QSUT Pas 46 vitesh vdes shqiptari i parë nga malaria

Ridvan Katija, 29 vjeç, kishte punuar për 6 muaj rresht në Guinenë e Re

 Çfarë është malaria ose, siç quhet ndryshe, sëmundja e vdekjes

 

 

spital_0Që nga viti 1967 asnjë shqiptar nuk kishte vdekur nga sëmundja e malaries. Këto janë të dhënat që jep Ministria e Shëndetësisë, e cila tashmë duhet të marrë parasysh rastin e 2013-ës. Ridvan Katija, 29 vjeç, ka humbur jetën dy ditë më parë nga sëmundja e malaries. Ai Ishte rikthyer në Shqipëri për festat e fundvitit dhe sëmundja ishte pikasur nga mjekët e Vlorës, kur morën vesh që ai kishte punuar për disa muaj në Afrikë. Që nga muaji maj, Ridvan Katija punonte në Guinenë e Re, pasi kishte lidhur kontrate me një firmë, e cila çonte punëtorë në Afrikë. Sipas mjekëve që janë marrë me pacientin, rasti është i izoluar dhe janë marrë të gjitha masat mbrojtëse që asnjë mjek apo infermier të merrte sëmundjen nga pacienti. Rasti i parë me malarie në vend u zbulua në vitin 2009 dhe i infektuar ishte një shtetas britanik që punonte në Tiranë dhe që e kishte importuar virusin nga vendet e Afrikës.

 

Rasti i Vlorës

Një vit më parë, tre të rinj kishin punuar për disa muaj në Afrikë, kur u rikthyen në Vlorë u diagnostikuan me sëmundjen e malaries. Sëmundja që shkakton vdekjen, u zbulua pasi personat e infektuar me të u paraqitën në spitalin e Vlorës me simptoma, si temperaturë e lartë dhe ethe. Fillimisht, simptomat kanë qenë konfuze për mjekët, por deklaratat e njëjta të pacientëve se ata kishin rreth tre muaj që ishin kthyer nga Afrika e Jugut, kanë bërë që sëmundja të diagnostikohej shumë shpejt. Mjekët e Vlorës në atë kohë pohuan se nuk kemi të bëjmë me një infektim masiv dhe se rastet janë të izoluara. Pacientët me temperaturë të lartë dhe ethe na pohuan se kishin rreth 3 muaj që ishin kthyer nga Afrika e Jugut.

 

Çfarë është malaria

Malaria është një infeksion i shkaktuar nga parazitë njëqelizorë, të cilët hyjnë në gjak nëpërmjet ngacmimit nga mushkonja e malaries. Këta parazitë mund të shfaqen në pesë specie të ndryshme. Një pjesë e këtyre parazitëve kalojnë kohë në jetën e njeriut të infektuar e disa të tjerë në trupin e mushkonjës së malaries. Në trupin e njeriut ato përqendrohen në mëlçi dhe tek rruazat e kuqe të gjakut. Pasi hyn në gjak ky parazit, fillojnë të shfaqen simptomat e para të malaries. Dëmtimet që sjell kjo sëmundje janë vdekjeprurëse. Simptomat e para shfaqen brenda pak javësh nga pickimi i mushkonjës së malaries. Kundër sëmundjes së malaries janë bërë përparime. Në vitin 2005, shkencëtarët njoftuan për sukses në luftën kundër mushkonjës anofele dhe parazitëve të malaries, ndërsa një vaksinë eksperimentale e provuar në Mozambik, po ofron imunizimin e parë të suksesshëm kundër kësaj sëmundjeje.

Malaria vazhdon të prekë vendet e varfra, duke shkaktuar çdo vit vdekjen e 1 milion vetave. Nga malaria rezultojnë të prekur rreth 500 milionë njerëz në botë dhe rreth 2 milionë të vdekur çdo vit. Kjo është një sëmundje tropikale. Simptomat që shfaq sëmundja e malaries janë: temperaturë e lartë, lodhje, dhimbje koke, dhimbje muskujsh, çrregullime në aparatin tretës, të vjella, ndjesi të fikëti etj.

