Gëzim Saliu
Kreu i PD-së: Statusin ua lamë gati, arbitrariteti dhe paligjshmëria ushqyen fuqishëm skeptikët
Kryeministri: Kompromis mes arritjeve të Shqipërisë dhe ngërçit të brendshëm jashtë Shqipërisë
Vendimi i marrë nga Këshilli i Ministrave të Jashtëm të BE-së për refuzimin e dhënies së statusit të vendit kandidat për Shqipërinë dhe shtyrjen e tij me 6 muaj u cilësua dje nga kreu i opozitës, Lulzim Basha, si përgjegjësi e qeverisë dhe personalisht e Kryeministrit Edi Rama. Në një konferencë nga selia blu, kreu i PD-së tha se statusi ishte gati që vitin e kaluar, por Partia Socialiste, sipas tij, si në opozitë, me mosvotimin e tri ligjeve, ashtu edhe në mazhorancë, me vendimet arbitrare kundër shtetit ligjor, shkelmoi marrjen e statusit kandidat. “Ne u përfshimë në një përpjekje të vazhdueshme për marrjen e statusit me partnerët tanë. Bëmë gjithçka kur ishim në qeveri dhe gjithçka mundëm kur dolëm në opozitë, por suksesi në synime të tilla kërkon doemos qeverinë, ku duket qartë ku është problemi. Asgjë e re nuk ka ndodhur në këtë kohë në Shqipëri, veçse qeveria. Shtyrja e statusit është përgjegjësi e saj, vepër e saj. Kjo qeveri dhe Rama personalisht, përmes arbitraritetit dhe paligjshmërisë, goditjeve të institucioneve të pavarura, shkatërrimit të policisë së shtetit, spastrimet në administratë zhbëri dhe kanë ushqyer fuqishëm skeptikët dhe kanë kthyer në skeptikë fuqitë e mëdha evropiane që deri dje ishin të hapur dhe pozitivë në dhënien e statusit”, – tha Basha. Në këtë kontekst, kreu i PD-së bëri të ditur ecurinë e procesit për marrjen e statusit, ku nënvizoi angazhimin e qartë të të djathtëve si në qeveri ashtu edhe në opozitë. “Shqipëria ishte gati që vitin e kaluar, por siç dihet, statusi u shty për shkak të bllokimit të 3 ligjeve të famshme nga PS-ja në opozitë. Në maj të këtij viti, 3 ligjet u votuan dhe rruga u hap. Në qershor PD zhvilloi zgjedhjet më të mira dhe kreu kalimin demokratik të pushtetit në duart e ish-opozitës së majtë duke përmbushur një kriter të hershëm të funksionimit të demokracisë dhe duke fuqizuar marrjen e statusit. Nuk kishte më asnjë pengesë, asnjë arsye për të mos na e dhënë. Si qershia mbi tortë erdhi edhe progres-raporti në tetor të këtij viti. Komisioni njohu faktin se përkundrejt krizës, Shqipëria ruajti stabilitetin makroekonomik dhe rritjen ekonomike. Koalicioni Rama-Meta nuk i mbeti gjë veçse të shkonin të merrnin statusin. Ky ishte realiteti kur ata erdhën në qeverisje, aq më tepër që PD kur doli në opozitë, përcaktoi politikën “Po” pa kushte ndaj integrimit në përgjithësi”. Në fund të reagimit të tij, duke theksuar se PD shpreson se shtyrja e statusit do të përjetohet si një dush i ftohtë nga shumica PS-LSI, Basha pohoi se ëndrra evropiane e shqiptarëve nuk mund të ndalet, përtej lajmeve të këqija nga qeveria.
Rama
Ndërkohë, Kryeministri Rama, i gjendur në Azerbajxhan, e komentoi vendimin e marrë nga Këshilli i Ministrave të BE-së në rrjetin social “Facebook”, ku theksoi se pavarësisht refuzimit, Brukseli vlerësoi punën e qeverisë. “Kompromis mes arritjeve të Shqipërisë dhe ngërçit të brendshëm jashtë Shqipërisë. Vlerësohet lart puna e qeverisë, po vendimi në qershor!”, – shkruante Rama. Në të njëjtën linjë edhe ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, i cili shoqëronte Kryeministrin në vizitën e tij në Baku, përmes “Twitter”-it theksoi: “Shtyrja e vendimit për statusin e vendit kandidat nuk ndihmon Shqipërinë as në rajon! Të angazhuar për të vazhduar me procesin e reformës!”
