Besi Vokopola
Ndërkohë që nevoja për rikonstruksionin e hapësirave që formësojnë TKOB, është shpalosur si një domosdoshmëri e kahershme e që së fundi duket se ka marrë vëmendjen e duhur, java e kaluar e karakterizuar nga një program i ngjeshur për të gjithë ata këngëtarë që kërkuan të ndiqnin masterclass-in e sopranos Ermonela Jaho në bashkëpunim me emra po aq të rëndësishëm, si Elda Laro, Angelo Gabrielli dhe Paolo Andreoli, nxori në pah kërkesën për një “rikonstruksion” profesional, të marrëdhënieve dhe frymës së bashkëpunimit të këtij institucioni, ku shkëmbimi i eksperiencave dhe përballja e këngëtarëve jo me realitetin lokal, por atë global, evidentoi një sërë problematikash të akumuluara prej vitesh e sakaq shpalosi dhe dëshirën e shumë prej atyre që nuk u lodhën nga kjo pritje, e ku në më pak se një javë qëndruan mendjehapur, solistë apo jo, të kualifikuar apo jo nga audicioni paraprak, të zhgënjyer apo jo deri më tash.
Momenti 0
Numri i fryrë i pjesëmarrësve qysh në audicionin përzgjedhës vazhdimësia dhe prania e shumë të rinjve, atyre që shpesh u thuhet si për t’i ngushëlluar ju jeni e ardhmja, ama shumë pak shqetësohen se sa të përgatitur do të jenë këta të rinj për të mbajtur “peshën” e së ardhmes, kur e tashmja shpesh bëhet pronë e “të mëdhenjve”, tregoi etjen e këtyre këngëtareve për t’iu referuar një modeli apo disa modeleve, që suksesin e të tjerëve nuk e llogarisin si dështimin e tyre.
Audicioni shërbeu si një tregues paraprak mbi një prej shqetësimeve më të mëdha që rëndom e kam dëgjuar të përmendet nga artistët “mysafirë”: orientimi i të rinjve drejt një repertori të gabuar cingun, llahtarisht konsumues, shkatërrues për zëra të njomë ende të paformuar mirë, apo me një teknikë këndimi ende të pazgjidhur. Një repertor që sa duket si mesdhetarë e ballkanas e paskemi për zemer, justifikim ky i ardhur nga mosnjohja e atyre që kanë në “patronazh” studentët, e se me demek duhet patjetër të përballesh me pasazhet e Verdit apo Puccinit qysh në fillimet e tua dhe të emetosh volum, pa çka se raporti sasi cilësi mund te jetë 10:1.
Kështu nisi kjo eksperiencë pesëditore, ku nevoja për ndërgjegjësimin e këngëtarëve dhe orientimin e tyre drejt një repertori më “dashamirës” për zërin, si “belcanto” me vepra të kompozitorëve Bellini apo Donizetti që imponojnë mirëvendosjen e zërit dhe mbështetjen e vazhduar nga diafragma për të përmbyllur pasazhet e gjata përmes legatove pambarimisht të shtrira. E kjo përpos këngëtarëve i duhej adresuar pikërisht atyre që kanë qenë dhe janë “përpunuesit” vokalë, krijuesit e këngëtarëve të shkolluar, pedagogëve të cilët preferuan të mos bëhen pjesë e këtij procesi si një gjest për të mos cenuar integritetin e mjeshtërinë e tyre, a thua se ky masterclass do të zhvillohej në zyrat e hetuesive famëkeqe të periudhës së komunizmit, ku duhej gjetur patjetër një fajtor. Krenaritë e lakmimet që nuk ngurrojnë ti bëjnë për studentët e tyre sa herë i nderojnë në skena prestigjoze a thua se këta të fundit janë medalje vezulluese, kjo mëndja ime zevzeke i kategorizon në ato gjestet e një vetëkënaqësie jo të shëndetshme, për sa kohë nuk pashë asnjërin prej tyre të pranishëm gjatë ditëve që u zhvillua ky masterclass, ku qëllimi i ardhjes së tyre nuk do të ishte për tu përballur në “fushëbetejë profesionalizmi” nga Jaho e Laro e as nga Andreoli e Gabrielli, por për të mbështetur krijesat e tyre artistike, të cilët kësisoj u ndjenë jo më kot të tradhtuar.
