Florenc Drizari
PD, Vorpsi: Qëkur ka ardhur në pushtet, kjo qeveri ka krijuar dhe nxitur një klimë agresiviteti ndaj opozitës
Ish-kryeministri Sali Berisha e quan një akt terrorist ngjarjen e ndodhur dje në qytetin e Pogradecit, ku dera e shtëpisë e kreut të PD-së u shpërthye me granatë. Me anë të një komenti të bërë në rrjetin social “Facebook”, Berisha thotë se atentati ndodh në kohën kur në Shqipëri është rritur klima e urrejtjes ndaj opozitës nga Kryeministri Rama dhe qeveria e tij. Gjithashtu z. Berisha i bën thirrje autoriteteve të shtetit që të hetojnë në mënyrë të pavarur ngjarjen dhe të vënë përballë drejtësisë autorin/autorët.
Berisha
“Shpërthimi i fuqishëm i granatës shkaktoi tronditje shokuese te fëmijet dhe bashkëshortja e z Luan Lipo dhe banorët përreth. Ky shpërthim shokues i stampës terroristë ndodh në klimën e urrjetjes që mbjell çdo orë dhe çdo ditë ndaj opozitës dhe drejtuesve të saj kryekreu Edi Rama. Ai dëshmon lidhjet e fuqishme të Ramës dhe qeverisë Rama – Meta me krimin, lidhje që qendrojnë në themel të degradimit më shpejtësi të rendit publik dhe sigurisë në vend, rritjes marramendëse të kriminalitetit dhe trafiqeve kriminale.
Duke shprehur solidaritetin tim të plotë me kryetarin e PD Luan Lipo, fëmijët dhe familjen e tij dhe me të gjithë demokratët e Pogradecit dhe dënuar me ashpersine më të madhe këtë akt terrorist, bëj thirrje organeve të drejtësisë të bëjnë çdo gjë për hetim të paanshem dhe vendosjen para ligjit të autorëve dhe organizatorëve të ketij akti tejet të rëndë”,- ka shkruar ish-kryeministri Berisha në “Facebook”.
Vorpsi
Ndërkaq, në lidhje me ngjarjen e djeshme, ka reaguar edhe Partia Demokratike. Me anë të një deklarate për mediat, zëdhënësja e PD-së, Laura Vorpsi dënoi dje “aktin kriminal ndaj kryetarit të Partisë Demokratike në Pogradec, Luan Lipo dhe i kërkon policisë dhe drejtësisë të veprojnë me shpejtësi për të zbardhur ngjarjen e kapur autorët”.
Vorpsi tha se “Partia Demokratike e konsideron shpërthimin e granatës në derën e shtëpisë së kryetarit të PD-së së Pogradecit, ku e gjithë familja e tij ishte prezent, si shenjë të pasigurisë së madhe publike, të rritjes së kriminalitetit në vend, dhe të lehtësisë me të cilën goditen përfaqësuesit e opozitës.
Partia Demokratike është në krah të z. Lipo dhe të familjarëve të tij, që janë tronditur jashtë mase nga kjo ngjarje e rëndë. Qëkur ka ardhur në pushtet, kjo qeveri ka krijuar dhe nxitur një klimë agresiviteti ndaj opozitës. Kërcënime në parlament, dhe dhunë shtetërore e kriminale ka pasur vazhdimisht në këto muaj ndaj demokratëve, zyrtarëve dhe përfaqësuesve të Partisë Demokratike. I bëjmë thirrje qeverisë të heqë dorë nga skenari i kërcënimit të kundërshtarit poltik, pasi ky është një skenar me pasoja të rënda për vendin. I bëjmë thirrje Prokurorisë dhe organeve të drejtësisë të reagojnë shpejt dhe me forcë, për të vënë para përgjegjësisë autorët e ketij akti kriminal ndaj kryetarit të degës së Partisë Demokratike në Pogradec, dhe familjes se tij”,- deklaroi zëdhënësja e PD-së.
Atentat me granatë kreut të PD-së, Luan Lipo në Pogradec
Një shpërthim i fuqishëm me granatë u shënua dje në derën e apartamentit të kreut të degës së Partisë Demokratike në qytetin e Pogradecit, Luan Lipo. Shënjestër ka qenë apartamenti në katin e parë të pallatit në lagjen nr. 5, në pronësi të Lipos. Granata ëshëhedhur nga persona ende të panjohur, ndërsa dëmet kanë qenë vetëm në materiale. Familja Lipo ka qenë në gjumë në ato momente dhe pjesët metalike nuk depërtuan deri në dhomën e gjumit. Vetë Lipo ka mohuar të ketë konflikte dhe deklaroi se dyshon se sulmi ka motive politike. Policia njoftoi se ka nisur hetimet, shoqëroi 20 persona të njohur si kontigjente krimi. Ngjarja hetohet në dy pista, atë të sulmit për shkak të detyrës dhe konfliktet e Lipos si Topograf dhe Vlerësues i Pasurive të Paluajtshme në qytetin e Pogradecit, profesion që kryente prej vitesh, i licencuar edhe nga institucionet.
