Reagimi / Rritja e numrit të azilkërkuesve, Gjebrea: Nuk ka rrezik për kthim të vizave

azilkerkuesit

Zëvendësministrja e Brendshme, Elona Gjebrea, deklaron se për momentin nuk ka rrezik për kthimin e vizave, por shton se Shqipëria është në monitorim. Nëse do të ketë një rritje të trendit atëherë do të merren masa. “Është e vërtetë që është krijuar një shqetësim sa i takon numrit të azilkërkuesve. Ne jemi duke e ndjekur, kemi marrë një plan masash. Kemi arrestime të personave që janë kapur duke përdorur dokumente të falsifikuara. I bëj apel shtetasve shqiptarë të mos rrezikojnë lëvizjen e lirë në BE. Nëse do kërkoni azil do refuzoheni. Nuk ka rrezik për momentin por jemi të monitoruar. Nëse do shikojnë se ka një trend atëherë do të merren masa” tha zv.ministrja Gjebrea sot paradite në aktivitetin e organizuar në Tiranë për çeljen e javës kundër trafikut të qenieve njerëzore. Gjatë kësaj jave do të zhvillohen një sërë aktivitetesh, ndërsa një konferencë e zgjeruar që do të zhvillohet në Vlorë do të mbyllë javën kundër trafikut të qenieve njerëzore. Nga të dhënat rezulton se nga shtatori i vitit 2013 në Prokurori janë dërguar 60 referime, për “Trafikim i personave të rritur” dhe “Trafikimi i të miturve”. 58 prej tyre janë kryer në Prokuroritë e Rretheve për “Shfrytëzim i prostitucionit”. Ndërsa gjatë këtij viti janë dhënë 7 vendime nga Gjykata e Krimeve të Rënda dhe janë dënuar gjithsej 10 persona. Një vit më parë vetëm 1 dënim ishte dhënë për këto vepra kriminale që lidhen me trafikimin”. Në një raport të bërë publik në BBC Europe, Komisioni Evropian thotë se 30 mijë njerëz, janë regjistruar si viktima të trafikimit të qenieve njerëzore, në 28 vendet e BE-së, në tre vite 2010- 1013. 80 % e viktimave ishin gra dhe 69 % e të trafikuarve kanë qenë viktima të shfrytëzimit seksual. Më shumë se 1,000 fëmijë viktima janë trafikuar për shfrytëzim seksual, ku 2/3 e viktimave ishin qytetarë të BE-së.

 

 

Tiranë

Parandalimi i aksidenteve, arrestohen 10 persona pa patentë dhe të dehur

Nga ana e Komisariatit te Qarkullimit Rrugor Tiranë, grupi i Task Forcë, gjatë një nisme të zhvilluar për parandalimin e aksidenteve dhe qarkullimin normal te mjeteve në qytetin e Tiranës, sot me datë 18.10.2014 rreth orëve të para të mëngjesit të djeshëm, është bërë arrestimi i 10 shtetasve. Konkretisht shtetasit Vangjel Goga, Florind Tafa, Festim Kuqo, Genci Lumani, Arjan Ballcaj, Ernest Kupa, Mentor Koldashi, Bukurosh Halilaj, Doniad Deme dhe Genti Muzhaqi. Këta shtetas kane qene ne ndikimin e alkoolit dhe përdorimit të mjetit në gjendje te dehur, si dhe disa drejtues mjetesh qe drejtonin mjetet pa leje drejtimi. Gjithashtu këta shtetas u arrestuan për veprën penale “Drejtimi i automjeteve ne gjendje te dehur apo pa dëshmi”, parashikuar nga neni 291 i Kodit Penal.

 

Raporti

Lufta ndaj kriminalitetit, bëhen publike shifrat e një viti

Ministria e Brendshme ka publikuar dje treguesit krahasimorë të luftës kundër kriminalitetit përgjatë 1 viti të punës së saj për periudhën 16 shtator 2013-15 shtator 2014 duke e krahasuar me periudhën 16 shtator 2012-15 shtator 2013. Në cilët evidentohen arritje në luftën kundër drogës, shkeljeve rrugore, korrupsionit, luftës kundër krimit ekonomik, apo edhe ndërtimeve pa leje.

 

E vetmja pikë në të cilën nuk shënohet arritje është shkatërrimi i pronës me eksploziv, ku ka pasur 2 raste më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më parë. Në raportin krahasimor vërehet se për periudhën 16 shtator 2013-15 shtator 2014 ka pasur 79 raste të shkatërrimit të pronës me eksploziv, ndërsa në periudhën 16 shtator 2012-15 shtator 2013 ka pasur 77 raste. Treguesi krahasimor i Ministrisë së Brendshme vlerëson gjithashtu edhe arritje në fushën kundër krimeve fizike, ku evidentohen 17 % vrasje (120 të tilla) dhe 12 persona të plagosur më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë. Ndërkohë që edhe vjedhje me armë ka pasur më pak duke u ulur me 42%. Në lidhje me rastet e korrupsionit, Ministria e Brendshme bën të ditur se janë zbuluar 64% më tepër raste, 658 të tilla krahasuar me 401 raste për të njëjtën periudhë. Ndërsa janë hetuar 83% më shumë persona. Janë 16% më pak rastet me vdekje gjatë periudhës 16 shtator 2013-15 shtator 2014 krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më parë. Gjatë kësaj periudhe kanë humbur jetën 259 persona nga aksidentet, ndërsa një vit më parë numri i viktimave ka qenë 309. Ndërkohë Ministria e Brendshme bën të ditur gjithashtu se ka pasur edhe një rritje të masave administrative ndaj shkelësve të rregullave të qarkullimit rrugor duke vendosur 67% më tepër masa administrative dhe duke arrestuar 2322 persona për përdorim pijesh alkoolike, apo pa leje drejtimi. Gjithashtu, Ministria e Brendshme njofton se është rritur me 15 herë më tepër numri i procedimeve penale për ndërtimet pa leje. Duke vënë kështu përpara përgjegjësisë 1491 persona, ndërkohë që në të njëjtën periudhë ishin proceduar penalisht vetëm 94 shkelës. Gjatë periudhës krahasimore, Ministria e Brendshme bën të ditur se janë sekuestruar 111 % më shumë vlera të aseteve kriminale për pastrimin e parave. Ndërkohë që bën të ditur se janë zbuluar 76% më tepër vepra kriminale ekonomiko-financiare. Gjithashtu janë sekuestruar, 375% më shumë pasuri të cilat dyshohen se janë vënë nëpërmjet krimeve të ndryshme.

 

 

 

 

 

 

Share it :