Momenti 1: Talente të lindur e disa të lënë në mes të udhës
Timbrika vokale të ngrohta, mishtore, hera-herës sensuale a romantike, të mbërthyera në “kostume të ngushta” frymëmbajtëse, ky ishte përfundimi që bluaja ndër vete sa herë që këngëtarëve u kërkohej të ndryshonin impostimin vokal, e të luftonin me muskujt e keq-mësuar prodhues tingujsh të mbrapshtë, pa dritë, shpesh duke tensionuar kordat vokale në ekstrem. Me qëllim emetimin e tingujve të rëndë jo-natyral, që konsumojnë një energji të tejskajshme, aq sa diafragma e ka të vështirë ti përgjigjet duke ia deleguar kështu një pjesë të mbipeshës, kordave vokale e muskujve të qafës, shpesh të binte të shihje trupa që deformoheshin në nxjerrjen e një note akute apo lëshimin e një pianoje. Mbulimi i tingullit, mosnxjerrja përpara shkaktonte humbjen e dritës dhe kthjelltësisë së tij duke e bërë dhe më të vështirë depërtimin eventual mbi orkestër. E kjo qe në dukje akoma dhe më problematike për zërat natyralisht disi më të rëndë e të plotë, me nuanca pak më të thella, për të cilët një repertor i parakohshëm dramatik krijonte dhe lëkundje intonative. Rikthimi në repertorin mozartian e rossinian ishte një prej këshillave që të katër mjeshtërit e ardhur enkas në Tiranë, ngulmonin. Prezantimi i një sërë ushtrimeve aspak artistike apo emocionuese për stërvitjen e muskujve, do të duhej të realizoheshin me zell dhe dedikim të përditshëm nga gjithsecili si një domosdoshmëri për krijimin e një mekanizmi të fuqishëm që krijon lehtësi dhe siguri në këndim, një makinë e aftë për të përballuar pasazhe të vështira, apo fraza të gjata a ndërrime regjistrash. Demonstrimi i këtyre të fundit shpesh krijonte ilaritet gjatë orëve të zgjatura të studimit; askujt si kish vajtur ndër mënd se mund të këndonte ndërkohë që stërviste muskujt e këmbëve përmes ulje-ngritjeve të shpejta.
Sa i takon zërave më të lehtë që i përkisnin kategorisë së sopranove lirico-leggera apocoloratura viheshin re problematika më të thjeshta kjo si pasojë e një impostimi të lindur apo dhe të përzgjedhjes së një repertori specifik, ku predominojnë kompozitorët e lëmit të belcanto-s. Me elementët e kësaj kategorie u punua kryesisht në perfeksionimin dhe trajtimin e stileve të ndryshme të këndimit ndonëse teknika mbetet po e njëjta. Kurimi i frazave, mbyllja e tyre, shqiptimi i saktë i fjalëve, diksioni i zhdërvjellët e të tjera si këto qenë dhe elementët kryesorë ku u përqendrua puna me ta. Duhet thënë që vihej re dhe një hov cilësor veçanërisht te ata që kishin pasur dhe eksperienca studimi jashtë vendit.
E përballë këtyre resurseve me potenciale të mëdha u gjendën katër artistë, mjeshtra të palodhur që nuk ngurruan të linin aktivitetin e tyre të ngjeshur në rang global, për të dhënë ashtu vetëm me pasion e përgjegjësi një kontribut sado të vogël.
Puna me Paolo Andreolin bazohej në përzgjedhjen dhe ekzekutimin e disa arieve nga këngëtarët, ku maestro vinte një theks të veçantë në respektimin e figurave muzikore që mbante parti respektiv, ruajtja e një ngjyre homogjene të vokalit në ndryshimin e regjistrave. Po kështu rëndësia e diksionit dhe e ngjyrës që duhej përdorur për çdo fjalë, pa thyerje apo fragmentime të pavenda, respektimi i intonacionit, ishin thelbi i punës që maestro e zhvillonte përmes një qetësie dhe dedikimi të admirueshëm.
Ndërkohë që Angelo Gabrielli, një personazh i njohur në fushën lirike, përfaqësues i një prej kompanive menaxheriale të artistëve lirikë me peshë të rëndësishme, me një dobësi të veçantë ndaj zërave shqiptarë, jo më kot agjent i pothuaj të gjithë këngëtarëve tanë në botë, pati një punë rezultative veçanërisht me këngëtarët më të avancuar. Përmes një adrenaline të pashtershme Gabrielli arrinte tu jepte detajet e personazheve përmes simulimit të interpretimit e në të njëjtën kohë nuk ngurronte të jepte dhe këshilla teknike veçanërisht mbi impostimin e zërit. Trajtimi i frazave, hapja e gojës, puna me zanoret dhe bashkëtingëlloret gjatë këndimit, sugjerimi i repertorit, ishin kryefjala e një pune që nuk ngurronte ta bënte me këdo.
