Raporti i KiE-së/ “Mazhoranca, jo reforma me forcë kartoni, opozita në Kuvend. Politizim i shërbimit civil”

Gëzim Saliu

 KiE: Pavarësia në sistemin gjyqësor s’është siguruar, nevoja për reforma urgjente konsensuale gjithëpërfshirëse, zbatim i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Shqipëria sërish në monitorim

ke 2Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës pohon se vendi, pavarësisht prej progresit të arritur me kulm marrjen e statusit të vendit kandidat, ka ende probleme të theksuara në fushën e demokracisë, shtetit të së drejtës dhe të drejtave të njeriut. Në raportin për Shqipërinë të miratuar dy ditë më parë, KiE theksonte se ndër çështjet që vazhdojnë të mbetet shqetësuese, janë ato që kanë lidhje me institucionet e shërbimit civil, pavarësinë e gjyqësorit dhe korrupsionin. Asambleja, në rezolutën e saj, kërkon që të respektohet roli kushtetues ‎i opozitës në Parlament dhe që mazhoranca të mos përdorë shumicën e saj të cilësuar të votave për të anashkaluar opozitën. Në këtë kontekst, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës kërkoi që reformat e rëndësishme si ajo e gjyqësorit, e pushtetit vendor, reforma zgjedhore, ajo e medias dhe ligje të tjera me rëndësi, të kryhen me konsensusin e opozitës. Megjithatë, KiE nënvizon se bashkëpunimi mes opozitës dhe mazhorancës, nuk mund të bëhet i ligjshëm vetëm me rregulla procedurale, por për të nevojitet një ndryshim në sjellje dhe një kulturë bashkëpunimi, bazuar në vlerat demokratike dhe kulturore. Ndërkaq, KiE kërkoi që opozita të ndërpresë bojkotin e Kuvendit e të komisioneve parlamentare.

 

Pikat kryesore të raportit

Në raportin e KiE-së vihet në dukje shtyrja e zbatimit të ligjit për shërbimin civil, e cila mundëson zbatimin e rregullave të rrepta për punësim në bazë të meritokracisë. “Moszbatimi i ligjit dhe ndryshimet e personelit në një shkallë të madhe, janë tregues për politizimin e shërbimit civil dhe përpjekjeve për ta sjellë atë nën kontrollin e një partie”. Nga ana tjetër, Asambleja shprehu shqetësimin se pavarësisht reformave të shumta, pavarësia dhe paanshmëria në sistemin gjyqësor nuk është siguruar mjaftueshëm dhe se sistemi vazhdon të jetë nën presionin politik. Në raport theksohet nevoja për reforma urgjente konsensuale gjithëpërfshirëse duke përfshirë këtu edhe ndryshime në Kushtetutë, për të siguruar pavarësinë e sistemit gjyqësor gjë që cilësohet prioritet për autoritetet shqiptare. Po ashtu, KiE ka shprehur shqetësimin për përhapjen e gjerë të korrupsionit në të gjitha nivelet e gjyqësorit gjë që sipas saj, çon në dëmtimin e paanshmërisë dhe efikasitetin e këtij institucioni. Në këtë kontekst, Asambleja iu bën thirrje autoriteteve të reformojnë Gjykatën e Lartë dhe Këshillin e Lartë të Drejtësisë në të njëjtën vijë me rekomandimet e komisionit të Venecias. “Asambleja i bën thirrje gjithashtu autoriteteve të zbatojë plotësisht vendimet e Gjykatës Kushtetuese, por edhe gjykatave të tjera”. Më tej në raport sa i takon korrupsionit, nënvizohet se pavarësisht një rritjeje në prokurori, treguesit më të shumtë janë që korrupsioni vitet e fundit në vend që të ulët, është rritur, çfarë tregon se masat dhe strategjitë për ta luftuar atë, kanë arritur rezultate të pakta. Në mbyllje të rezolutës, pavarësisht arritjeve të bëra në këto pesë vjet në përmbushjen e detyrimeve si shtet anëtar, duke marrë në konsideratë shqetësimet në lidhje me paanshmërinë e institucioneve demokratike dhe shërbimit civil, pavarësinë e gjyqësorit, luftën ndaj korrupsionit dhe probleme të tjera të ngritura, Asam‎bleja vendosi të vazhdojë ta mbajë Shqipërinë nën monitorim.

 

 Legalizimet/ PD: Procesi është frenuar, s’ka asnjë dosje të re. Rama po shemb ndërtimet me leje

Partia Demokratike reagoi dje pas takimit që zhvilloi dy ditë më parë Kryeministri Rama me punonjësit e ALUIZNI-t, ku tha se procesi i legalizimeve që prej shpërndarjes së tapive në Kamëz është frenuar. Edhe në këtë rast, sipas deputetes demokrate Jorida Tabaku, kemi të bëjmë me një mashtrim, pasi tapitë e shpërndara nga kreu i qeverisë në atë takim kanë qenë të përgatitura nga administrata e kaluar e PD-së. “Edi Rama vazhdon të prodhojë seri të reja të rrenës së vjetër për legalizim falas. Dalja e djeshme e Kryeministrit nuk është e shkëputur nga arkivat siç mund të dukej, por është një provokim cinik mbi atë që nuk po ndodh sot e gjithë ditën, mbi mashtrimin e tij të madh të legalizimit falas. Për kujtesën e të gjithëve, po transmetojmë firmën që ai hodhi në Kamëz, megagënjeshtrën e legalizimit falas. Që nga ajo ditë, asnjë legalizim nuk është bërë falas. Legalizimet janë frenuar. Edi Rama nuk ka bërë asnjë dosje të re. Ato që shpërndan me regji qendrore janë praktika të bëra gati nga administrata e mëparshme”, – tha Tabaku. Më tej, ligjvënësja demokrate pohoi se që prej takimit të Kamëz, Kryeministri po bën të kundërtën e legalizimit falas, duke shembur ndërtimet e ligjshme të shqiptarëve. “Nuk ka tallje më të madhe për shqiptarët, se krekosja e tij mbi gërmadha e mbi dëshpërimin e qytetarëve, e sikur të mos mjaftojë kjo të dalë e të vërë gishtin mbi plagë, duke ua kujtuar edhe një herë, se ai ka gënjyer për legalizimin falas. Jo vetëm ka gënjyer, por gënjen e gënjen, pa ndalim. Por siç thotë proverbi, Edi Rama do t’i ketë vërtet këmbët e shkurtra”, – përfundoi deputetja e PD-së Tabaku. Ndërkaq në takimin e zhvilluar me punonjësit e ALUIZNI-t, kreu i qeverisë theksoi se nuk do të ketë proces legalizimi për ata që kanë zënë trotuaret dhe zaptuesit e territorit për qëllime përfitimi. Nga ana tjetër ai premtoi legalizim falas për banesat e përdorura për strehim, por theksoi se nuk do të legalizohet asnjë ndërtesë e ngritur për qëllime fitimi buzë rrugës apo në ambiente të tjera publike.

 

Share it :