Sonja Caka
Ish-gjyqtari akuzohej për vonesë 20 muaj në zbardhjen e vendimit të pafajësisë së Ilir Xhakes
Ish-gjyqtari i Durrësit, Neritan Tabaku, i akuzuar për “Shpërdorim detyre”, pasi vonoi 20 muaj zbardhjen e vendimit të pafajësisë për Ilir Xhaken, shpallet i pafajshëm. Trupa gjyqësore e Apelit të kryeqytetit rikonfirmoi vendimin e kolegut të Shkallës së Parë, duke i dhënë pafajësinë ish-gjyqtarit. Tabaku u vu nën akuzë për shkak se vonoi zbardhjen e vendimit të pafajësisë për ish-të fortin e Shijakut, Ilir Xhakja, duke penguar në këtë mënyrë që të apelohej vendimi për këtë të pandehur, që më vonë do të ekzekutonte dhe ish-kryekomisarin e Shijakut, Adem Tahiraj. Verdikti për pafajësinë e Tabakut u shpall dje nga trupa e Gjykatës së Apelit, me argumentin se nuk provohet që ai ta ketë kryer këtë vepër penale. Për ish-gjykatësin Neritan Tabaku, prokuroria kishte kërkuar dënimin me 3 vite burg dhe pesë vite të tjera pezullim nga çdo funksion shtetëror e publik.
Vendimi
Në vendimin e tij të disa muajve më parë, gjyqtari Bujar Krasniqi deklaroi se “Neritan Tabaku i akuzuar për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” shpallet i pafajshëm pasi nuk provohet që ka kryer këtë vepër penale”. Gjykata shprehet se e gjen të drejtë pretendimin e mbrojtjes se moszbardhja e vendimit brenda një afati të arsyeshëm ligjor është një shkelje administrative dhe nuk mund të përbëjë shkak për përgjegjësi penale. Sipas Gjykatës, kjo konstatohet edhe nga praktika, ku në asnjë rast, ndonëse gjyqtarët janë ndëshkuar administrativisht nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë për shkelje të kësaj natyre, ata nuk janë bërë ndonjëherë subjekt të procedimit penal. Gjykata theksoi se nuk ka dokumente se nga gjyqtari janë kryer veprime që bien ndesh me ligjin. Gjykata rrëzon edhe pretendimin tjetër të Prokurorisë, e cila këmbëngulte se me këtë çështje ishte dëmtuar imazhi i drejtësisë. Gjyqtari Krasniqi replikoi me akuzën duke u shprehur se “procesi i dhënies së drejtësisë ka si qëllim dhënien e një vendimi të drejtë dhe të bazuar në ligj, edhe pse ky mund të jetë një vendim që mund të bjerë ndesh me opinionin publik, pasi tjetër problem është imazhi, transparenca dhe besimi i publikut tek sistemi. Sipas gjyqtarit, në asnjë moment dhënia e një vendimi ose pjesë të saj, siç është edhe zbardhja, nuk përbëjnë vepër penale, thjesht dhe vetëm sepse ajo bie ndesh me opinionin publik.
Akuza
Ish-gjyqtari Tabaku akuzohet për veprën penale “Shpërdorim detyre” në dëm të interesave të shtetit. Në kërkesën për gjykim për këtë të pandehur thuhet se ish-gjyqtari në momentin që nuk ka zbardhur brenda afatit të dhënë vendime të Shkallës së Parë, ka cenuar rëndë interesat e Prokurorisë. Në argumentimin e organit të akuzës përmendet se ish-gjyqtari Neritan Tabaku në momentin që nuk ka zbardhur vendimin ndaj shtetasit Ilir Xhakja apo edhe Jordan Findikut, ka lënë për një kohë të gjatë pezull gjykimin në Apel të këtyre dy shtetasve. Prokuroria në kërkesën për gjykim argumenton se ish-gjyqtari ka dëmtuar gjithashtu imazhin e gjyqësorit, duke mos zbardhur brenda afateve të caktuara vendimin ndaj Ilir Xhakes, i akuzuar për vrasjen e ish-komisarit të Shijakut, Adem Tahiraj.
Vendimi
Vrau të dashurën dhe e grabiti, dënohet 19 vjet burg Çelnik Meleqi
Gjykata e Korçës ka dënuar me 19 vjet burg 29-vjeçarin Çelnik Meleqi, i cili është shpallur fajtor për vrasjen e 24-vjeçares Fatjona Sula, në vitin 2012, në Pogradec. Një seancë më parë, edhe organi i akuzës kërkoi 19 vite burg për Meleqin, ndërsa ky i fundit ka kërkuar mëshirë përpara trupit gjykues. Ngjarja e rëndë për të cilën akuzohet i pandehuri ndodhi mbrëmjen e 12 shtatorit të 2012-ës, kur 24-vjeçarja u masakrua me gurë në Qafë-Thanë dhe trupi i saj u tërhoq zvarrë afro 30 metra dhe u hodh poshtë një ure. Viktima u gjet një ditë më vonë nga një bari i zonës. Pas arrestimit, Çelnik Meleqi rrëfeu të gjithë ngjarjen në polici, duke shfaqur shenja të thella pendese. 29-vjeçari, i cili është i martuar dhe ka një fëmijë, ka rrëfyer para hetuesve krimin e rëndë dhe motivet e tij. “Më kërkoi lekë, ndaj e vrava Fatjonën. Mbrëmjen e ngjarjes shkova si zakonisht tek lokali i saj, e mora me makinë dhe pasi u vërtitëm në disa lokale të Përrenjasit, ku edhe shpenzuam gati 100 mijë lekë (të vjetra), shkuam në Qafë-Thanë, poshtë urës, për të kryer marrëdhënie seksuale. Më pas më kërkoi t’i jepja lekë të tjera, 50 mijë. U inatosa, pasi ne nuk ishim veshur ende, kurse ajo më kërkonte me ngulm lekë të tjera. I thashë që nuk do t’i jepja, por ajo doli e zhveshur nga makina dhe nuk pranoi të vinte me mua. Nuk e kontrollova dot veten, e shtriva përtokë dhe e godita pambarimisht me gurë. Nuk e dija që vdiq. E lashë aty të gjakosur edhe u largova me makinë”, – mësohet të ketë dëshmuar pas vrasjes Meleqi.