Për të ardhur tek ajo që dhuronte magjinë e muzikës përmes tingujve të pianos, me një ekspresion artistik jo të zakontë, plot ndjenjë e në të njëjtën kohë përpikmëri, aq sa hera herës më dukej sikur koha ndalonte, qëndronte pezull e tingujt krijonin një dimension tjetër të realitetit. Tingujt e Elda Laros i rikthenin këngëtarët e lodhur nga një punë e tejzgjatur, dëshirën për të qënë pjesë e asaj magjie që emetohej në pak tinguj. Njohëse e thellë vokalit, falë dhe një eksperience të gjatë në shoqërimin e atyre që sot janë “opera-stars”, Laro u përkujdes në evidentimin dhe përmirësimin e zgjidhjes së frazave gjatë këndimit, duke i rikujtuar gjithmonë këngëtarëve parimet e belcantos, me përdorimin e legatos gjatë gjithë këndimit, evitimin e sforcimeve, mbylljen e frazave, shqiptimin e plotë të fjalëve, madje arrinte deri në dhënien e shembullit vetjak në zgjidhjen e frazave apo dhe interpretimit. Analizimi i çdo pasazhi, e gjithë filozofia që fshihej pas notave të shkruara nga kompozitorë të ndryshëm, ngulmimi në krijimin e gjendjes emocionale përmes ngjyrimit vokal e theksimit të fjalëve kyçe, bëri që të gjithë performuesit e këtyre ditëve, të bëheshin muzikantë më të mirë, të mendonin më gjerë përpara lëshimit të notave, të kuptonin shkrimin muzikor, e të përdornin inteligjencën në mbarëvajtjen e një arie.
Duke u bërë njësh me të rinjtë, duke i dhuruar një atmosferë të ngrohtë, duke provuar ushtrimet me ta, duke i dhënë besim, duke i treguar gjithë vështirësitë dhe punën e përditshme të saj, duke zgjuar ata që shpesh shfaqeshin të dekurajuar, duke i dhënë shansin dhe atyre që nuk u kualifikuan gjatë audicionit paraprak, ardhur pas një suksesi që bëri jehonë në Paris në rolin e Cio Cio San në operan Madama Butterfly, Ermonela Jaho ideatorja e këtij masterclassi me një punë të palodhshme ngulmoi fort mbi zgjidhjen e impostimit vokal të bazuar mbi anatominë e trupit të njeriut, duke shpjeguar rëndësinë e mirëfunksionimit të aparatit të frymëmarrjes në gjenerimin e tingujve të shëndetshëm. Rëndësia e krijimit të një sistemi mbështetës, mbrojtës e që siguron jetëgjatësinë e këngëtarit, e njëkohësisht spastrimin nga repertori dramatik, bashkuar me një dashuri të pamatë për secilin që kundronte, e mundohej të përfitonte ç’të mundte, gjeneroi realizimin e qëllimit të saj: krijimin e një ambienti shpresëdhënës, ku shkëmbimi profesional, puna e përbashkët pa “hile” apo prapaskena, do të rizgjonte dëshirën tek këta të rinj për të punuar për realizimin e ëndrrës së tyre. “Roma nuk u ndërtua për një ditë”ishte shprehja që Jaho përsëriste shpesh, si një analogji për ti bërë të ditur që suksesi apo arritja drejt atyre lartësive ku ajo sot gjendet, sigurohet përmes procesit dhe jo një rezultati që vjen menjëherë. Zotimi i saj për vazhdimin e kësaj nisme, apo dhe sigurimi i një komunikimi të vazhduar së largu së bashku me tre mjeshtrat e tjerë, së bashku me dëshirën e mirë të përfaqësuesve të këtij teatri, riktheu vëmendjen tek të rinjtë, te ata të cilët shpesh nuk merren seriozisht, duke u dhuruar dhe dy koncerte ku yjet ishin ata, e që emocioni e dashuria e mjeshtrave ndjehej kur frymonin së bashku me Giuliettan, Nemorinon, Romeon, Lindën, Norinën, apo Cherubinon e Fiordiligin.
Hapi i parë u realizua, vazhdimësia mbetet në duart e të rinjve përmes vënies në punë të këshillave të marra, por jo vetëm, kjo eksperiencë nisi si një bashkëpunim gjithëpërfshirës e kështu duhet të vazhdojë, e mbase me më shumë aktorë të përfshirë, madje dhe ata që kësaj here e keqkuptuan ardhjen e katërshes fantastike (fantastic four) si një sfidë e hapur.
