Reforma në drejtësi/ Mazhoranca i “mbyll dyert” opozitës, Ruçi-Halimit: S’ndryshohen rregullat në fund të lojës

Gëzim Saliu

Ruçi HalimiMeta: Mbledhim më pas Konferencën e Kryetarëve dhe vendosim, pasi kemi të bëjmë me ndryshim të Parlamentit

Pavarësisht se ka bërë thirrje prej muajsh ndaj demokratëve për t’u bërë pjesë e reformës në drejtësi, mazhoranca nuk i pranoi dje kërkesat e opozitës për ndryshime në komisionin e posaçëm për këtë reformë. Debati i zhvilluar mes deputetit demokrat Eduard Halimi dhe kreut të grupit parlamentar socialist Gramoz Ruçi në sallën e Parlamentit solli si përfundim mos përfshirjen e kërkesave të PD-së në rendin e ditës. Ndërkaq duke parë kundërshtitë e palëve, Kreu i Kuvendit, Ilir Meta, tha se kjo çështje mund të zgjidhet përmes mbledhjes sërish të Konferencës së Kryetarëve ku palët mund të marrin më shumë kohë për pretendimet e tyre me synim arritjen e konsensusit për një ndër reformat më të rëndësishme që duhet të ndërmarrë Shqipëria. Kjo përplasje erdhi pikërisht kur opozita ndryshoi qëndrimin e saj bojkotues ndaj kësaj reforme dhe paralajmëroi dy ditë më parë përfshirjen e saj në këtë reformë.

 

Debati

Në nisje të seancës së djeshme deputeti demokrat Eduard Halimi i kërkoi Kreut të Kuvendit, Ilir Meta, që të përfshijë në rendin e ditës edhe kërkesën e opozitës për ndryshimet në komisionin e posaçëm për reformën në drejtësi. “Ju kemi dërguar dy ditë më parë një shkresë. Në këtë seancë duhet të futet në rend dite edhe ndryshimi i vendimit për komisionin e posaçëm për reformën në drejtësi në mënyrë që opozita të bëhet pjesë e këtij komisioni”, – tha ai. Por në ndërhyrjen e tij kreu i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, ka ndërhyrë duke thënë se nuk është njohur me ndryshimet e propozuara nga opozita dhe se rregullat e lojës nuk mund të ndryshojnë tani në fund. “E përshëndes opozitën që më në fund vlerëson që qëndrimi i deritanishëm për t’u mos u bërë pjesë e komisionit përkatës për reformën në drejtësi nuk ishe i duhur, është e mirëpritur. Nuk jam njohur me përmbajtjen e ndryshimit. E para rregullat e lojës nuk ndryshojnë në mes të lojës. Komisioni përkatës është drejt përfundimit të mjaft problemeve që përmban reforma. Ndryshimi i rregullave të lojës në fund të lojës nuk mund të bëhen. Propozimi i bërë flet që kjo reformë të mos konkretizohet por të bllokohet. Për ndryshimin nuk jemi të gatshëm, për plotësimin e vendeve vakant jemi të gatshëm të hyjë në rendin ditës”, – u shpreh Ruçi. Pas këtij qëndrimi i menjëhershëm ka qenë reagimi i ligjvënësit demokrat, i cili theksoi se kjo deklaratë e kryetarit të grupit parlamentar socialist mbyll dyert e konsensusit. “Nuk e di nëse zoti Ruçi e ka këtë qëndrim të vetin apo të konsultuar. Do doja ta kishte personal dhe jo në emër të qeverisë. E kam bërë të qartë që gjatë këtyre muajve ka pasur takime intensive me partnerët ndërkombëtarë. Kërkesat nuk kanë të bëjnë as me bllokimin e reformës, as me ndonjë të drejtë vetoje, por me kërkesën e BE-së për një reformë konsensuale dhe një bashkëpunim gjithë përfshirës për hartimin e Reformës në Drejtësi që deri tani nuk është bërë asnjë gjë”, – theksoi ai. Debati vazhdoi edhe më tej, pasi Ruçi duke replikuar me Halimin tha se kur flet në Kuvend përfaqëson gjithmonë PS-në. “Dakord që duhet të jetë konsensuale dhe gjithëpërfshirëse. Të vetmit që i mungojnë punës së bërë jeni vetëm ju, mirë se vini për të plotësuar mangësitë! Të tjerat janë në kohën dhe momentin e duhur, ju jeni jashtë kohe dhe jashtë vendi. Jeni të mirëpritur!”, – deklaroi ai. Ndërsa Halimi e cilësoi këtë si një zhvillim krejt të papritur, duke pohuar se Ruçi po përgënjeshtroni partnerët ndërkombëtarë. “Ne e kemi të qartë që ju për të bërë reformë në drejtësi nuk keni ndërmend. Tërhiquni nga rruga e arrogancës! Ju thoni do bëni reformën në shtator por nuk paraqisni asnjë ligj, asnjë draft, asnjë strategji. Deri më sot zero, nuk ka asnjë strategji. Kanë kaluar 2 vjet. Tërhiquni nga rruga e arrogancës, thirrini konsensusit, bashkohuni me partnerët ndërkombëtar!”, – tha Halimi. Duke synuar mbylljen e debatit, Kryeparlamentari Meta kërkoi që palët ta diskutojnë çështjen në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve. “Nëse doni mund të mbledhim Konferencën e Kryetarëve, sepse edhe nga ana procedurale kemi të bëjmë me një ndryshim të parlamentit. T’i lëmë vetes më shumë kohë për ta diskutuar këtë çështje’, – theksoi Meta.

