Gëzim Saliu
Kryeministri: Reforma territoriale është kryereforma e Shqipërisë, garantojmë gjithëpërfshirje
Në nënshkrimin e marrëveshjes mes qeverisë shqiptare dhe qeverive të Suedisë, Zvicrës dhe SHBA-së për reformën administrative territoriale, Kryeministri Rama deklaroi dje se një reformë e tillë nuk ka interes politik, duke kërkuar edhe përfshirjen e opozitës në këtë proces. Duke bërë të ditur se këtë reformë do ta udhëheqë Kuvendi i Shqipërisë përmes një komisioni të posaçëm parlamentar, ku bashkëkryesuese do të jetë edhe opozita, Rama pohoi se në kushtet e sotme të Shqipërisë, ndarja e re administrative është kryereforma që i duhet vendit. “Votat e nevojshme të shumicës që Aleanca për Shqipërinë Evropiane i ka, janë arsyeja e fundit, jo e para, për të besuar se këtë herë, politika shqiptare nuk mund të jetë pengesa e papërgjegjshme tradicionale në rrugën e kësaj reforme jetike për zhvillimin normal të vendit. Ne duam që këtë reformë ta udhëheqë Kuvendi me një komision të posaçëm parlamentar. Dhe jo vetëm e dëshirojmë pjesëmarrjen e plotë të opozitës në konceptimin e në hartimin e projektit të reformës, po kemi të gjithë gatishmërinë që mbi bazën e praktikës së mirë të komisioneve parlamentare bipartizane, t’i njohim opozitës të drejtën e bashkëkryesimit të komisionit si edhe të gjitha të drejtat që garantojnë barazinë në komision, përfshirë edhe veton, siç është përdorur në praktikën e komisioneve të reformës zgjedhore”, – deklaroi kreu i qeverisë.
Deklarata
Sipas Kryeministrit, synimi i qeverisë dhe i mazhorancës së majtë është që përmes një ndërveprimi gjithëpërfshirës të garantohet mbyllja e reformës me sukses e me një mbështetje të plotë të të gjitha forcave politike. “Për këtë jemi plotësisht të hapur ndaj të gjithëve dhe do të mirëpresim çdo ide, sugjerim, kontribut nga të gjithë, në çdo nivel. Prandaj edhe dëshirojmë e urojmë që opozita ta nxjerrë jashtë axhendës së aksionit të vet legjitim antiqeveritar këtë temë të madhe të politikës kombëtare dhe të mos mungojë në rrugën e kësaj reforme me interes të madh kombëtar, publik e komunitar. Vizioni ynë i kësaj reforme nuk lidhet me asnjë interes partiak në favor të një pale e kundër një pale tjetër. Për ne kjo reformë është instrument modernizimi për vendin dhe shtysë e fortë për zhvillimin e integruar të tij”, – tha Rama. Në këtë kontekst, ai nënvizoi se kjo reformë do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në racionalizimin e burimeve njerëzore e financiare të shtetit në funksion të rritjes së cilësisë së qeverisjes kombëtare e vendore dhe “uljes së shpërdorimit pa asnjë arsye e kuptim të këtyre burimeve që një vend si yni s’e ka luksin t’i shpërdorojë; për shfrytëzimin racional të burimeve natyrore të vendit, mbrojtjen e tokës, ujërave të pijshëm, pyjeve, lumenjve, plazheve, si edhe patjetër mbrojtjen e trashëgimisë kulturore; për modernizimin e sistemeve të furnizimit të familjeve me ujë për konsum njerëzor e për vaditje; për modernizimin e shërbimeve të transportit e të pastrimit dhe, sigurisht, për rritjen cilësore të shërbimeve në shëndetësi, arsim, bujqësi; për modernizimin e shërbimeve të përditshme për qytetarët, në zonat urbane e rurale, dhe garantimin e një shërbimi të besueshëm e të qëndrueshëm të punësimit e ndihmës ekonomike”.