E unë që sa herë vendos të hedh në letër mendimet e mia, e që has gjithmonë vështirësi në përmbylljen e tyre kësaj here kërkova asistencën e atyre që e përjetuan drejtpërdrejt në lëkurën e tyre këtë eksperiencë, atyre që në pak ditë përmes një dedikimi e dëshire të zjarrtë patën rezultat të menjëhershëm, duke lënë mbresa gjatë dy koncerteve të zhvilluara, për dëshirën e zjarrtë të tyre për të punuar fort, për të dhënë maksimumin, për të sfiduar kohën, veprime këto që shpesh “të mëdhenjtë” i refuzojnë.
Momenti i tyre
Ivana Hoxha
Është e vështirë të përmbledh në dy fjali mbresat qe kaluam ato 4 ditë bashkë me Ermonelën, Angelon Eldën dhe Paolon.
Eksperiencë nga ato të rrallat dhe që mbetet gjatë në kujtesë…
Personalisht jam përpjekur të përfitoj maksimumin e atyre çka më dhuruan të katër këta artistë.
Marina Kurti
U ndjeva me fat, e vlerësuar dhe magjike që për disa ditë arrita të përfshihem në artin e e bukur dhe të pastër të mjeshtrave botërorë! Falënderoj Ermonelën, maestro Angelon, Eldën dhe Paolon për kohën dhe përkushtimin që forcuan hapat e mi,u shtuan ngjyra që dhe unë të mundem të shoh horizontin magjik me emrin “MARINA”.
Armando Likaj
Krahas falënderimit do shtoja:
Ishte eksperiencë mbresëlënëse nga këto maestro që brenda pak ditëve u përkushtuan me aq pasion të na dhuronin njohuri dhe vullnetin e duhur në perfeksionimin e belcantos! Shkëmbyen me ne eksperiencat e tyre,vërtet botërore! Ky është një kontribut për brezat që shpresoj mos të ndalet me kaq.
Enkelejda Kamani
Një mundësi shumë e madhe për një vend kaq të vogël…
Katër ditë për të përfituar nga eksperienca e maestrove nuk janë shumë,por janë mjaftueshëm për të kuptuar që dashuria për profesionin dhe puna e pandashme,të çojnë drejtë realizimit të ëndrrës..
Do kisha dëshirë të ribëhej përsëri…
Klodjan Kaçani
Ishte një eksperiencë e rrallë dhe shumë e vlefshme ! Ritmi me të cilin u zhvillua ky masterclass më bëri të kuptoj me çfarë hapash duhet të ecësh për të qenë i suksesshëm ! Shpresoj të përsëritet sërish dhe në një hark kohor më të gjatë! Klodjan Kaçani.
Julian Gjojdeshi
Të jesh pjesë e një masterclass-i ku 4 drejtuesit ose profesorët ishin Angelo Gabrielli, Paolo Andreoli, Elda Laro dhe me ne krye Ermonela Jahon, vërtet që është një fat dhe mundësi që nuk të vjen shpesh. Kam kaluar një eksperiencë të jashtëzakonshme sepse kisha fatin qe të isha i përzgjedhur për të kënduar në atë koncert, dhe kuptohet se çfarë përgjegjësie është të këndosh përpara këtyre emrave. I uroj të gjithë kolegët e mi që ishin pjesë e këtij masterclass-i dhe i lutem të mos harrojnë gjuhën jashtë dhe majën e bidonit.
Dorina Selimaj
Jam pjesë e teatrit prej 12 vitesh dhe ndihem e lumtur që isha pjesë e kësaj nisme.
Një falënderim të fortë për të madhen Ermonela Jaho, Angelo Gabrielli, Elda Laro, Paolo Andreoli që na falen profesionalizëm e dashuri pa kufi. Mbi të gjitha faleminderit Tkobap Albania që krijuan mundësinë për tu rritur profesionalisht artistët e teatrit e për tu hapur dyert talenteve të reja si nga Shqipëria e Kosova. Faleminderit per stimulin sepse per here te pare kam marr leksione pa paguar ;-).Uroj qe këto eksperienca te mos shterojne asnjehere.
Ana Naqe
Kam marrë pjesë në shumë masterclass por kjo është hera e parë që kam ndjerë kaq shumë dashuri të pakufishme dhe respekt për artin e kantos jo vetëm prej mjeshtrave fantastike por edhe prej drejtoreshes artistike të operas Abigeila Voshtina. Shumë mirënjohëse dhe e lumtur që njoha kaq zera dhe artistë të ardhshëm të mrekullueshëm.
