Radika Zbardhet projekti, devijimi i rrjedhës së lumit rreth 67 milionë euro

Florenc Drizari

Inxhinieri i Komunës Dibër e Madhe, Reshat Qorrmehmeti: Prurja vjetore natyrale e lumit Radika është 25-30 m3/s. Nga kjo sasi 9.5 m3/s merren që nga viti 1953 dhe me projektin e Lukovës 2.5 m3/s do të merren me projektin e Luko poles dhe gati-gati ky shtrat do të jetë i tharë. Një devijim me 70 për qind e kësaj dege është bërë njëherë që në 1973-shin. Ky devijim që kërkohet të bëhet, është destinuar për në grykën e lumit Vardar.

 

 

lumi radika (1) Projekti i qeverisë së Maqedonisë për ndërtimin e një kapaciteti hidroenergjetik në lokalitetin Fusha e Lukovës në Dibër ka shkaktuar shumë polemika ditët e fundit në opinionin e vendas si dhe në Shqipëri. Projekti i propozuar për Fushën e Lukovës është i vendosur brenda Parkut Kombëtar të Mavrovës dhe pretendohet se do të ndërtohet në një zonë të klasifikuar, ku Banka Botërore do të jetë si kreditues kryesor, por pas kundërshtimit të fortë të banorëve përfaqësuesve lokal të Komunës Dibër në Maqedoni, duket se projekti ka mbetur vetëm në letër.

Edhe pse ky plan konsiderohet si projektide nga pala maqedonase dhe shoqëria ELEM, në të parashikohet që një pjesë e ujit të Radikës në vend të përfundojë në Lumin Drini i Zi, përmes sistemit të kanaleve dhe më pas të derdhen në lumin Vardar, përkatësisht në detin Egje përmes Greqisë.

Fillimisht, për projektin duket se ka vite që punohet, por përfaqësues të pushtetit lokal të Komunës Dibër e Madhe theksojnë se janë njohur me draftin në muajt e fundit të 2013-ës. Edhe pse nga pala maqedonase nuk i është dorëzuar një projekt i përfunduar në mënyrë zyrtare, ata theksojnë se e kanë kundërshtuar atë sapo janë njohur. Duke folur për gazetën “Standard”, zyrtarët e Komunës thanë se projekti nuk parashikonte asnjë investim për Dibrën dhe komunitetin përreth. Sipas tyre, kjo nuk ishte e vetmja arsye se për të refuzuar projektin në fjalë, por dëmtimi që i sjell devijimi i ujërave të Radikës, shkakton shumë dëme në këtë zonë si në turizëm ashtu edhe në florën dhe faunën e vendit.

 

Reshat Qorrmehmeti

 

Inxhinieri i Mjedisit për Mbrojtjen e Biodiversitetit në Komunën Dibër (të Madhe) në Maqedoni theksoi në një prononcim për gazetën se sjell shumë pasoja negative për banorët vendas dhe zonën përreth.

Projekti për devijimin e lumit Radika është ende një projektime, sipas inxhinierit të Komunës, dhe kap një kosto financiare prej 67 milionë eurosh. Përtej faktit se z. Qorrmehmeti kundërshton projektin në fjalë, ai thotë se të njëjtin mendim ndan edhe popullsia vendase. Duke na shpjeguar në detaje për lumin Radika, ai thotë se rrjedha e këtij lumi vjen kryesisht nga malet e Sharrit dhe furnizohet me ujë me pjesën lindore të Korabit.

“Prurja vjetore natyrale e lumit Radika është 25-30 m3/s. Nga kjo sasi 9.5 m3/s merren që nga viti 1953 dhe me projektin e Lukovës 2.5 m3/s do të merren me projektin e Luko poles dhe gati-gati ky shtrat do të jetë i tharë. Një devijim me 70 për qind e kësaj dege është bërë një herë që në 1973-shin. Ky devijim që kërkohet të bëhet është destinuar për në grykën e lumit Vardar.

