Rreth 40% e kandidatëve kanë rezultuar mbetës
Farmacistët, stomatologët, mjekët testohen deri në datë 24 dhjetor
Rezultatet e para të provimit të shtetit tregojnë një nivel të dobët të infermierëve dhe mësuesve të ardhshëm. Testimet që u janë bërë infermierëve që nga data 14 nëntor deri në datën 4 dhjetor, kanë treguar një nivel të ulët në krahasim me atë që pritej. Kështu, rreth 35-40% e kandidatëve kanë rezultuar mbetës, ndërsa 60% kanë qenë kalues. Dhe në rastet kur kandidatët kanë qenë kalues ka pasur një numër të lartë të kandidatëve, të cilët kanë grumbulluar minimumin e pikëve për të qenë kalues në provimin e shtetit. Numri i të rinjve që kanë grumbulluar maksimumin e pikëve ka qenë rreth 10% të kandidatëve që kanë dhënë provimin. Edhe mësuesit e ardhshëm nuk kanë treguar nivel të lartë në zotërimin e profesionit. Sipas të dhënave të AKP-së, rreth 30 e kandidatëve kanë rezultuar mbetës, ndërsa pjesa tjetër kalues. Për të qenë kalues, një kandidat duhet të grumbullonte minimumi 50 pikë nga 100 të mundshmet. Ndryshe nga infermierët, në radhët e të rinjve që jepnin provimin e shtetit në lëndët e mësuesisë niveli profesional ka qenë më i lartë. Ka pasur një numër të madh kandidatësh të cilët kanë grumbulluar mbi 70 pikë. Ditën e sotme do të mbyllet testimet e mësuesve në provimin e shtetit. Radhën për testim do ta kenë mësuesit në degët e Edukimit Fizik, Arsimit Fillor dhe Edukatë në Histori-Gjeografi.
Profesionet e tjera
Ndër profesionet që ka dalë me rezultatet të ulëta në provimin e shtetit, vazhdon të jetë fizioterapia. Në këtë degë numri i ngelësve llogaritet në 45%, ndërkohë që janë testuar shumë pak kandidatë. Në profesionet e Mamisë, Logopedisë dhe Teknik i lartë laboratori, kalueshmëria ka qenë mbi 70%. Nga data 16-19 dhjetor do të japin provimin e shtetit farmacistët, ndërsa mjekët do të testohen në 20 dhjetor. Farmacistët do të mbyllin këtë sezon të provimit të shtetit në datat 23 dhe 24 dhjetor.
Pyetjet
Pyetjet e provimit janë në kompetencë të Komisionit të Provimit të Shtetit. Ato synojnë të vlerësojnë njohuritë e përgjithshme të kandidatit për profesionin përkatës. Pyetjet e provimit të shtetit janë me alternativa. Vetëm një nga alternativat është përgjigje e saktë. “Pyetjet shfaqen në monitorin e kompjuterit të kandidatit dhe me një klikim zgjidhet pyetja e dëshiruar. Pyetja me alternativa është në një kuadrat me ngjyrë portokalli. Klikimi mbi këtë kuadrat ndryshon ngjyrën e kuadratit. Klikimi mbi alternativë nuk konsiderohet automatikisht si përgjigje e pyetjes. Kandidati ka të drejtë të klikojë më shumë se një herë mbi alternativat pastaj ta konfirmoj atë. Pas dhënies së përgjigjes, në monitor shfaqet njoftimi “Zgjidhni pyetje tjetër!”, – thuhet në udhëzimin e AKP-së. Në monitorin e kompjuterit shfaqet edhe koha e mbetur në dispozicion, deri në përfundimin e provimit. Koha e provimit përfundon kur në monitor shfaqet tabela përmbledhëse e dhënies së përgjigjeve e ballafaquar me përgjigjet e sakta, sasinë e pikëve të grumbulluara si dhe përqindja e pikëve të grumbulluara.
