Pasi mazhoranca dhe opozita iu drejtuan me draftet e tyre për reformën në drejtësi, raporterët e Komisionit të Venecias pritet të zbarkojnë sot në Tiranë. Të dërguarit e Venecias gjatë vizitës dyditore do të takojnë Presidentin e Republikës Nishani, Kryeministrin Edi Rama, kreun e Gjykatës Kushtetuese, ministrin e Drejtësisë, Fatmir Xhafën në cilësinë e kryetarit të komisionit të posaçëm për reformën në drejtësi, si dhe anëtarët e Partisë Demokratike në këtë komision. Ata do të dëgjojnë opinionet e ekspertëve ligjorë të Partisë Demokratike, pasi këta të fundit kanë shprehur disa kritika lidhur me draftin e hartuar nga ekspertët e nivelit të lartë të mbështetur nga mazhoranca. Më parë në datën 24 tetor Komisioni i Venecias dëgjoi zyrtarisht në një seancë të posaçme draftin e punuar nga ekspertët e nivelit të lartë vendas e të huaj . Drafti i Komisionit për reformën në drejtësi u prezantua nga konstitucionalisti Kristaq Traja, i cili referoi përpara ekspertëve të Venecias, paketën e ndryshimeve Kushtetuese. Ndërkaq në muajin dhjetor pritet që Komisioni i Venecias të publikojë opinionin e saj lidhur me draftin e hartuar nga ekspertët e nivelit të lartë vendas e të huaj. Po ashtu ky Komision do të mbajë qëndrimin e tij edhe lidhur me konsultat që do të ketë me ekspertët e Partisë Demokratike mbi reformën në Gjyqësor.




