Reforma në drejtësi/ Ligji për KLD-në, Halimi: S’pezullohet gjyqtari, pa vendim fajësie. Rrezik për shtetin ligjor

Gëzim Saliu

 halimi edi“Rama urdhëroi deputetët që të firmosin projektligjin që largon të gjithë gjyqtarët që guxojnë të japin vendime kundër qeverisë. Reforma duhet të vijë nga ekspertë të jurisprudencës evropiane”

 Reforma në drejtësi, e iniciuar me projektligjin e qeverisë për Këshillin e Lartë të Drejtësisë, përbën rrezik për shtetin ligjor në vend. Ky ishte qëndrimi që shprehu dje deputeti i Partisë Demokratike, njëkohësisht nënkryetari i grupit parlamentar të PD-së, Eduard Halimi, i cili akuzoi Kryeministrin Rama se ka urdhëruar deputetët që të firmosin projektligjin, sipas të cilit nëse ka kallëzim penal ndaj një gjyqtari ai duhet të pezullohet nga puna, pavarësisht nëse është shpallur fajtor apo jo. “Nxituan dhe nuk pritën opinionin e Komisionit të Venecias, sepse e dinin që standardet ndërkombëtare shkojnë në të kundërt të vullnetit të qeverisë për kontroll dhe presion politik të sistemit të drejtësisë. Çështja duket e thjeshtë për qeverinë: hartojmë fletërrufe politike, i diskutojmë në komitetin e Partisë Socialiste, ngarkojmë dikë të firmosë kallëzime për 300 gjyqtarë dhe i heqim nga puna të gjithë! I larguam të gjithë ata që guxojnë të japin vendime kundër qeverisë. I shpallim të korruptuar me vendim qeverie! E zgjidhëm hallin!”, – theksoi Halim në reagimin e tij në rrjetin social “Facebook”.

 

Katër kundërshtitë

Në fillim të reagimit të tij, deputeti demokrat pohoi se kur të gjithë prisnin një reformë gjithëpërfshirëse për sistemin e drejtësisë, bazuar në një dokument vizionar strategjik dhe sipas rekomandimeve të Komisionit të Venecias, mazhoranca dorëzon projektligjin që bie në kundërshtim me Kushtetutën. “E para: të shkruash një ligj ku vendoset, “Po u regjistrua kallëzim automatikisht pezullohet nga detyra gjyqtari” ke thyer parimin bazë të Kushtetutës (neni 30) dhe Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (neni 6/2), parimin e prezumimit të pafajësisë. Kushdo konsiderohet i pafajshëm derisa nuk ka një vendim të formës së prerë. E dyta: të vendosësh se vetëm gjyqtarët do të pezullohen po u bë një kallëzim penal, do të thotë të injorosh në mënyrë të rrezikshme nenin 18 të Kushtetutës “Të gjithë janë të barabartë para ligjit””, – u shpreh Halimi. Më tej, ligjvënësi i PD-së nënvizoi se një tjetër arsye që bie ne kundërshtim me ligjet e vendit të këtij projektligji është ajo që lidhet me injorimin e Kodit të Procedurës Penale. “Të vendosesh se kallëzimi për një krim e detyron një organ administrativ si KLD të pezullojë gjyqtarët, automatikisht do të thotë të injorosh Kodin e Procedurës Penale, i cili e parashikon ndalimin për të kryer një detyrë të caktuar si një masë sigurimi personal. Pra vendos gjykata. Të mendosh se e zgjidh korrupsionin duke hequr kompetencat e gjykatave dhe t’ia kalosh ato institucioneve administrative se u zgjidh korrupsioni po shmange Kushtetutën, prokurorinë dhe gjykatat është rrezik për shtetin ligjor”, – pohoi ai. Ndërkaq, arsyeja e katërt, sipas Halimit, ka të bëjë me faktin se shkrimi i ligjeve,që nuk qëndrojnë në këmbë për asnjë minutë, përbën një veprim tërësisht të rrezikshëm në kuadër të frikësimit të gjyqtarëve. “Është e rrezikshme dhe naive sepse përveç frikësimit të gjyqtarëve që Kryeministri arrogant ka si qëllim për nënshtrimin e tyre, iniciativa e propozuar nuk sjell absolutisht asgjë në luftën ndaj korrupsionit në drejtësi dhe për më tepër asnjë zgjidhje për problematikat që ka sistemi”, – deklaroi deputeti demokrat. Në fund të reagimit të tij, Halimi shprehu edhe variantin se si duhet bërë reforma në drejtësi, duke pohuar: “Reforma në sistemin e drejtësisë, lufta reale korrupsionit në drejtësi, duhet të vijë në një dokument strategjik të hartuar nga ekspertë të vërtetë dhe të mençur të jurisprudencës evropiane, larg qeverisë, larg hakmarrjes primitive të Edi Ramës, larg dëshirës së tij për kontroll politik ndaj sistemit”.

