Sonja Caka
Deklarata: I dënuar me 25 vite burg, i kishin mbetur vetëm 6 vjet e 2 muaj burg. Dje ishte duke u kthyer në burg, kishte përfituar edhe herë të tjera leje
Astrit Gjepali, i akuzuari si kreu i bandës “Gjepali” dhe i dënuar me 25 vite burg për vrasje, ishte duke u kthyer në burg në momentin kur i është bërë atentat. Fakti konfirmohet nga burime zyrtare nga burgjet, sipas të cilave, i dënuari kishte përfituar leje shpërblyese 7-ditore dhe duhej të kthehej dje në mesditë sërish në burgun e Peqinit. Disa orë pas krimit, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka reaguar zyrtarisht dhe ka dhënë detaje lidhur me të dënuarin Astrit Gjepali, i ekzekutuar para se të mbërrinte në burg.
Reagimi
“Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve bën të ditur se i dënuari Astrit Gjepali, 45 vjeç, i martuar, vendlindja dhe banimi Durrës, vuante dënimin prej 25 vitesh heqje lirie. Gjepali ishte sistemuar në IEVP Peqin, siguri e zakonshme, me vendim gjykate të dhënë në vitin 2001, dënuar në bazë të nenit 78, 278 dhe 230 të Kodit Penal. Atij i kishin mbetur rreth edhe 6 vjet e 2 muaj dënim për të kryer. Duke filluar që nga viti 2012, këtij të dënuari i janë dhënë leje shpërblyese konform të gjitha rregullave, bazuar në udhëzimin e ministrit të Drejtësisë në lidhje me procedurën e dhënies së lejeve ndaj personave të burgosur. Leja shpërblyese aktuale e të dënuarit Gjepali ka nisur më datë 9.1.2014, ora 13:30 dhe përfundonte sot, datë 16.1.2014, ora 13:30, pra gjithsej 7 ditë leje”, – përfundon njoftimin zyrtar Drejtoria e Burgjeve. Sipas të njëjtave burime, Gjepali kishte dy vjet që kishte përfituar të drejtën për leje shpërblyese. Atij i kishin ngelur vetëm 6 vite dhe dy muaj burg për të shlyer pasi kishte përfituar ulje dënimi. Nga Drejtoria e Burgjeve bëhet me dije se viktima nuk kishte ndonjë konflikt të fortë me ndonjë nga të dënuarit e tjerë brenda burgut.
Kur jepen lejet shpërblyese
Në bazë të ligjit, të dënuarve, të cilët respektojnë rregulloren e brendshme të institucionit, kanë sjellje të mirë dhe nuk paraqesin rrezikshmëri shoqërore, për realizimin e interesave të tyre emocionale, personale, ekonomike dhe kulturore, drejtori i institucionit mund t’u japë leje shpërblyese, kohëzgjatja e të cilave, në total, nuk mund të jetë më shumë se 20 ditë në vit. Për të dënuarit e mitur, kohëzgjatja e lejeve shpërblyese nuk mund të jetë më shumë se 20 ditë për çdo rast të dhënies së saj dhe, në total, nuk mund të jetë më shumë se 45 ditë në vit. Lejet shpërblyese janë pjesë e trajtimit rehabilitues dhe zbatimi i tyre ndiqet nga punonjësit e shërbimit përkatës.
Leja shpërblyese u jepet:
a) personave të dënuar deri në 3 vjet burgim, pasi të kenë vuajtur jo më pak se 1/4 e dënimit;
b) personave të dënuar nga 3 deri në 10 vjet burgim, pasi të kenë vuajtur jo më pak se 1/2 e dënimit;
c) personave të dënuar mbi 10 vjet burgim, pasi të kenë vuajtur jo më pak se 2/3 e dënimit.




