikonstruktuar rrugën “Prenkë Jakova” në njësinë bashkiake nr. 7. Përgjatë kësaj rruge është ndërtuar sistemi i kanalizimeve të ujërave të zeza dhe të bardha, ujësjellësi është vendosur, ndriçimi rrugore dhe gjelbërimi, një standard i ri i sjellë në çdo rrugë të ndërtuar apo rikonstruktuar nga Bashkia në dy vitet e fundit, si dhe është bërë zëvendësimi i mureve rrethuese me kangjella. Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Enno Bozdo, e ka cilësuar përfundimin e kësaj rruge shprehje të vullnetit të Bashkisë për të përmirësuar cilësinë e jetës së banorëve të kryeqytetit. “Ky është një tjetër investim i Bashkisë Tiranë, një tregues i përkushtimit të Bashkisë për të përmirësuar standardin e jetesës në të gjitha lagjet, edhe në lagjet e Tiranës, është një rrugë e cila siç e shikoni ka marrë një pamje të mrekullueshme, 500 m linearë instalime, tubacione të ujërave të bardha dhe të ujërave të zeza, rikonstruksion i plotë i rrjetit të ujësjellësit, rreth 20 copë pemë bli dekorative dhe janë prishur në shumicën dërrmuese të rrugës, muret rrethuese për t’u zëvendësuar me kangjella në mënyrë që të marrë një pamje edhe më të bukur. Besoj se kjo rrugë por edhe rrugë të tjera që do të jenë në vijim, edhe të gjitha veprat me të cilat Bashkia e Tiranës interesohet dhe ka investime, tregon edhe njëherë përkushtimin ndaj komunitetit dhe mbajtjen e premtimit tonë për një Tiranë evropiane, për një Tiranë të shekullit XXI”, – tha Bozdo.

 

 

 

Share it :