 

 

 

Emigrantët shqiptarë në Itali me Kartë Sociale

Edhe imigrantët komunitarë dhe jokomunitarë titullarë të një lejeje qëndrimi CE për qëndrues afatgjatë, e njohur ndryshe si kartë qëndrimi, kanë të drejtën e Kartës Sociale, apo Social Card. Natyrisht nëse përmbushin kriteret e tjera e parashikuara për italianët. Social Card (që ndryshe quhet edhe karta për blerje) është kartë e parapaguar në të cilën shteti ngarkon 80 euro çdo dy muaj. Këto para mund të shpenzohen për të blerë ushqime, për të paguar barnat dhe faturat e dritave e të gazit. Kjo ndihmë u jepet të moshuarve mbi 65 vjeç ose fëmijëve nën 3 vjeç e në këtë rast titullar është një nga prindërit, që kanë të ardhura familjare të ulëta (ISEE-Tregues të situatës ekonomike ekuivalente nën 6.700 euro në vit). Deri tani u rezervohej shtetasve italianë rezidentë në Itali. Ligji i stabilitetit, që është ligji financiar 2014, i miratuar përfundimisht pasditen e 23 dhjetorit në Senat, parashikon që t’ua shtrijë këtë ndihmë edhe imigrantëve. Teksti i miratuar në Parlament thotë që Social Card u jepet “rezidentëve italianë e komunitarë, ose familjarëve të shtetasve italianë apo komunitarë që nuk kanë rezidencën e një vendi anëtar të BE-së që kanë të drejtën e qëndrimit në Itali, ose shtetasve të huaj jokomunitarë që kanë lejen e qëndrimit në BE për qëndrues afatgjatë”. Për vitin 2014 fondi shtetëror që ushqen këtë formë mbështetjeje ekonomike rritet “me 250 milionë euro”. Ndokush mund të ngrejë zërin duke folur për dhuratë Krishtlindjeje që qeveria u bën imigrantëve në një kohë krize. Nuk është aspak kështu. Edhe këtë radhë imigrantët duhet të falënderojnë Evropën. Në fakt, zgjedhja e qeverisë nuk është një “zemërgjerësi” ndaj imigrantëve, por mënyra për të kapërcyer procedurën e shkeljes të hapur edhe në këtë aspekt nga Brukseli kundër Italisë. shqiptariiitalise.com

Çfarë duhet të hanë personat me anemi?

Anemia relativisht rrallë shfaqet te njerëzit të cilët ushqehen shëndetshëm. Mirëpo, nëse ekziston disbalanca në ushqim ose humbja e gjakut te rastet e hemorroideve të pashëruara ose te gjakderdhjet në traktin digjestiv, është e domosdoshme që të merren ushqime që janë të pasura me hekur. Në ushqimin e përditshëm duhen përdorur mëlçitë, mishi i kuq, peshku, të verdhat e vezëve, pemët e thara, prodhimet e sojës. Rekomandohet përdorimi i qepës së kuqe dhe të bardhë, bizeleve, pemëve nga familja e arrave, fara, perime të gjelbra si dhe majdanoz, hithra, koriandër dhe gjethe të lulequmështit. Ushqimet e pasura me vitaminën C përshpejtojnë absorbimin e hekurit dhe do të ishte e dëshirueshme që gjatë shujtës të pihet një gotë lëng i freskët portokalli të shtrydhur ose të merret nga një tabletë e vitaminës C. Duhet kufizuar konsumimi i spinaqit, sepse ky zvogëlon absorbimin e hekurit. Bakri ndihmon absorbimin e hekurit, ndërsa artikuj të pasur me këtë mineral janë djathi, të verdhët e vesë, frutat e detit, mushkëritë, drithërat integrale, perimet ngjyrë të gjelbër të errët, kajsitë, qershitë dhe fiku i tharë. Çaji, kafeja, kakaoja dhe vera e pengojnë shfrytëzimin e hekurit nga ushqimi. Nëse përdorimi i hekurit përmes ushqimit nuk mjafton, atëherë kalohet te preparatet e hekurit, përdorimin e të cilit e përshkruan mjeku.

 

Share it :