
Misioni i Guardia di Finanza ka raportuar dje rezultatet e monitorimit nga ajri të parcelave me kanabis në të gjithë vendin. Të dhënat u interpretuan edhe nga ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili tha se gjatë këtij viti ka më pak hektarë të raportuar me kanabis sativa. Por një shifër e tillë “suksesi” del pasi ministri krahason shifrat e vitit 2016 me vitin 2013 dhe jo me 2015.
“Sipërfaqja e monitoruar në 2016 është 506 hektarë, prej të cilave 213 të kultivuara me kanabis. Në 2013, sipërfaqja e monitoruar ishte 361 hektarë, prej të cilave 323 hektarë të kultivuara (nga të cilat 319 ishin në Lazarat)”, shkroi Tahiri bashkëngjitur me një tabelë me rezultatet e monitorit të Guardia di Finanza nga viti 2012 deri në 2016. Por, ndryshe nga sa pretendon ministri Tahiri se këtë vit ka pak kanabis se tre vite më parë, nëse bëhet një krahasim i shifrave me 2015, del se përgjatë këtij viti është mbjellë 169 hektarë më shumë kanabis sativa. Kështu, sipas raportit në vitin 2015 janë raportuar 44.7 hektarë tokë e kultivuar me kanabis. Ndërsa gjatë këtij viti nga monitorimi nga muaji qershor deri në shtator, janë raportuar 213.4 hektarë sipërfaqe e mbjellë me lëndë narkotike. Pra, nga krahasimi i shifrave del se gjatë këtij viti janë mbjellë 169 hektarë tokë më shumë me hashash se sa vitin e kaluar. Ndërsa në vitin 2013, me cilin bën krahasimin ministri Tahiri, zonat e kultivuara me kanabis kanë qenë 323 hektarë. Ndërkaq, sa i përket shifrave të shkatërrimit të parcelave me kanabis, pavarësisht rritjes së sipërfaqeve me 169 hektarë. Është shkatërruar vetëm 2 për qind më shumë përgjatë këtij viti. Kështu, në vitin 2015 Policia e Shtetit ka shkatërruar 99.6 për qind të parcelave me kanabis, ndërsa gjatë këtij viti 99.8 për qind.
Bima vietnameze
Ndryshe nga vitet e tjera, përgjatë këtij viti është përdorur në masë bima vietnameze e kanabisit. Ashtu siç ka raportuar më parë Partia Demokratike, kjo bimë është përdorur në masë pasi në një hark kohor prej 45 ditësh, kjo bimë është gati për t’u korrur. Pra, duke qenë së zhvillohet shumë shpejtë, kjo fazë mund të mbillet më shumë se një herë gjatë një sezoni. Ky fakt u konfirmua dje edhe nga drejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako, bazuar në rezultatet e monitorimit të Guardia di Finanza. Kreu i Policisë theksoi dje gjatë një konference për mediat se kanabisi vietnamez është gjetur në 70% të parcelave. “Ka trend kultivimi në zonat e mbyllura dhe me afat më të shkurtër rritje. Identifikimi i një bime të quajtur vietnameze që është gjetur në 70% të parcelave. Është hartuar një plan veprimi kombëtar për të parandaluar mbjelljen e drogës në vend. “Është konstatuar një numër i lartë fluturimesh me avion për misionin. Është monitoruar një sipërfaqe më e madhe e kanabisit në krahasim me të shkuarën. Bima e konstatuar, ka një cikël nga 18 deri në 45 ditë, por ndërhyrjet e policisë kanë qenë të menjëhershme, kështu që edhe kostot e misionit të fluturimeve kanë qenë të larta”, theksoi drejtori i Policisë së Shtetit. Kreu i Policisë së Shtetit theksoi se strukturat e policisë janë trajnuar ku prezent kanë qenë edhe përfaqësues të Prokurorisë së Përgjithshme. Gjatë konferencës, koloneli i Guardia di Finanza, shefi i zyrës së veprimeve, Joselino Minutto, dha detaje të operacionit të monitorimit të territorit shqiptar.