Policia vendore tha se ngjarja ka ndodhur rreth orës 24:00, në lagjen numër 5 Pogradec, vendi i quajtur “Përroi i Çaprazit”. Shpërthimi ka alarmuar banorët dhe familjen Lipo që ishte shënjestër. Menjëherë është formuar grupi hetimor dhe nga kryerja e veprimeve të para hetimore ka rezultuar se persona të paidentifikuar ende kanë hedhur një granatë dore, sulmuese, në afërsi të banesës së Lipos, te dera e jashtme. “Nga shpërthimi ka pasur dëme të vogla materiale, u dëmtua dera hyrëse e banesës”, thanë burime zyrtare. Në cilësinë e provës u sekuestrua “mashka siguruese” dhe pjesë të trupit të granatës. Ngjarja po hetohet si “shkatërrim i pronës me eksploziv”’ dhe “prodhim dhe shitje i armëve dhe municionit luftarak”.
Luan Lipo
Luan Lipo tha dje për mediat se ai nuk ka konflikte dhe shkak është vetëm detyra. “Nuk kam probleme dhe përplasje me askënd. Dyshoj se sulmi ka motive politike, pasi unë jam kreu i PD-së lokale të Pogradecit”, tha Lipo. Policia njoftoi se ka kryer shoqërimin e 20 personave që kanë dijeni ose janë përplasur me kreun e PD-së kohët e fundit dhe persona të njohur si kontigjente krimi. Ngjarja hetohet si sulm për shkak të detyrës si funksionar politik. Por për policinë po konsiderohet edhe pista e konflikteve për shkak të profesionit si Topograf dhe Vlerësues i Pasurive të Paluajtshme, që ka të bëjë me vlerësimin e trojeve dhe matjen e tyre.
PD: Trukimet e Tahirit, nuk e mbulojne bilancin real te krimit
Deputeti i PD-së Arben Ristani reagoi pas statistikave të publikuara tre ditë më parë nga ministri i Mbrojtjes Sajmir Tahiri, lidhur me shifrat e kriminalitetit të vend. Sipas deputetit të opozitës,
Ministri gënjen dhe sëbashku me Kryeministrin përpiqet t’i mbushin mendjen popullit se reforma e tyre në policinë e shtetit po e kthen këtë të fundit në institucion demokratik, transparent dhe në gjendje të parandalojë dhe luftojë krimin.
“Gënjen veten Ministri dhe Kryeministri i tij, kur përpiqen ti mbushin mendjen popullit se treguesit e kriminalitetit janë në rënie dhe për këtë flasin vetëm për muajin dhjetor dhe vetëm për natën e ndërrimit të viteve duke dhënë vetëm përqindje të pa lexueshme për të fshehur të vërtetën.
Partia Demokratike thekson se kjo përpjekje, nuk e mbulon dot realitetin që po jetojmë cdo ditë, ku bombat dhe minat me telekomandë, rasti më i fundit kundër Kryetarit të PD, Pogradec, grabitjet, vjedhjet, aksidentet, dhe pasiguria e jetës janë shtuar ndjeshëm”,- deklaroi deputeti Ristani.
Duke përmedur disa statistika, Ristani tha se të dhënat tregojnë manipulime me të vërtetën.
“Heroinë e sekuestruar në shtator – nëntor 2012 – 33 kilogram, në kohën e lavdishme të Tahirit 8 kilogram ose 4 herë më pak.
Aksidente me pasojë vdekjen shtator – nëntor 2012 – 57, në kohën e lavdishme të Tahirit 83.
Aksidente gjithsej, shtator – nëntor 2012 – 398, kundrejt 530 të ndodhura në kohën e lavdishme të ministrit Tahiri.
3 vrasje të pazbuluara në periudhën shtator – nëntor 2012 kundrejt 7 të pazbuluarave në kohën e Ministrit Tahiri.
8 aksione të përbashkëta të kryera me organizatat policore partnere ndërkombëtare, kundrejt 0 të kryera në kohën e Ministrit Tahiri”,- deklaroi deputeti i Partisë Demokratike, Arben Ristani.




