Qeveria/ Ndryshon ligji për legalizimet, gati “paketa falas” për ndërtimet informale

Gëzim Saliu

 

 

Shoqata e ndërtuesve, qeverisë: Zhbllokoni lejet e ndërtimit, 300 pallate pa legalizim

 Plani i qeverisë: Apartamentet e mbetura pa shitur t’u jepen familjeve të pastreha

 

Vlora qyteti-2Brenda javës, Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit do të nisë për miratim në qeveri një projektligj, përmes të cilit do të detyrohen institucionet që janë të përfshira në procesin e legalizimeve që të japin në kohë dhe brenda afateve të gjitha informacionet si edhe do të synohet shkurtimi i procedurave. Në tryezën e organizuar dje në Tiranë, ku merrnin pjesë të gjithë aktorët kryesore të procesit të legalizimit, ministrja Gjermeni u shpreh se mosrakordimi i punës mes tre institucioneve kryesore si ALUIZNI, Zyra e Regjistrimit të Pasurive dhe Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ka bërë që ky proces të zvarritet dhe të dëmtohen qytetarët. Nisur nga kjo, ajo bëri të ditur rëndësinë e një ligji të ri për legalizimet, gjë që u mbështet edhe nga kreu i ALUIZNI-t Artan Lame. Sipas tij, faji kryesor në zvarritjen e këtij procesi e kanë institucionet, ku duke marrë një shembull konkret, Lame theksoi se gjyqe të shumta janë të hapura për shkak se ministria e Ekonomisë ka bërë privatizime në një tokë ku ka një pronë në proces legalizimi. Në këtë kontekst, ai bëri të ditur se ndryshimet në ligjin për legalizimet do të jenë në kuadrin e përmirësimit të procesit, rritjen e efikasitetit të zbatimit të tij, si dhe rritjen e cilësisë së shërbimit ndaj qytetarit. Lame tha se po ashtu kërkohet një bashkëpunim për identifikimin e saktë të statusit juridik të pronës. “Statusit juridik i pronës i kërkuar nga ana e ALUIZNI-t nuk vjen në kohë dhe i saktë. Po ashtu kërkohet përmirësimi i cilësisë së të dhënave nëpërmjet unifikimit dhe dixhitalizimit të hartave. Mospërputhja e hartave të AKKP-së me ALUIZNI-n ka sjellë vështirësi dhe në përcaktimin e saktë të vlerës së çmimit të tokës së objektit të konstatuar në terren”. Në këtë kontekst, drejtori i Zyrës së Regjistrimit të Pasurive, Ilirian Muho, tha se janë të panumërta rastet kur ALUIZNI ka kërkuar verifikim për statusin juridik të një prone, por nga ana e ZRPP-ve nuk është kthyer asnjë përgjigje. Ai deklaroi se brenda javës do të vihet në punë sistemi online i shkëmbimit të informacionit për statusin juridik të pronës, projekt ky që do të luajë një rol vendimtar për përshpejtimin e procesit të legalizimit dhe uljen e korrupsionit. Ndërkohë për shpejtimin e procesit të legalizimit, edhe Agjencia e Kthimit dhe kompensimit të pronave, pritet të zbatojë një projekt për krijimin e hartës dixhitale, gjë kjo që u bë e ditur nga drejtore e AKKP-së, Sonila Qato. Nga ana tjetër, ministrja Gjermeni theksoi se është në përfundim paketa ligjore për legalizimet dhe së shpejti do t`i kalojë qeverisë për miratim. “Çështja e legalizimeve një nga premtimet kryesore të qeverisë, kërkojmë mbështetje edhe nga njësitë vendore. Jemi të angazhuar që të mos lejojmë ndërtime pa leje, pasi procesi i legalizimeve nuk do kishte kuptim”.

 

Ndërtuesit

Ndërkohë, ndërtuesit kërkuan zgjidhje sa më të shpejtë për legalizimet e pallateve pasi sipas kreut të shoqatës Maksim Muçi janë 300 pallate të cilat ende nuk kanë marrë asnjë dokument në lidhje me këtë proces edhe pse kanë bërë pagesat e kërkuara. Gjatë një takimi me ministren e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni, ndërtuesit i shprehën shqetësim kryesor, atë të krizës ekonomike që ka prekur sektorin me të rëndësishëm te vendit, si dhe mundësitë për të dalë nga kjo situatë. Ndërtuesit u ndalen edhe tek kërkesa për miratimin dhe zbatimin e një projekti për zhvillimin e zonave bregdetare. Në këtë kuadër, Ministrja nënshkroi protokollin e bashkëpunimit me Shoqatën e Ndërtuesve të Shqipërisë, në të cilin parashikohet një dialog me intensiv lidhur me çështjet që prekin të dy palët, siç është ligji për planifikimin e territorit dhe legalizimin e shtesave pa leje. Pjese e këtij bashkëpunimi është edhe çështja e familjeve të pastreha, ku qeveria ka në plan që apartamentet e mbetura pa shitur, mund t’i jepen familjeve të pastreha, por ky projekt mbetet për t’u zbatuar gradualisht në varësi edhe të buxhetit të qeverisë.

