Rezoluta e PE: Përmbushje e kritereve për integrim

rezoluta-per-shqiperineParlamenti Europian miratoi me shumicë votash rezolutën për Shqipërinë, ku njihet “përparim domethënës në përmbushjen e kritereve politike për integrimin” në Union. Eurodeputetët vlerësojnë se, tashmë “qeveria dhe opozita duhet të konsolidojnë dhe të zgjerojnë arritjet e deritanishme”.

“Për të përparuar më tej në rrugën drejt anëtarësimit në BE, të gjitha partitë politike duhet të tregojnë përgjegjësi dhe të marrin përsipër pronësinë e procesit të integrimit”, vlerësoi raportuesi Fleckenstein në komunikatën për shtyp, të shpërndarë menjëherë pas votimit të rezolutës.

Sipas tij, “krijimi i besimit tek institucionet demokratike është gjithashtu i rëndësishëm”.

“Raporti inkurajon Shqipërinë, që të vazhdojë dhe të intensifikojë përpjekjet e saj për reformën e Administratës Publike, Gjyqësorit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe përmirësimin e mbrojtjes së të drejtave themelore, për të hapur sa më shpejt negociatat e anëtarësimit”, rendit zëvendëspresidenti i socialdemokratëve në PE, duke theksuar “rëndësinë madhore të zbatimit të legjislacionit të miratuar” për 5 prioritetet kyçe.

Vendi çmohet për “përputhshmërinë e plotë me politikën e Jashtme dhe të Mbrojtjes së BE-së”, sikundër për “marrëdhëniet e qëndrueshme dhe konstruktive me fqinjët”.

“Megjithatë, ne duhet t’i kujtojmë qeverisë se, Shqipëria dhe Kosova do të kenë një të ardhme të përbashkët vetëm kur të futen në BE”, u shpreh eurodeputeti bullgar, Ilhan Kyuchyuk, ndjekësraportues për Shqipërinë në grupimin liberal, pasi Parlamenti Europian rrëzoi me shumicë votash amendamentin kritik të liberalëve, mbi intervistën e përfolur të kryeministrit Rama.

Për këtë çështje, seanca plenare miratoi amendamentin “elegant” të PPE-së. Me gjithë kundërshtimet e kësaj jave, mësohet se socialdemokratët vijuan negociatat me të djathtën europiane, pas debatit të mbrëmshëm.

Në vlerësimin e eurodeputetit gjerman “Shqipëria luan një rol të rëndësishëm në Ballkan. Ne e njohim qëndrimin e saj konstruktiv dhe proaktiv mbi sigurinë rajonale, stabilitetin dhe bashkëpunimin me shtetet fqinje, ndaj dhe ne dekurajojmë deklaratat që mund të dërgojnë sinjale të gabuara”, shprehet Fleckenstein.

Rezolutat e PE-së kanë vetëm rol këshillues dhe jo detyrues në procesin vendimmarrës të BE-së për politikën e zgjerimit.

Përgatiti: Arta TOZAJ/TCH

Share it :