Kreu i qeverisë, Rama, ndryshe nga të mërkurat e zakonshme kur mbledh ministrat në ndërtesën e Kryeministrisë, vendosi që t’i mblidhte dje në vilën qeveritare në Dajt. Kjo mbledhje e zhvilluar për të dytën herë në këtë vend, ku e para u mbajt gjatë analizës së punës së qeverisë për 300-ditëshin, kishte në qendër të saj analizën e sesionit që sapo u mbyll në Parlament. Ky takim vjen para pushimeve që pritet të marrin ministrat në verë si edhe në parapritë të ndryshimeve të mundshme të qeverisë në vjeshtë. Ndërkaq, në mbledhjen disaorëshe në Dajt mësohet se Rama ka folur lidhur me reformat e arritura në këtë sesion, duke vlerësuar atë të arsimit. Po ashtu, në qendër të takimit ishin edhe prioritetet për sesionin e ardhshëm parlamentar, ku ndër reformat më të rëndësishme që pritet të ndërmerret do të jetë ajo në sistemin e drejtësisë. Në këtë kontekst, mësohet se Rama ka vënë theksin tek domosdoshmëria e kryerjes së kësaj reforme, e cila, sipas tij, do të jetë një hap i madh në kuadër të plotësimit të aspiratës së qeverisë për hapjen e negociatave me BE-në në këtë fundvit.
Mbledhja
Ndonëse ishte parashikuar në axhendë që mbledhja të niste në orën 11:00, Kryeministri Rama dhe ministrat e qeverisë mbërritën në ambientet e vilës qeveritare thuajse 1 orë me vonesë. Ashtu si edhe në mbledhjet e tjera, Rama ka ruajtur traditën e dyerve mbyllura, ku media nuk është lejuar të ndjekë zhvillimin e punimeve të mbledhjes. Në këtë mbledhje disaorëshe, në qendër të vëmendjes ishte analiza e punës së çdo ministri. Sipas burimeve pranë Kryeministrisë, në mbledhje u bë një analizë e projektligjeve të rëndësishme të kaluara në mbyllje të këtij sesioni parlamentar. Por krahas analizës së punës së kryer në këtë sesion parlamentar nga ministrat, në diskutim në mbledhjen në Dajt ishin edhe propozimet e reja ligjore që do të paraqiten në sesionin e ardhshëm. Burimet bënë të ditur se është diskutuar edhe për reformat dhe ligjet që e presin qeverinë nga muaji shtator, duke nisur nga përmbyllja e kryereformës, asaj në drejtësi, ligjin e dekriminalizimit dhe përmbushjen e prioriteteve, në mënyrë qe Shqipëria të kërkojë brenda vjeshtës çeljen e negociatave për anëtarësim në BE.





