Refuzimi i statusit Eurodeputetja Pack: Mos vini gishtin tek ekstremistët në BE, përmbushni reformat!

Pjesëmarrja në Konferencën Islamike, Pack: Askush nuk e ka marrë në konsideratë, pretendime qesharake

 “Të gjithë e kanë të freskët atë që ka ndodhur vitet e shkuara me bojkotin dhe mosvotimin e tri ligjeve”

 

Doris Pack Shtyrja e vendimit në qershor për statusin e kandidatit ndaj Shqipërisë nuk lidhet me ndikimin e forcave ekstremiste brenda BE-së, por me domosdoshmërinë e përmbushjes së reformave të përcaktuara si prioritete nga Brukseli. Kështu e komentoi dje në një intervistë për “abc news”, eurodeputetja Doris Pack vendimin e marrë nga Këshilli i Ministrave të Jashtëm të BE-së, duke theksuar se vendet anëtare janë të ndërgjegjshme për ecurinë e Shqipërisë, por kanë nevojë për prova të mëtejshme. “Është Shqipëria që pret të marrë statusin e kandidatit. Ju duhet të shihni veten tuaj para se të drejtoni gishtin drejt ekstremeve në Evropë. Ka shumë reforma që nuk janë kryer ende. Kërkohen me insistim rezultate në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ka ende shumë për të bërë dhe kjo dihet. Nga ana tjetër, të gjithë e kanë ende të freskët në mendje se ç’ka ndodhur vitet e shkuara. Bojkoti ka krijuar pa dyshim shumë pikëpyetje. Opozita e shkuar bojkotoi Kuvendin e Shqipërisë për një vit e gjysmë dhe nuk votoi ligjet me shumicë të cilësuar. Dhe bëhej fjalë për ligje që e përafronin Shqipërinë me Bashkimin Evropian. Ligjet e kërkuara u miratuan, por pasi u ushtrua presion. Në Gjermani, Holandë, Francë apo Angli ne jemi të ndërgjegjshëm që Shqipëria ka bërë shumë progres që prej viteve ‘90, por nevojiten prova të mëtejshme. Lufta kundër korrupsionit dhe krimit merr një rëndësi edhe më të madhe edhe nga përvoja me Rumaninë dhe Bullgarinë. Si rrjedhim, shtetet anëtare janë bërë shumë më të vëmendshme dhe kërkuese në vlerësimin e një vendi që aspiron anëtarësimin”.

 

Vendimi

Duke bërë të ditur rëndësinë e vazhdimit të reformave, eurodeputetja shprehu sigurinë se vendi do të marrë statusin e kandidatit në muajin qershor. “Statusi i kandidatit është shumë domethënës. Ai përkthen progresin e një vendi në rrugën e anëtarësimit, por më pas nevojiten shumë hapa të tjerë në deri në anëtarësimin e vendit në Bashkimit Evropian dhe kjo do marrë kohë, kështu që nevojitet qetësi dhe s’keni pse fajësoni të tjerët. Mendoj se kur fajëson me gisht të tjerët, vjen një moment që gishti kthehet te vetvetja”. Ndërkohë, pyetjes nëse një ndër arsyet e refuzimit ishte edhe fakti që Shqipëria është pjese e Konferencës Islamike, Pack iu përgjigj duke pohuar: “Kjo është qesharake. Ju jeni pjesë e Konferencës Islamike që prej 20 vitesh tashmë dhe s’është se luani ndonjë rol aktiv. Asnjë s’e merr në konsideratë këtë gjë, aq më tepër që ju s’keni aktiv, por keni një rol vëzhguesi. Fakti që shumica e popullsisë suaj është myslimane, nuk luan asnjë rol politik, sepse ju nuk jeni si vendet e tjera myslimane. Dhe aq më tepër, që në Ballkan, feja në Shqipëri s’është përdorur kurrë si një instrument manipulativ siç është bërë në vende të tjera në ish-Jugosllavi, si për shembull në Bosnjë”. Në mbledhjen e 17 dhjetorit të vitit të kaluar, Këshilli i Ministrave të Jashtëm të BE-së vendosi që dhënia e vendimit për statusin e vendit kandidat të Shqipërisë të shtyhej deri në muajin qershor. Pavarësisht se nuk u vendos asnjë kusht shtesë, Brukseli kërkoi që vendi të vazhdojë ecurinë e reformave të përcaktuara si përparësi nga Komisioni Evropian, kryesisht luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.

