Vonesat në dorëzimin e pasqyrave financiare nga ana e biznesit pranë Qendrës Kombëtare të Regjistrimit kanë shkaktuar shpeshherë “ngërçe”. Mungesa e korrektësisë në zbatimin e ligjit nga QKR-ja vlerësohet si neglizhencë, por që nga ana e institucionit është shoqëruar me tolerime në afatin e dorëzimit. Ndërkohë, QKR ka publikuar njoftimin që vë në dijeni të gjitha subjektet tregtare se:
“Në bazë të ligjit nr. 9723, datë 3.5.2007, “Për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit”, neni 43, pika 3 (a), dhe urdhrit nr. 184, datë 31.12.2013, të ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes “Për regjistrimin dhe depozitimin e bilancit vjetor kontabël”, subjektet duhet të dorëzojnë bilancin vjetor dhe pasqyrat financiare pranë sporteleve të QKR-së, vetëm pas miratimit të tyre nga asambleja e ortakëve/aksionarëve.
Bazuar në VKM nr. 506, datë 1.8.2007 “Për procedurat e regjistrimit dhe të publikimit në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit”, pika 39, aplikimi për depozitimin e bilancit vjetor kontabël pranë regjistrit tregtar, kryhet nga personat e autorizuar, sipas përcaktimit të nenit 26 të ligjit nr. 9723, datë 3.5.2007, “Për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit” dhe nëpërmjet aplikimit të drejtpërdrejtë pranë çdo sporteli shërbimi të QKR-së.
Qendra tërheq vëmendjen se format e depozitimit të bilancit janë: shkresore dhe elektronike (CD).
Biznesi duhet të bëjë kujdes, pasi përveç dorëzimit në CD, duhet të aplikojë pranë sporteleve të shërbimit të QKR-së për të regjistruar tek të dhënat e subjektit:
1. Vendimin e asamblesë së ortakëve/aksionarëve, në rastet kur asambleja e shoqërisë përveç destinimit të fitimit, ka marrë vendim edhe për rritje të kapitalit të shoqërisë. Kjo, në mënyrë që rritja e kapitalit të pasqyrohet në ekstraktin e subjektit.
2. Të gjitha subjektet tregtare në formën e shoqërive aksionare, listën e plotë të aksionarëve të regjistruar me të dhënat e tyre të identifikimit për aksionet nominative si dhe numrin e përgjithshëm të të gjitha aksioneve të saj, në përmbushje të detyrimit ligjor neni 43, pika 4, ligji 9723, datë 3.5.2007 “Për QKR-në”.
Formati elektronik i ruajtjes së bilancit duhet të jetë në PDF, formati elektronik i raportit të auditimit duhet të jetë në formatin PDF, JPG, JPEG ose TIF. Në çdo CD të shkruhen qartë:
– Emri i shoqërisë;
– NUIS i subjektit (NIPT);
– Vendimi i Gjykatës për subjektet që nuk kanë kryer regjistrim fillestar në QKR;
viti ushtrimor.
Gjithashtu çdo CD duhet të përmbajë BILANCIN E VETËM NJË SUBJEKTI TREGTAR.
QKR bën me dije se:
1. Dorëzimi bëhet vetëm duke u paraqitur pranë sporteleve të QKR-së.
2. Dorëzimi i bilancit vjetor dhe pasqyrave financiare pranë sporteleve të QKR-së nuk e përjashton subjektin nga dorëzimi i tyre pranë zyrave të tatim-taksave sipas legjislacionit tatimor.
Ulen ndjeshëm shitjet e smartfonëve
Rritja e shitjeve të smartfonëve në tregjet e zhvilluara është ngadalësuar ndjeshëm ose ka arritur kulmin. Për këtë arsye, kompanitë më të mëdha të këtij tregu si Apple dhe Samsung po përpiqen të zhvendosin fokusin duke bërë kërkime shkencore për t’i ofruar tregut produkte të tjera. Kombinimi midis zotërimit të një smartfoni dhe mungesës së inovacionit të vërtetë do të thotë se shumë pak njerëz kanë nevojë për të blerë një pajisje të re. Për këtë arsye, modelet e fundit që hidhen në treg, janë jo shumë interesante për konsumatorët apo për kompanitë e telekomunikacioneve.
Gjatë këtij viti, shitjet e smartfonëve kanë arritur kulmin në Korenë e Jugut dhe në Japoni, ndërsa në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Evropë rritja po ngadalësohet ndjeshëm. Kjo do të jetë një sfidë e madhe për shitësit me pakicë, pasi të ardhurat do të bien me shpejtësi. Për këtë arsye, parashikohet që vende si Azia dhe Afrika të gjenerojnë pjesën më të madhe të shitjeve të smartfonëve deri në vitin 2020.
Vetëm Kina do të përfaqësojë rreth 1/3 e dërgesave të smartfonëve deri në vitin 2018, duke e bërë atë vendin më të vlefshëm për këtë treg. Gjithashtu, dërgesat do të dyfishohen në vendet si India, Indonezia dhe Rusia. Deri më tani, këto tregje janë dominuar nga smartfonë me kosto të ulët, që operojnë me sistemin operativ Android. Sipas analistëve, ky trend po vërehet edhe në vendet perëndimore, ku një numër i madh i prodhuesve vendas po ofrojnë smartfonë me çmime të ulëta. Në Francë, për shembull, kompania Wiko u është bashkuar markave të lira aziatike si Huawei dhe ZTE.