Rregullat për kandidatët:
– të jenë të pajisur me letërnjoftim ose pasaportë në provimin e shtetit
– të jenë të pajisur me vërtetim regjistrimi dhe mandatin e pagesës së tarifës së provimeve të shtetit
– të paraqiten së paku 30 minuta përpara fillimit të provimit;
– ndalohet marrja me vete dhe përdorimi i celularëve dhe mjeteve të tjera të komunikimit gjatë zhvillimit të provimit, pasi kjo vlerësohet si kriter skualifikimi;
– ndalohet duhani, dhe konsumimi i ushqimit në mjediset e provimit;
– ndalohet komunikimi gjatë zhvillimit të provimit;
Paskuqan, 623 persona merrnin ndihmë ekonomike dhe ishin të punësuar
Shërbimi Social kallëzoi dje në Prokurorinë e Tiranës zyrtarë të Komunës Paskuqan me motivacionin për shpërdorim detyre me administrimin e fondit të ndihmës ekonomike. Nga kontrolli i ushtruar nga ekipi i auditit të Shërbimit Social Shtetëror në Komunën e Paskuqanit u konstatua se 623 persona përfitonin ndihmë ekonomike në shkelje të kritereve ligjore për përfitimin e saj. Nga verifikimet e kryera u arrit në përfundimin se dhjetëra familje që ishin regjistruar si përfituese në skemën e ndihmës ekonomike, rezultuan të punësuar ose si zotërues pronash përtej kritereve të përcaktuara për personat që duhet të marrin ndihmë ekonomike. Sipas një vlerësimi paraprak të dëmit që i është shkaktuar buxhetit të shtetit, rezulton se vlera shkon deri në 2.759.884 lekë. Në përfundim të këtij kontrolli, SHSSH ka kërkuar regjistrimin e procedimit penal ndaj administratorëve socialë të Komunës Paskuqan dhe personave të tjerë që mund të rezultojnë përgjegjës gjatë hetimeve. Pjesa më e madhe e denoncimeve për Komunën e Paskuqanit kanë ardhur nga vetë qytetarët, të cilët kanë denoncuar rastet në faqen e internetit www.denonco.al, e hapur nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.
Vodafone Albania fiton çmimin për prezantimin e produktit mbarëbotëror Vodafone Red
Vodafone Albania shpallet fitues i çmimit për produktin më të mirë mbarëbotëror të prezantuar në Shqipëri. Produkti Vodafone Red – një zgjidhje risi për komunikimin në planet me kontratë u shpall si produkti më i vlerësuar për vitin 2013 nga forumi i 5-të i Infocom Telecom Albania. Ky forum i përvitshëm i sektorit të telekomunikacionit vlerëson ecurinë e kompanive shqiptare të fushës së komunikimeve elektronike dhe tashmë ka krijuar traditën e vet të dhënies së çmimeve për kompanitë, drejtuesit dhe produktet e kësaj industrie. Çmimi për Vodafone Albania u dha gjatë eventit vjetor të Infocom Telecom të mbajtur dje në Tiranë. Gjatë fjalës përshëndetëse, Drejtori i Departamentit të Financës në Vodafone Albania, z. Alexandre Mauricio, u shpreh se kompania Vodafone Albania si operator lider në Shqipëri në futjen e risive teknologjike gjithmonë synon të ofrojë zgjidhje efikase për komunikim të shpejtë, cilësor dhe të përballueshëm për të gjithë shqiptarët. Produkti Vodafone Red solli në Shqipëri risinë e komunikimit të vërtetë pa limit dhe integrimit të një pakete shërbimesh brenda të njëjtit produkt. Vodafone Red është zgjidhja inteligjente e planeve tarifore me kontratë për çdo biznes dhe individ që dëshiron të komunikojë pa limite, me tarifa të thjeshta dhe transparente, brenda dhe jashtë vendit . Planet me kontratë Vodafone Red përfshijnë telefonata dhe mesazhe pa limit, internet, mundësinë e ndarjes së internetit me numra të tjerë, ruajtjes së të dhënave nëpërmjet aplikacionit cloud, mbrojtjes së të dhënave personale në telefon, si dhe përftimit të një shërbimi model të kujdesit ndaj klientit.




