Gëzim Saliu
Halimi: S’ka asnjë dokument strategjik të qeverisë për reformën në drejtësi
Opozita do të jetë e pranishme në tryezën e thirrur ditën e hënë nga Presidenti Nishani për reformën në drejtësi. Ish-ministri i Drejtësisë, deputeti i PD-së, Eduard Halimi, deklaroi dje se formati i tryezës së thirrur nga Presidenti plotëson kushtet dhe kriteret e përcaktuara nga BE-ja. “Opozita do të jetë e pranishme në tryezën për reformën në drejtësi që është thirrur për të hënën nga Presidenti Nishani. Opozita gjykon se formati i tryezës së thirrur nga presidenti plotëson kushtet dhe kriteret e përcaktuara nga Be për një reformë në drejtësi e cila duhet të jetë gjithëpërfshirëse, konsensuale. Ky është një format i duhur dhe ne kemi besimin se kjo reformë mund të vazhdojë progresin e saj duke mbajtur të paprekur pavarësinë e sistemit gjyqësor na politika”, – u shpreh Halimi.
Qëndrimi
Sipas Partisë Demokratike, vetëm nën udhëheqjen e ekspertizës ndërkombëtare reforma në drejtësi mund të ecë përpara dhe të vazhdojë në progresin e saj. “Nëse reforma do të bëhet në Parlament, siç edhe u nis keq nga qeveria, me paketën personale të drejtësisë, ajo precipiton as më shumë dhe as më pak, por vetëm në zëvendësimin e disa njerëzve për të kapur sistemin e drejtësisë. Për të kapur politikisht drejtimin e sistemit të drejtësisë”, – tha Halimi. I pyetur nga gazetarët se cili do të jetë formati që duhet të udhëheqë reformën në drejtësi, deputeti demokrat pohoi se Bashkimi Evropian e ka bërë të qartë se reforma nuk mund të jetë e suksesshme në qoftë se nëse nuk marrin pjesë të gjitha palët. “Dhe palët nuk duhet të kuptohen vetëm palët politike, opozita dhe qeveria, gjithëpërfshirje do të thotë të marrin pjesë së pari aktorët e sistemit të drejtësisë; prokurorët, gjyqtarët, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, Gjykata Kushtetuese, avokatët, noterët, të gjithë. Ky është koncepti i gjithëpërfshirjes. Pra duhet të marrim të gjitha palët, jo vetëm ato politike”, – nënvizoi ai, duke theksuar se ekspertët ndërkombëtarë duhet të përcaktojnë kornizën evropiane ku duhet të ecë reforma. Ndërkaq lidhur me mundësinë e rikthimit të PD-së në parlament vetëm për reformën në drejtësi, duke lënë mënjanë kushtet e përmendur për zbatimin e gjykatave apo mea culpan për dhunën në Kuvend, Halimi tha se demokratët gjykojnë që reforma në drejtësi duhet të bëhet në tryeza publike me gjithëpërfshirje. “Ajo që do të diskutohet është hartimi i një dokumenti strategjik. Ju nuk keni parë ndonjë dokument strategjik të qeverisë, ka kaluar një vit. Ju nuk keni një dokument strategjik të qeverisë për reformën në drejtësi. E vetmja strategji që paraqet kryeministri me paketën e verës, ishte, të heqim anëtarët e KLD-së, t’i zëvendësoj me njerëzit e mi, për t’u rilindur, për t’u rikthyer në modelin e vitit 2005. Ky model qeveritar që ne e bëjmë reformën në drejtësi vetëm kur ta kemi nën kontroll, nuk është kushtetues, nuk është evropian dhe është i papranueshëm për opozitën”, – deklaroi Halimi.
Tryeza me Nishanin, Ramën dhe Bashën. Ja si do të jetë axhenda e takimit
Ditën e hënë do të zhvillohet tryeza për reformën në drejtësi, e thirrur nga kreu i shtetit Nishani, ku do të marrin pjesë aktorët kryesore të politikës shqiptare. Në të do të marrë pjesë Kryeministri Rama, ministri i Drejtësisë Naço, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha si edhe drejtuesit e institucioneve kryesore të sistemit të drejtësisë, ekspertë të fushës, si edhe përfaqësues të forcave politike. Në këtë tryezë, kryetarët e forcave politike dhe aktorëve të sistemit të drejtësisë do paraqesin propozimet e tyre dhe më pas panelet, të cilët do të përbëhen nga ekspertë, përfshi këtu edhe deputetët, do të paraqesim pikat se si mund të përmirësohet sistemi i drejtësisë, për të siguruar pavarësinë nga njëra anë dhe rritjen e performancës nga ana tjetër. Sipas kreut të shtetit, tryeza e ditës së hënë ka si synim të hedhë shtyllat kryesore mbi të cilat do të mbështetet reforma në drejtësi, duke ngjizur përvojën më të mirë ndërkombëtare dhe vendase që do tu vihet më pas në dispozicion aktorëve zbatues për t’u zbërthyer më tej në një plan pune konkret.