 

 

Hiqet e drejta e kredive të buta për zyrtarët, fondet u kalojnë kategorive në nevojë

Qeveria ka miratuar dje vendimin “Për shfuqizimin e VKM-së nr. 600 “Për trajtimin me strehim të nëpunësve civilë të administratës së lartë shtetërore dhe funksionarëve politikë”. Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit deklaroi se auditimi i kryer nga dikasteri që ajo drejton zbuloi se programi i kredive të lehtësuara për zyrtarët dhe funksionarët politikë u përdor sipas saj për të mbështetur militantët dhe njerëzit me pushtet rreth qeverisë. “Raporti i auditimit të brendshëm të Ministrisë, dëshmoi se zyrtarë kanë përfituar kredi pa plotësuar asnjë lloj kriteri.Konkretisht: Janë akorduar dhe lidhur kredi lehtësuese me nivelin maksimal të përfitimit, duke mos bërë asnjë përllogaritje, janë evidentuar raste të përfitimit të kredive lehtësuese nga 2 programe të strehimit njëkohësisht, janë gjetur raste të trajtimit me kredi për shtëpi të funksionarëve që kanë në pronësi 1 ose 2 shtëpi, zyrtarë të lartë dhe funksionarë politikë kanë përfituar një kredi të dytë për të blerë banesë jashtë vendit të ushtrimit të detyrës, madje dhe në zona turistike”, – tha Gjermeni. Në këtë kontekst, ministrja bëri të ditur se të gjitha materialet që faktojnë shkeljet me kreditë janë dërguar në Prokurori dhe se sipas saj me vendimin e qeverisë nuk do të ketë më trajtim të privilegjuar për zyrtarët e shtetit. “Vendimi i sotëm (i djeshëm) i Këshillit të Ministrave parashikon që fondet e planifikuara në buxhetin e shtetit për zyrtarët, të alokohen në kategoritë e tjera më në nevojë për strehim, siç janë familjet që banojnë në ish pronë të subjekteve të shpronësuara të cilët përfitojnë kredi me 0% interes. Falë vendimit, privilegjet e trajtimit me kredi të buta do të kalojnë nga zyrtarët e lartë të shtetit, tek qytetarët që kanë më shumë nevojë për këtë strehim”, – përfundoi deklaratën e saj ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni.

 

 

Takim me veteranët

Meta: Komision ndërshtetëror për 70-vjetorin e çlirimit

Kryetari i Kuvendit Ilir Meta, zhvilloi dje një takim në zyrat e Komitetit të Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, ku në qendër të diskutimit ishte projekti i krijimit të një komisioni ndërshtetëror për festimin e 70-vjetorit të çlirimit të vendit. Në këtë kontekst, Meta shprehu gjithë vullnetin e tij për të bërë gjithçka për nderimin në mënyrën më të mirë të mundshme të këtij momenti të një rëndësie të veçantë historike. “Respekti i sakrificave të pashembullta të popullit shqiptar gjatë Luftës së Dytë Botërore, rivlerësimi i saj i drejtë dhe historik edhe në emër të unitetit kombëtar, është një detyrë e të gjithëve”, – tha ai. Më tej, Kryetari i Kuvendit ndau dhe diskutoi ide konkrete me përfaqësuesit e Komitetit të Veteranëve për gjithë çfarë mund të programohet në projektin për nderimin e 70 vjetorit të çlirimit dhe kërkoi bashkëpunimin e Komitetit në këtë drejtim. Kryetari i Komitetit të Veteranëve, Rustem Peçi falënderoi për vëmendjen e Metës dhe vizitën e tij në selinë e tyre, ku tha se shpesh punët dhe veprimet e mira e të duhura bëhen pa bujë, por me vullnet të ndershëm. “Nuk ishte takimi ynë i parë dhe natyrisht nuk do të jetë as i fundit. Je gjithmonë i mirëseardhur mes nesh”, – tha Peçi.

 

 

Share it :