Sindikata e Policisë ka reaguar pas një urdhri të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë që sipas saj i nxjerr nga zyrat e Komisariatit numër 1, ku kanë qenë vendosur prej 4 vitesh. Nuk dihet motivi i këtij urdhri, po sipas njoftimit të Sindikatës shkëput totalisht marrëdhëniet me Sindikatën e Policisë, pa negociuar për ambiente të tjera pune, siç parashikohet në urdhrin e mëparshëm të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë prej më shumë se katër vitesh. Sindikata i ka renditur Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, rastet e shkeljeve sipas saj të kontratave të punës për mosinformimin nga punëdhënësi për të gjitha problemet e marrëdhënieve të punës së punonjësve, largimet, transferimet dhe pranimet në polici si dhe dhënia e masave disiplinore, apo mospërfshirja e sindikatës në për hartimin e draftit të ligjit për Policinë e Shtetit. Më tej Sindikata e Policisë ka theksuar se nuk ka qenë pjesë e grupeve që do të ishin pjesë e hartimit të draftit. Me anë të një deklaratë drejtuar mediave, Sindikata shprehet se: “Sindikata e punonjësve të policisë, prej disa kohësh po përpiqet të bindë drejtuesit e policisë dhe të Ministrisë së Brendshme për të komunikuar në rrugë institucionale për përmbushjen e detyrimeve të veta në bazë të Statutit dhe Kontratës Kolektive të Punës. Për të realizuar këto detyrime të punëdhënësit, Sindikata i është drejtuar në të gjitha rastet me kërkesa Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, ministrit të Brendshëm, por deri më sot, të gjitha këto kanë rënë në vesh të shurdhër. Fakti që këto probleme janë ngritur deri në nivel të strukturave sindikaliste europiane e bën urgjent reagimin e institucioneve përkatëse që kanë detyrime ligjore që të bashkëpunojnë për të gjitha problemet e ngritura nga sindikata”.
Reagimi
“Fakti që ne si Sindikatë nuk na është dhënë e drejta të marrim pjesë me përfaqësuesit tanë në grupet për hartimin e draftit të ligjit për Policinë e Shtetit si dhe largimin dhe transferimin nga detyra të disa drejtuesve të sindikatës, tregon se këto veprime nuk janë të rastësishme. Vetë ndryshimet që i janë bërë ligjit të Policisë së Shtetit, në kapitullin për marrëdhëniet e punëdhënësit me sindikatat, bie ndesh me të drejtat që kanë qenë të fituara me ligjin e mëparshëm dhe në këto kushte kemi të bëjmë me një hap prapa për të drejtat e punonjësve të policisë dhe organizimit sindikal”, – theksohet në deklaratën e Sadetin Fishtës, kreut të kësaj Sindikate. Më tej Sindikata e Policisë thekson se dy strukturat ndërkombëtare, që janë të atashuara pranë Policisë së Shtetit, PAMECA IV dhe ICITAP, nuk duhet të kishin dhënë pëlqimin e tyre për ligjin e ri të policisë, pa u konsultuar me Sindikatën. “Këtyre dy strukturave u lutemi gjithashtu që të këshillojnë drejtuesit e policisë dhe të Ministrisë së Brendshme për t’i rikthyer ambientet e punës Sindikatës së Punonjësve të Policisë së Shtetit, me ato kushte siç kanë ambientet e veta (PAMECA IV, ICITAP dhe OSBE), pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë. Lidhur me shqetësimin tonë ka reaguar edhe Nënkryetari i OJF-ve pranë Këshillit të Europës, Gerard GRENERON, i cili njëkohësisht është sekretar i përgjithshëm i Sindikatës Europiane të Policisë (CESP), duke kërkuar reagimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe Ministrit të Brendshëm. Ai u është drejtuar me një letër Z. Tahiri dhe Z. Didi, prej të cilëve kërkon zgjidhje për situatën e krijuar me sindikatën e policisë (bashkëngjitur do të gjeni dy letrat e tij origjinale). Sindikata e Punonjësve të Policisë së Shtetit është e përgatitur të mbrojë të drejtat e veta dhe të anëtarëve të saj me të gjitha mjetet demokratike që parashikon ligji dhe Kushtetuta”, – përfundon Sadetin Fishta, kryetari i Sindikatës së Policisë.