Raporti i ministrit Maizière për krimin/ Ambasada Gjermane sqaron deklaratën. Rama: Kukuvajkat u qanë kot. Basha: Faktet flasin vetë
Ambasada Gjermane në Tiranë reagoi dje pas përplasjeve që krijoi deklarata e ministrit gjerman Maizière lidhur me situatën e krimit në vend. Sipas Ambasadës, reagimet e ministrit kishin të bënin me një raport të vitit 2013. “Nisur prej raportimeve objektivisht të pasakta të disa mediave rreth konferencës për shtyp të ministrit të Brendshëm Federal të Gjermanisë, z. Thomas de Maizière, mbajtur më 1.10.2014 “Rreth gjendjes së krimit të organizuar në nivel federate për vitin 2013” përcillet më poshtë teksti i citatit të Ministrit referuar Shqipërisë: “Unë kam biseduar me ministrin e Brendshëm së bashku me kolegun tim francez. Ai është i ri në detyrë dhe tejet i angazhuar në luftën kundër krimit të organizuar. Kjo është diçka e vështirë duke konsideruar faktin, që krimi i organizuar kishte depërtuar ndërkohë deri në strukturat e aparatit shtetëror, dhe kërkon – e këtë e them mjaft seriozisht – kurajo personale nga ata që qeverisin”, – thuhej në reagimin e Ambasadës. Pas kësaj deklarata, reagoi kryeministri Rama, i cili me tone ironie tha se kukuvajkat vunë kujën për raportin e Gjermanisë për lidhjet e qeverisë me krimin por sipas tij raporti flet për lidhjet e vjetra. “Oh gjynah kukuvajkat për kujën që vunë se Gjermania paska vënë alarmin për krimin e lidhur me qeverinë! Fjala qenka për lidhjet e vjetra”, – shkruante Rama. Ndërkaq nuk ka munguar reagimi i kryedemokratit Basha, i cili duke marrë për bazë një sërë vendimesh dhe ngjarjesh të ndodhura në vend tha se faktet vërtetojnë se gjendja e vendit është përkeqësuar. “Prej një viti Partia Demokratike ka ngritur zërin për emërimet kriminale në administratën Rama-Meta. Ne kemi bërë publikë emrat dhe dosjet e trafikantëve, vrasësve, pengmarrësve të veshur me pushtet. Rama-Meta kanë heshtur duke pranuar autorësinë dhe përgjegjësinë. Ne kërkuam hetim parlamentar për kriminalizimin e administratës”, – tha Basha. Më tej, ai theksoi: “Sot kërcënohen dëshmitarët e mbrojtur sepse ligjin në polici dhe qeveri e bën mafia dhe kriminelët e veshur me pushtet. Kriminelë të rrezikshëm nga listat e Europolit dhe Interpolit kanë sot veshin, krahun dhe mbështetjen e kreut të qeverisë dhe ministrit të tij të brendshëm. Këto janë faktet. Kjo është e vërteta e tmerrshme e Shqipërisë së rënë në kthetrat e mafies dhe krimit të organizuar me lidhje qeveritare, siç pohojnë partnerët evropianë”, – u shpreh ai, duke thënë se nuk ka alibi apo justifikim që ta zbehë këtë këmbanë alarmi. “Ky realitet nuk mund të fshihet nga asgjë dhe nga askush. Nuk ka kurë tjetër për këtë mynxyrë përveç përballjes dhe luftës pa kompromis kundër krimit të organizuar. Siç pohoi dje edhe ministri i brendshëm gjerman, kjo kërkon kurajo. Këtë kurajo nuk e ka e nuk mund ta ketë ai që ka themeluar këtë aleancë me krimin. Prandaj edhe sot bëri strucin. E sigurtë është që këtë kurajo e kemi ne dhe qytetarët shqiptarë!”, – deklaroi kreu i PD-së Basha.