Drafti për reformën
Ndarja e njësive administrative
36 rrethe do të ketë i gjithë territori shqiptar
30 mijë banorë do të jetë numri maksimal i bashkive rurale
20 mijë banorë do të jetë numri maksimal i njësive rurale
10 mijë banorë do të jetë numri maksimal i njësive të vogla rurale
Kriteret për ndarjen e njësive vendore
Kriteri i distancës me qendrën e njësisë
Parimi i vazhdimësisë territoriale
Numri i konsiderueshëm i banorëve
Tradita historike kulturore mes banorëve
Ambasadori i SHBA-së
Arvizu: Qeveria të dëgjojë qytetarët dhe partitë politike për reformën territoriale
Në fjalën e tij në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes së projektit “Star” i asistencës teknike që do të mbështesë reformën administrativo-territoriale, ambasadori Arvizu deklaroi se qeveritë e Suedisë, Zvicrës dhe SHBA-së e mbështesin këtë reformë. “Do të sjellim praktikat më të mira së bashku, qeveritë e Suedisë, Zvicrës dhe SHBA mbështesin reformën territoriale. Nëse është e suksesshme përpjekja do konsolidojë NQV-të. Ky konsolidim do mundësojë autonominë vendore dhe do forcojë ekonominë vendore. Ne e përkrahim përkushtimin e qeverisë për ta bërë reformën të tillë që të ndjekë standardet ndërkombëtare. Ne i kemi ofruar mbështetje nëpërmjet PNUD. Nxisim qeverinë të sigurohet që zërat e gjithë qytetarëve të dëgjohen në këtë proces dhe të gjitha partitë të marrin pjesë aktive. Koha për zbatimin e procesit është e ngushtë pasi qeveria ka për synim ta përfundojë procesin për zgjedhjet e 2015. Kemi besim te suksesi”, – deklaroi Arvizu.
Zv.ministri i Transporteve
Manjani: Numri i qarqeve duhet përgjysmuar
Zv.ministri i Transporteve, Ylli Manjani, e konsideroi reformën territoriale të vonuar, duke pohuar njëkohësisht se kriteri kyç i saj është Shqipëria funksionale. “Kriteri më i përshtatshëm është kriteri i Shqipërisë funksionale, që do të thotë njerëzit kanë zgjedhur të jetojnë në një vend të caktuar, zgjedhin ose janë të detyruar të zgjedhin vendin ku punojnë, ashtu siç kanë dhe vendin ku marrin shërbimet publike. Pra, si ta bëjmë territorin e Shqipërisë sa më funksional, që t’u shërbejë nevojave të njerëzve”, – tha ai për “Ora news”. Më tej, nënkryetari i LSI-së theksoi se reforma territoriale duhet shoqëruar edhe më tkurrje të numrit të ndarjeve rajonale. “Shqipëria duhet riorganizuar edhe në kuptimin rajonal, pasi 12 qarqe janë shumë. Direktiva, disa direktiva ku më kryesorja është direktiva e ujit të BE, tenton ta akumolojë të gjithë zhvillimin rreth baseneve ujore. Shqipëria sot ka 6 basene të njohura, por nuk ka 12 që të kishim 12 rajone apo qarqe. Ndoshta numri 6, 5, 4 mund të ishte një numër më përfaqësues”, – u shpreh zv.ministri i Transporteve, Ylli Manjani.
Takimi
Rama darkon tre orë me Topin, bashkëpunim i mundshëm PS-FRD
Kryeministri Edi Rama darkoi dje mbrëma me kryetarin e FRD-së Bamir Topi në një nga lokalet në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” pranë selisë së Kuvendit të Shqipërisë. I shoqëruar në këtë takim nga nga zëvendëskryeministri Niko Peleshi e ndërsa Topi shoqërohej nga dy eksponentët e FRD-së Sali Shehu dhe Daut Gumeni, mësohet se në qendër të diskutimit tek restoranti “ Il gusto” ka qenë një bashkëpunim mes dy palëve. Po ashtu gjatë darkës me bashkëbiseduesit, e nisur që nga ora 20:00 e mbrëmjes deri rreth orës 23:00, është bashkuar edhe deputeti i PS-së Taulant Balla. Takimi mes palëve vjen kur kanë nisur diskutimet për reformën territoriale dhe mes pozitës dhe opozitës parlamentare ende nuk ka një konsensus. Pritet që FRD të jetë një nga partitë joparlamentare që do të paraqesë propozimet e saj për reformën territoriale dhe do të ketë mbështetjen e PS-së. Bashkëpunimi PS-FRD është përfolur që pas zgjedhjeve parlamentare të 23 Qershorit, ndërsa u konkretizua me një bashkëpunim rajonal përsa i takon zgjedhjeve të parakohshme të zhvilluara për Bashkinë e Korcës.