Duke folur për një tjetër projekt të komunës, inxhinieri Qorrmehmeti thotë se “projekti maqedonas parashikon tharjen e lumit të Radikës, devijimin e degëve të saj nga shtrati i Radikës në shtratin e Vardarit. “Kjo do të thotë që ky lum do të thahet. Një ndër pasojat më të mëdha është edhe mosrealizimi i projektit “Fusha e Dibrës”, që ne llogarisim të vadisim rreth 4 ha. Reka e vogël, është një degë e lumit të Radikës, e cila është e vetmja rrjedhje që do të mbetet pas devijimit të projektit. Nga dega e Rekës e në veri nuk do të derdhen më degë të lumit të Radikës, por ato do të derdhen në lumin Vardar”, – thekson ai.

Përtej qëndrimeve politike dhe shqetësimeve të banorëve e të zgjedhurve komunalë të zonës për çështjen e devijimit të lumit Radika, për specialistët shqiptarë ulen edhe më shumë prurjet e ujit në kaskadat hidroenergjetike në lumin Drin.

 

 

Goce Lubinovski: Shkatërrohet biodiversiteti në gjithë grykën e lumit Radika

 Projekti i palës maqedonase për të ndryshuar rrjedhën e lumit Radika nga rrjedha natyrale në lumin Drin i Bardhë dhe më tej në territorin shqiptar, për në lumin Vardar e më pas drejt detit Egje, kundërshtohet edhe nga përfaqësuesit e popullsisë maqedonase në zonën e Dibrës së Madhe. Aktivisti i Shoqatës së Ambientalistëve në Maqedoni, Goce Lubinovski, tha dje nga vendi ku bashkohen degët e lumit Radika se ndryshimi i rrjedhës do të sjellë pasoja negative për zonën. Ai i renditi ato në katër pika. “Lumi Radika ka ujë të pijshëm të kategorisë së parë. Shkatërrohet biodiversiteti në të gjithë grykën e lumit Radika. Zhdukja e troftës së Radikës që gjendet vetëm në këtë lum. Po kështu edhe reqebulla në këtë park rrezikon të zhduket. Dëmtimi i ujërave të pastra në liqenin e Dibrës dhe shkatërrimi i pastërtisë i lumit që është një vend shumë turistik që kjo zonë ka shumë përparësi”, – theksoi Goce Lubinovski.

 

 

 

Drejtorja e BB-së në Maqedoni: Ka projekt për lumin Radika, do të konsultohemi në vazhdim

 Drejtorja e BB-së në Maqedoni, gjatë një interviste të dhënë për “Koka.mk”, sqaroi se ekspertët e saj kanë qenë në kontakt me palën maqedonase për projektin e devijimit të lumit Radika dhe për këtë çështje do të vijohet të mbahen kontakte. Sipas Tatiana Proskuryakova-s, banorët vendas dhe përfaqësues të pushtetit lokal, kanë shprehur shqetësime për këtë projekt gjë që ka çuar në një rishikim më të kujdesshëm të projektit.

“Banka Botërore është takuar me organizatat lokale dhe ndërkombëtare të shoqërisë civile gjatë disa viteve të fundit për të diskutuar shqyrtimin tonë rreth projektit “Fusha e Lukovës”. Ne do të vazhdojmë të takohemi me të gjithë aktorët e interesuar gjatë shqyrtimit tonë të projektit. Konsultimi i ardhshëm publik do të mbahet në muajt në vijim për të diskutuar propozim vlerësimin për ndikimin mjedisor si dhe të ndikimit social. Banka Botërore nuk e mbështet zhvillimin hidroenergjetik në zonat ekologjikisht të mbrojtura. Edhe pse projekti i propozuar për Fushën e Lukovës është e vendosur brenda Parkut Kombëtar të Mavrovës, ajo do të ndërtohet në një zonë të klasifikuar si zona e përdorimit të qëndrueshëm dhe jo në zonën e mbrojtjes strikte. Asetet hidroenergjetike kanë funksionuar në këtë fushë që nga viti 1957. Mbështetja e ardhshme e Bankës Botërore është në varësi të projektit i cili duhej projektuar ashtu që të përjashton zonat e mbrojtura. Për shembull, punimet në Luginën e Projfelit ishin të përjashtuara nga projekti i propozuar edhe atë në mënyrë specifike, për të akomoduar një zonë të mbrojtur”, – ka theksuar drejtorja e BB në Maqedoni.

Share it :