 

 Spastrimi në administratë/ PD, Bylykbashi: Në Ministrinë e Mbrojtjes do të hiqen 70 nëpunës civilë. BE të monitorojë

 Reagimi i MM-së: Veprimet do të kryhen sipas urdhrit të ministres, bazuar në dekretin e Nishanit

Partia Demokratike denoncon fushatën e spastrimit që, sipas saj, pritet të ndërmerret në Ministrinë e Mbrojtjes me heqjen nga puna të 70 nëpunësve civilë. Deputeti i PD-së Oerd Bylykbashi deklaroi dje se fushata e re e spastrimit në administratë ishte denoncuar nga demokratët të cilët kanë shprehur publikisht dyshimet e tyre dhe ua kanë bërë të ditur edhe ndërkombëtarëve. “Sot, ministrja e Mbrojtjes ka paralajmëruar spastrimin e ri në administratë, i planifikuar nga dyshja Rama-Meta, pas marrjes së statusit të vendit kandidat. 70 nëpunës civilë janë thirrur sot në Ministrinë e Mbrojtjes ku u është kërkuar të japin dorëheqjen, ose të kalojnë në listë pritje. Ne i kërkojmë sot qeverisë dhe dyshes Rama-Meta, të heqin dorë menjëherë nga ky plan i turpshëm i spastrimit të ri në administratë”, – tha Bylykbashi. Sipas tij, skenari i krijimit të vendeve të punës për militantët e partisë dhe i largimit të profesionistëve, është i frikshëm për një vend që ka marrë statusin e kandidatit. Në këtë kontekst, ligjvënësi demokrat paralajmëroi protesta të forta qytetare, të mbështetur nga opozita. “Partia Demokratike i kërkon Bashkimit Evropian të dërgojë menjëherë një mision monitorimi për të parë nga afër krimin e qeverisë me administratën, me asetin më të çmuar publik në rrugën e integrimit evropian”

 

Reagimi i MM-së

Ndërkaq, për denoncimin e Partisë Demokratike ka reaguar dje Ministria e Mbrojtjes, e cila ka hedhur poshtë deklarata, duke theksuar se veprimet po ndërmerren pas urdhrit të ministres të bazuar në dekretin e Presidentit të vendit. “Pas miratimit të strukturës së re të Forcave të Armatosura nga Presidenti i Republikës, ministri i Mbrojtjes ka nisur procedurat ligjore në bazë dhe në zbatim të dekretit të presidentit të vendit. Saktësojmë se të gjitha veprimet do të kryhen konform urdhrit të dalë nga ministri i Mbrojtjes, bazuar në dekretin e kryetarit të shtetit”, – thuhej në reagim. Por duket se kjo procedurë do të kërkojë më shumë kohë, pasi Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ktheu dje për rishqyrtim në Kuvend ligjin “Për karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, pasi, sipas tij, ai bie ndesh me disa nene të Kushtetutës, pasi tejkalon funksionet e Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.

 

Share it :