 

 

Administrata

Pack: Pushimet nga puna të personave të kualifikuar, të pakuptueshme

Një tjetër temë e prekur dje në intervistën e eurodeputetes Doris Pack ishte edhe ajo që kishte lidhje me administratën publike dhe debatit të gjerë politik të zhvilluar për këtë çështje në Shqipëri. “Çështja e administratës për disa mund të jetë problem i vogël dhe për të tjerë mund të jetë më i madh. Bashkimi Evropian ka formuar dhe trajnuar shumë persona në administratën publike në Shqipëri ngaqë janë tashmë të kualifikuar. Nëse në administratë pushohen shumë persona të kualifikuar, kjo është e pakuptueshme. Në demokracitë tona ne i mbajmë fort personat e kualifikuar, pasi ata punojnë për vendin pa ndjekur domosdoshmërisht linjën e një partie. Ata mund të jenë me një parti të caktuar, por ata punojnë për qeverinë, pavarësisht se cila qeveri drejton vendin. Nuk dua të paragjykoj, sepse nuk kam statistika para meje, por ka shumë persona që më kanë kontaktuar, duke më thënë se nuk e kuptonin pse ishin përjashtuar nga puna, duke qenë se ata e bëjnë punën e tyre siç duhet. Më vjen keq për këta persona dhe shpresoj që të bëhet kujdes me shkarkimet”.

 

 Rregullorja e ndryshuar

Sot hyn në fuqi mekanizimi pezullues i vizave në zonën Shengen. KE: Nuk ka kërkesa

 Në bazë të ndryshimit të rregullores që u miratua muajin e kaluar nga Këshilli i BE-së, ditën e sotme hyn në fuqi mekanizmi pezullues i vizave. Sipas këtij vendimi, një shtet anëtar mund t’i kërkojë Komisionit Evropian pezullimin e lëvizjes së lirë për një vend përfitues të regjimit pa viza, nëse përballet me një situatë emergjente, kur përgjatë 6 muajve vërehet: Rritje e menjëhershme dhe domethënëse e numrit të emigrantëve të paligjshëm; të kërkesave të pabazuara për azil apo të refuzimit të kërkesave për riatdhesim, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ka një numër vendesh anëtare që këto vitet e fundit vazhdimisht janë ankuar se ka probleme me të cilat duhet të përballemi dhe kjo nuk është e re, vijon e njëjta situatë. Shqetësimi i disa vendeve anëtare qëndron tek tendenca që nuk po ulet në mënyrë bindëse. Kjo është diçka që Komisioni po e sheh sistematikisht përmes sistemit të monitorimit dhe vlerësimit, i krijuar posaçërisht për të parë se cila është situata dhe se ku jemi”, – deklaroi Michele Cercone, zëdhënësi i komisioneres Malmstrom. Shumë vende anëtare të BE-së kanë shprehur shqetësime për shkak të fluksit të azilkërkuesve, të cilët kanë keqpërdorur regjimin pa viza. Ndërkohë, autoritetet belge theksuan se numri i azilkërkuesve nga vendet e treta është zvogëluar katërfish gjatë 2013. Vetëm në Gjermani është regjistruar rritja e numrit të azilkërkuesve të rrejshëm. Rritja e kërkesave ka ndodhur pasi Gjykata Supreme e Gjermanisë ka rikthyer vendimin për ndihmë financiare dhe kushte të tjera për azilkërkuesit, që mund të qëndrojnë për gjashtë muaj. Pezullimi i regjimit pa viza nuk bëhet në mënyrë të menjëhershme me ankesën e një shteti anëtar por vetëm pas vlerësimit, Komisioni dhe Këshilli, me pëlqimin e Parlamentit, mund të marrin vendim për pezullim 6-mujor të lëvizjes së lirë ndaj vendit problematik.

 

 

Në Izrael

Investimet dhe bashkëpunimi ekonomik, Peleshi e Gjiknuri takim me ministrin Shalom

Një delegacion i qeverisë shqiptare i kryesuar nga zv.kryeministri Niko Peleshi dhe ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri po zhvillojnë një vizitë zyrtare disaditore në Izrael. Gjatë kësaj vizite, delegacioni zhvilloi një takim me ministrin e Energjisë dhe Ujërave të Izraelit, Silvan Shalom. Me të u diskutua për bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve, duke vënë theksin në zgjerimin e mundësive që shoqëritë izraelite të investojnë në Shqipëri. Ministri Shalom shfaqi interesim të veçantë për disa fusha potenciale investimesh siç janë ato të energjisë, ujit dhe teknologjisë së informacionit. Në kuadër të këtyre bisedimeve, Shqipërinë do ta vizitojë shumë shpejt një grup ekspertësh nga qeveria izraelite, me qëllim përgatitjen e marrëveshjeve të nevojshme të bashkëpunimit në këto fusha specifike e me rëndësi për zhvillimin e vendit. Gjatë qëndrimit të tyre në Izrael, Peleshi dhe Gjiknuri patën rastin të takoheshin edhe me shoqëritë më të mëdha izraelite në fushën e energjisë, turizmit dhe industrisë prodhuese. Këto të fundit shprehën interes për t’u njohur me politikat e qeverisë dhe lehtësirat që do të krijohen për të garantuar investimet e huaja në Shqipëri.

Share it :