Gëzim Saliu
Debat Bylykbashi-Klosi për presionet ndaj administratës për zgjedhje: U thatë se do t’i lini pa punë
Përfaqësimi i qeverisë me një inxhinier projektesh në Komisionin e Ligjeve, ku u diskutua lidhur me terminalin e trageteve të Portit të Durrësit, ka sjellë irritimin e senatorëve të PS-së. Kreu socialist i Komisionit, Fatmir Xhafaj, si edhe deputeti i PS-së, Bashkim Fino, shprehën kritika dje ndaj Ministrisë së Transporteve për nivelin e përfaqësimit, madje duke e cilësuar këtë si një fyerje ndaj deputetëve. Më i ashpër në reagim ishte ish-kryeministri Fino, i cili në shenjë mosmiratimi ndaj përzgjedhjes së Ministrisë vendosi të braktiste punimet e Komisionit.
Debati për përfaqësimin
Kur nisi diskutimi i marrëveshjes për terminalin e trageteve të Portit të Durrësit, në karrigen e të ftuarve të Komisionit u ul një djalë i ri me rolin e inxhinierit të projekteve në Mnistri si edhe asistentet e tij. Kreu i Komisionit, Xhafaj, pasi pa mungesën e ministrit, zv.ministrit apo edhe drejtorit të Përgjithshëm, iu drejtua inxhinierit duke shprehur kritikat ndaj Ministrisë. “Kur njoftoni këtu që duhet të vijë drejtori duhet të vijë drejtori. Niveli i përfaqësimit i Ministrisë lë për të dëshiruar gjithmonë. Nuk kam gjë me ju, por kjo nuk është korrekte. Tani ju lutem vetë prezantohuni se unë këtu kam emër tjetër”, – theksoi Xhafaj, i cili më pas u ndërpre nga deputeti Bashkim Fino që kërkoi fjalën në mbledhje. “Unë kam shumë respekt për veten dhe ulet shumë niveli që të diskutojmë një marrëveshje të rëndësishme me inxhinierë. S’kam gjë me inxhinierin në rastin konkret, por në komisionet parlamentare vijnë ministra, zv.ministra apo drejtorë të Përgjithshëm. Në qoftë se nuk kanë kohë ata, kemi kohë ne dhe i presim të vijnë pasdite. Ky është propozimi im”, – tha fillimisht deputeti socialist. Por në përgjigje ndaj propozimit të ish-kryeministrit socialist, kreu i Komisionit theksoi se ligji duhej të kalonte ditën e djeshme, pasi ishte për miratim seancën e së enjtes. “Epo po qe kështu, bëji ti atëherë me inxhinierin. Gjithë ky Komision këtu, 15 burra dhe nuk vjen dot ministri apo zv.ministri!”, – tha Fino, duke u larguar i revoltuar nga salla e mbledhjes së Komisionit të Ligjeve.
Përplasja për administratën
Në pikën e parë të diskutimit në Komision nuk munguan përplasjet mes mazhorancës dhe opozitës lidhur me presionin politik ndaj administratës. “Përdorimi i administratës dhe presionit që ushtrohet mbi të dhe kërcënimet për largimet nga puna. Dhe personat vihen në presion të plotë thotë raporti i ODIHR-it, pavarësisht asaj që edhe e kemi të faktuar. Persona që mund të marrim në aktivitete të forcave politike kundërshtare mund të humbasin vendin e punës”, – deklaroi Oerd Bylykbashi. Në reagimin e tij ministri i Mirëqenies Sociale, Blendi Klosi, iu përgjigj me ironi deputetit demokrat, duke i kujtuar rezultatin e zgjedhjeve vendore. “Në pjesën më të madhe e ka për rezultatin e zgjedhjeve dhe ai ishte dukshëm në favor të forcës politike. Qytetarët e vlerësuan me votë reformat qeverisëse vlerësuan me votë raportin dhe punësimin”, – tha ai. Ndryshimet e propozuara nga qeveria në Kodin e Punës kanë të bëjnë me luftën kundër informalitetit të punës dhe zbardhjen e vendeve të reja të punës në gjithë sistemin e punësimit në Shqipëri.
Debati në Komision/ Revoltimi i Finos, Xhafaj, inxhinierit të Ministrisë: Herës tjetër kur të vini këtu vishni xhaketë
F.Xhafaj: Kur njoftoni këtu që duhet të vij drejtori duhet të vijë drejtori. Niveli i përfaqësimit i ministrisë lë për të dëshiruar gjithmonë. Nuk kam gjë me ju, por kjo nuk është korrekte. Tani ju lutem vetë prezantohuni se unë këtu kam emër tjetër.
Inxhinieri nis prezantimin………
- Fino: Unë kam shumë respekt për veten dhe ulet shumë niveli që të diskutojmë një marrëveshje të rëndësishme me inxhinierë. Skam gjë me inxhinierin në rastin konkret por në komisionet parlamentare vijnë ministra, zv.ministra apo drejtorë të përgjithshëm. Në qoftë se nuk kanë kohë ata kemi kohë ne dhe i presim të vijnë pasdite. Ky është propozimi im
F.Xhafaj: Po për arsye se…. unë dakord jam me ty, por kjo është për seancën e së enjtes
- Fino: Epo po qe kështu bëji ti atëherë me inxhinierin (çohet nga karrigia për tu larguar nga mbledhja). Gjithë ky komision këtu, 15 burra dhe nuk vjen dot ministri apo zv.ministri
F.Xhafaj në fund të mbledhjes i drejtohet inxhinierit- Herën tjetër kur të vini këtu vishni edhe ndonjë xhaketë!
Batuta në Kuvend për zgjedhjet/ Abazi: Majlinda nuk qenke në zi?! Deputetja e PD-së: S’vdiq njeri. Ruçi: Sadri, fitove ti apo Erioni?
Me nisjen e punës së komisioneve të përhershme parlamentare pas dy javëve pushim, nuk kanë munguar batutat mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës lidhur me rezultatin e zgjedhjeve vendore të 21 qershorit. Në mbledhjen e Komisionit të Integrimit, ishte deputeti socialist Sadri Abazi i cili ngacmoi kryetaren demokrate të këtij komisioni Majlinda Bregun lidhur me zgjedhjet në Tiranë. “Majlinda, nuk qenke në zi ti?”, – tha me jo pak humor Abazi. Në këtë mes nuk mungoi batuta e deputetes së PD-së, që i kujtoi socialistit se në këtë rast nuk kishte vdekur njeri për të mbajtur veshur rroba të zeza. Ndërkaq, pjesë e humorit si rrallë herë u bë edhe kreu i grupit parlamentar të PS-së Gramoz Ruçi, i cili duke iu referuar entuziazmit të deputetit socialist për fitoren e pyeti Abazin nëse ishte ai që kishte fituar në garën e Tiranës apo Veliaj.
Batutat
Sadri Abazi: Majlinda, nuk jeni në zi?
Majlinda Bregu: Pse more Sadri duhet të jem në zi?
Sadri Abazi: Për Halimin pra?
Majlinda Bregu: Halimi është gjallë.
Sadri Abazi: Por keni humb…
Majlinda Bregu: Po pse, po humbi partia jote, vdes ti Sadri?
Gramoz Ruçi: O Sadri, na thuaj a fitove ti apo Erioni?