Erinda Agolli
Në momentin e parë që lexova njoftimin për audicionin që do të zhvillohej për kursin e specializimit menjëherë mendova që është një mundësi e shkëlqyer. Mendova që përtej përgjigjes së audicionit do të isha e lumtur me faktin që do të më dëgjonte një super juri. Kur dëgjova emrin midis fituesve të audicionit pata deshirën të bërtisja nga gëzimi e ti përqafoja të gjithë megjithëse mu desh të përmbahem. Kontaktin e parë për të punuar gjatë këtyre ditëve e pata me Maestro Angelo Gabrielli, super njeriun, super energjikun, të palodhurin i cili mund të punonte me të njëjtin intensitet dhe profesionalizëm të jashtëzakonshëm. Nuk njoh të dytë si ai. Kur vrulli energjia pasioni dhe profesionalizmi mblidhen bashkë marrin emrin Angelo Gabrielli. Ndërsa për Ermonelën dhe Eldën dua të them që përpos këtyre cilësive që përmenda me sipër janë dy vullkane që në vend te llavës derdhin vetëm dashuri dhe profesionalizëm. Ndërsa koha e punës me maestro Paolo Andreoli kë qenë kënaqësi më vete dhe rezultat i jashtëzakonshëm. Faleminderit dhe mirënjohje.
Ulpiana Aliaj
Jo thjesht një master por një eksperiencë që lë gjurmë profesionalisht dhe nga ana humane. Faleminderit TKOB dhe faleminderit Ermonela Jaho, Elda Laro, Angelo Gabrielli dhe Paolo Carbone që plot energji, dashamirësi dhe profesionalizëm hapën një dritare me shumë në rrugëtimin e gjatë dhe të vështirë të artit lirik. Uroj të jetë vetëm fillimi i kësaj eksperience. Nëse deri dje kam marrë valixhen për diku,sot dua ta marr për në TKOB. Faleminderit nga zemra.
Blerta Zhegu
Mendoj se puna me artistë si E. Jaho, E. Laro, P. Andreoli e A. Gabrieli ishte e çmuar dhe jo vetëm tejet e dobishme e profesionale por dhe e karakterizuar nga dashamirësia kundrejt artistëve të rinj shqiptar.
Uroj që aktivitete të tilla të organizohen më shpesh, pasi ballafaqimi i një artisti në hapat e parë me personalitete të këtij niveli është vetëm pozitiv dhe frytdhënës.
Zana Abazi-Ramadani
Ishte një përvojë që nuk do ta harroj asnjëherë, me shumë punë, argëtim dhe shoqërim me një skuadër të mrekullueshme të studentëve dhe ligjëruesve si Ermonela Jaho, Elda Laro, Paolo Andreoli dhe Angelo Gabrielli. Jam shumë e lumtur që mu realizua dëshira për ta takuar primadonn-ën znj. Ermonela Jaho, me këtë rast njoha një personalitet me tipare të një engjëlli.
Besa Llugiqi
Ishte një eksperiencë e jashtëzakonshme një sintezë e domosdoshme mes artistëve që dhanë maksimumin e tyre duke na përgatitur në detaje trajtimin e karakterit të personazheve, teknikë të përsosur, frymëmarrje dhe sigurisht kanë reflektuar shumë pozitivitet dhe dashuri gjatë këtyre ditëve,një kënaqësi të isha pjesë e këtij masteri me shpresën që do të rikthehet përsëri një eksperiencë e tillë. Faleminderit teatrit për organizimin dhe të gjithë artistëve që na dhanë aq shumë nga eksperienca e tyre.
Vikena Kamenica
Krijimi i një marrëdhënieje me publikun dhe tejçimi i ndjesive gjatë këndimit është dhe qëllimi i këtij profesioni. Që të krijohet ky bashkëpunim emocionesh me dëgjuesit, përpos një dëshire të mirë për të qenë sa më pranë tij, mungesa e një teknike solide që të lejon gjithëçfarë ndjen së brendshmi ta deklamosh qartë distancon të dyja palët. Cilësitë e një këngëtari nuk janë të përjetshme, domosdoshmëria për përballjen apo kontrollin gjatë gjithë rrugëtimit të tij duhet të jetë pjesë e një procesi të vazhduar për bërë “punën” në harmoni me “rregullat” që na vendos natyra në etapa të ndryshme. E kur e gjitha kjo kryhet në një atmosferë dashamirësie si ajo e krijuar nga Ermonela, Elda, Angelo e Paolo, rezultati mbetet tejet pozitiv për aq kohë sa ndërgjegjësimi i këngëtarëve ka funksionuar. Faleminderit!