Reagimet e të djathtëve
Berisha: Revanshi antishtet i qeverisë, arsyeja kryesore e refuzimit
Ish-kryeministri i vendit, Sali Berisha, ka reaguar dje për vendimin e Këshillit të Ministrave të BE-së, duke theksuar se shkaku kryesor për refuzimin e statusit për Shqipërinë ishte revanshi antishtet, antikushtetues dhe antiligjor i qeverisë “Rama-Meta”. “Nje analize me thelle do behet, por eshte e qarte si drita e diellit se per Evropen kreu aktual i ekzekutivit Edi Rama eshte politikani i vetem i kontinentit qe: Kur do vendosej per firmosjen e Marreveshjes se Stabilizim Asociimit futi ne Parlament 3 muaj bilbila, dajre dhe trumpeta per bllokimin e firmosjes se saj; kur iu paraqit Presidences çeke ne prill te vitit 2008 kerkesa jone per hapjen e procesit te anetaresimit te Shqiperise ne BE. Z. Rama kundershtoi dhe e denoncoi si nje akt elektoral; pas zgjedhjeve te vitit 2009 kur do vendosej nga Keshilli i Ministrave te BE per dhenien Shqiperise te Pyetesorit prej 2284 dhe mbi 2000 nenpyetjeve per te provuar aftesite e Shqiperise ne procesin e integrimit Edi Rama bojkotoi per 6 muaj Parlamentin; kur do vendosej hapja e procesit per dhenien e vizave per Shqiptaret ne maj te vitit 2010, Edi Rama nisi para kryeministrise greven e urise per bllokimin e tij dhe me pas organizoi protesta ne mbare vendin nen moton “hap kutite te çliroj vizat” dhe loboi me deputete albanofob ne Bruksel per bllokimi e procesit; kur Komisioni Europian rekomandoji ne tetor te vitit 2012 statusin e vendit kandidat per Shqiperine me kushtin e vetem qe te votoheshin tre ligje ne Parlament, per te cilat ishte arritur konsensusi qe ne janar te atij viti, Edi Rama refuzoi votimin e tyre deri me 30 maj te vitit 2013 vetem e vetem qe te bllokonte statusin e vendit kandidat”, shkruante Berisha. Në këtë kontekst, ish-kreu i ekzekutivit theksoi se shkaku i vërtetë i refuzimit të statusit të vendit kandidat ka në themel:Revanshin antishtet, antikushtetues, antiligjor te qeverise Rama-Meta; Ndryshimin e Kushtetutes, ligjeve te vendit dhe vendimit te gjykatave me vendimet e qeverise Rama-Meta dhe vrapin drejt shtetit policor; Luften e eger kunder Presidences, KLD, Gjykatave dhe institucioneve te pavarura; Gijotinen politike te qeverise Rama-Meta ndaj administrates publike: Emerimet kleptokratike antiligjore ne drejtim te agjencive te ndryshme te vendit”.
Topalli: Berisha ua la gati, të majtët bllokuan për herë të tretë statusin
Ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, akuzoi Kryeministrin e vendit, Edi Rama, dhe kreun e Kuvendit, Ilir Meta, për bllokimin e statusit për të tretën herë. Në një reagim në “Facebook”, deputetja e PD-së, Topalli, u shpreh se Shqipëria mbeti sërish pa status, edhe pse ish-kryeministri Berisha dhe qeveria e tij e la gati atë. “Pa status! Berisha ia la gati statusin! Por pas shtatorit pame me zë e figurë se si Rama Meta blejnë votën edhe me 2000 lekë (E njëjta gjë ka ndodhur edhe me 23 qershor)! Demontimi i ligjit, revanshi i papërmbajtur, spastrimi i administratës, shkelja e Kushtetutës, shkatërrimi i shtetit ligjor, rrokullisja e ekonomisë, arroganca dhe arbitrariteti i dyshes Rama-Meta bllokuan për të tretën herë statusin! Rama nuk e donte statusin, se kjo i shtonte kontrollin shokëve të qeverisë! Tani të ruajmë vizat!”, – shkruante Topalli.




