Raportimi/ SPAK në pritje të “momentit të duhur” për Ballukun

Kreu i SPAK Klodian Braho mbajti një tjetër qëndrim të vagullt, as mish, as peshk për mundësinë që SPAK t’i kërkojë sërish Kuvendit arrestimin e Belinda Ballukut.“Mbase në një moment të mëvonshëm prokuroria në vijim të hetimeve mund të ketë një vendimmarrje përkatëse”, tha kreu i SPAK pas interesimit të deputetëve të opozitës se si po vijon hetimi për ish-zv.kryeministren.

Problemi është se kjo përgjigje vjen vetëm 12 ditë pasi vetë Braho pranoi se mungesa e një mase sigurie “e vështirëson një hetim dhe e dëmton atë”. Pra, sipas drejtuesit të SPAK, hetimi dëmtohet, por institucioni që ai drejton vazhdon të presë.

Raportimi/ SPAK në pritje të “momentit të duhur”

KREU I SPAK, KLODIAN BRAHO DUKE RAPORTUAR NË KOMISIONIN PËR NISMA QYTETARE NË KRYESINË E KUVENDIT

Duhet kujtuar se SPAK nuk është më përballë të njëjtës dosje që Partia Socialiste rrëzoi në Kuvend në mars. Argumenti kryesor i Edi Ramës për votën kundër në kuvend ishte se Balluku nuk akuzohej për korrupsion dhe se, pas largimit nga funksionet ekzekutive, nuk mund të prishte provat. Tashmë ish-numri dy i qeverisë po hetohet edhe për korrupsion dhe pastrim parash, ndërsa nga dosja e re kanë dalë detaje për një vilë të dyshuar si të fshehur përmes personave të tjerë.

Askush nuk mund të parashikojë se çfarë do të provojë SPAK në fund të hetimeve, por rëndimi i akuzave e bën gjithnjë e më tepër dyshuese zvarritjen e Klodian Brahos. Nëse mungesa e masës dëmton hetimin, siç thotë ai vetë, çfarë po pret SPAK?

Share it :