 

Kanabisi dhe emigrimi/ Berisha: Shqipëria po bëhet si Jemeni. Eksodi do të na ndëshkojë, të ngrihet komision parlamentar

Për ish-kryeministrin Berisha dy ndër problemet më të mëdha që po kalon vendi aktualisht janë përhapja e kanabisit në çdo cep të Shqipërisë si edhe eksodi masiv i shqiptarëve drejt Evropës. Duke akuzuar deputetin socialist Kokëdhima për qëndrimet e tij për hashashin. Berisha tha se së shpejti shqiptarët do të mbjellin në oborret e tyre lulëkuqe për të nxjerrë opiumin. “Dua t’i informoj shqiptarët se agjencitë partnere njoftojnë autoritetet tona, Shqipëria e zhytur në kanabis si kurrë ndonjëherë. Kjo që është korrur as 1/30 e sipërfaqes së mbjellë. Elementë të inkriminuar të mazhorancës, kanë nxitur mbjelljen e kanabisit duke dhënë garanci se nuk ua prek njeri. Por ajo që është më e hidhura se njeriu më i fuqishëm pas Edi Ramës, Kokëdhima (u peshon të gjithëve në kandar) bën fushatë nga jugu në veri për legalizimin e kanabisit. Jo vetëm që është mbjellë jo vetëm që po pritet edhe po shitet por po inkurajohet mbjellja e mëtejshme e saj. Kush i paguan këto shpenzime, taksapaguesit shqiptar, kush e vuan reputacionin, çdo shqiptar. Siç e keni nis do ta bëni Shqipërinë si Jemeni. Jemeni mbillte një bimë që përtypet, por që i ka kushtuar atij kombi më shumë se çdo gjë tjetër. Kanabizimi i vendit, fatalitet”, – deklaroi ai. Ndërkaq duke folur për problematikën e azilkërkuesve, Berisha tha se largimi i tyre vjen për shkak të keqqeverisjes. Sipas tij nëse Kryeministri nuk do të marrë masa, vendi mund të rrezikojë edhe regjimin e vizave. Ju garantoj se sa të vazhdojë, ne jo që nuk ecim drejt integrimit, por ne ecim drejt ndëshkimit. Problemi i azilantëve është bërë për BE-në, problemi i dytë më madhor, pas krizës greke. Samiti i BE-së para 2 javësh dy çështje kishte, krizën greke dhe emigracionin. Vihet në rrezik heqja e vizave. Në një të ardhme, e kanë gati mekanizmin. nëse Gjermania nuk e ka të lehtë ta bëjë për sirianët që janë në luftë, por për shqiptarët në çfarë lufte janë, me Edi Ramën. Jemi bërë pjesë e axhendës së qeverisë gjermane. Duhet urgjentisht të shpallet një set masash”, – theksoi ai.

 

Braçe “i vetëm në shtëpi”/ Mazhoranca braktis punimet e Parlamentit, deputeti i PS-së: Parlament më hipokrit s’kemi parë

Mazhoranca merr pushimet para kohe. Ndonëse dje në Parlament në orarin e pasdites po diskutohej për dy marrëveshje të rëndësishme për vendin, deputetët e majtë kishin braktisur totalisht sallën e Parlamentit. Në seancë ndodhej vetëm Erjon Braçe, i cili nuk ngurroi të kritikonte kolegët e tij dhe sidomos ministrat për mospraninë në sallë. “Parlament më hipokrit nuk kemi parë”, – tha Braçe, i cili i vetëm në sallë të kujtonte filmin e famshëm humoristik hollivudian “I vetëm në shtëpi”.

 

 

Share it :