Gëzim Saliu
Ministrja Harito: Sisteme online për të kontrolluar kazinotë, na duhen disa muaj
Qeveria ka shpallur 6 mijë adresa ndërkombëtare për bastet online si ilegale dhe u ka kërkuar kompanive të internetit bllokimin e aksesit të tyre në territorin shqiptar. Duke marrë për bazë se urdhri nuk është zbatuar në masë të plotë, ekzekutivi e përkatësisht Ministria e Inovacionit dhe Administratës ka intensifikuar përpjekjet e saj në këtë proces, ku u bë e ditur se brenda 5 muajve do të bëhet i mundur krijimi i një sistemi të qëndrueshëm. “Kemi identifikuar rreth 6000 website bastesh online, që operojnë jashtë territorit të Shqipërisë dhe kanë aktivitet ilegal për Shqipërinë. Operatorëve të aksesit në internet u është kërkuar t’i bllokojnë të gjitha, por meqenëse është manual dhe nuk është i automatizuar kjo kërkon pak kohë. Jo të gjithë e kanë respektuar në maksimum kërkesën tonë”, – tha dje ministrja Milena Harito për “AS”.
Lojërat online
Ministrja e Inovacionit dhe Teknologjisë pohoi se bllokimi i website-ve online të basteve jo vetëm që është një proces i vështirë, por edhe i kushtueshëm. “Këto janë website që qarkullojnë shumë para, kanë shumë mundësira dhe adresat e aksesit të tyre ndryshojnë vazhdimisht. Pra, është një proces që duhet të vazhdojë gjithë kohën, por për fat të keq, ka agjentë ilegalë, në rrugë që ofrojnë këtë mënyrë loje dhe këta vetë kanë aksese specifike”, – deklaroi Harito. Ndërkohë, një tjetër masë që pritet të marrë qeveria, është edhe ajo që lidhet me kontrollin mbi kazinotë, ku pritet edhe një ligj i ri për lojërat e fatit. “Për përdorimin një pjesë e madhe e njerëzve për të luajtur në këto lloj lojërash fati, nuk janë vetëm bastet online jashtë Shqipërisë. Ato do të ndërpriten brenda pak muajsh. Pas 4-5 muajsh do të kemi një sistem të qëndrueshëm. Është një tjetër problem akoma për kazinotë, të cilat duhet të kontrollohen me sistemet online. Është një qasje e përgjithshme dhe automizimi i sistemeve do të marrë disa muaj që ne t’i kemi në kontroll”, – pohoi ministrja. Pak kohë më parë, kreu i qeverisë, Edi Rama, deklaroi se shqiptarët nuk mund të humbasin më para që derdhen jashtë shtetit me baste online në website të huaja. “Shifra që Shqipëria dhe shoqëria jonë humbasin në aventurën e basteve online në destinacione jashtë Shqipërisë brenda 1 viti varion nga 700 deri në 500 milionë dollarë. Shifër e papranueshme dhe formë e papranueshme për një vend evropian”. Ndërkohë, qeveria ka bërë të ditur se do të bëhet dhe një reformë rregullatore sa u përket aktiviteteve të licencuara, duke u bërë thirrje të derdhin detyrimet e prapambetura. Kështu, kompanitë që janë të licencuara jo vetëm që duhet të derdhin të gjitha detyrimet e prapambetura, por duhet të përgatiten për të vepruar sipas ligjit në fuqi që përcakton dhe vendndodhjen e tyre në një distancë të përcaktuar nga shkolla, spitale, banka dhe çfarë tjetër ky ligj ka të përcaktuar. Qeveria po përgatit edhe një strategji daljeje dhe për ata që këtë aktivitet e kanë të licencuar.
Nga janari
Skema e re e legalizimit të banesave
Në vitin 2014 do të ndryshojë skema e vlerësimit të trojeve mbi bazën e ndryshimeve ligjore që do të paraqiten në Këshillin e Ministrave në muajin janar. Gjatë një takimi të zhvilluar dje me drejtorët rajonalë të ALUIZNI-t, ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni, dhe kreu i këtij institucioni, Artan Lame, tha se qeveria është e vendosur të realizojë procesin e legalizimeve falas. “Sot, qytetari i Kukësit që do të bëjë një legalizim duhet të paguajë truallin njëlloj si legalizimi që do bëhet në Tiranë. Përfundimi, askush në Kukës nuk bën legalizim. Zgjidhja që ka gjetur drejtoria deri tani, le të rrinë atje siç kanë qëndruar 8 vjet. Do ta mbyllim këtë duke ndryshuar skemën e vlerësimit të trojeve duke e kategorizuar sipas zonës, vendit, qarkut dhe vlerës që ka”, – tha Lame. Ndërkohë, ministrja Gjermeni bëri të ditur se procesi i ri i legalizimeve do të jetë institucional dhe i mirëkoordinuar. “Plotësojmë ato angazhime që kemi marrë përsipër. Kur themi se ALUIZNI i ka kaluar këta hapa me goxha intensitet dhe në një periudhë të shkurtër, edhe me paketën ligjore që po hartohet, e cila brenda muajit janar do ta paraqesim në Këshillin e Ministrave për t’u miratuar dhe me të gjithë hapat apo planet konkrete të punës për kryerjen e procesit të legalizimit falas”. Ndërkohë, më parë, kreu i ALUIZNI-t ka pohuar se legalizimi falas do të ketë të bëjë me pjesën e dokumentacionit dhe jo me dhënien e tokës falas. “Logjika e legalizimit falas ka qenë dhe është një logjikë që praktikisht nuk e kupton dot. Nuk imagjinohet një gjë e tillë në Evropë, që të jepet toka falas. Ajo që ne kemi këmbëngulur gjatë fushatës dhe është thënë nga Kryeministri, do ta analizojmë më thellë kur t’ju paraqesim platformën se si do të vazhdojë legalizimi”, – ka deklaruar Lame.
Ndihmë për të varfrit
Mesazhet e qytetarëve në fasadën e Kryeministrisë
Fasada e selisë së Kryeministrisë është mbuluar nga mesazhet e urimit për festat e fundvitit të qytetarëve shqiptarëve. Falë projektit “Shqipëria uron, Shqipëria dhuron”, shqiptarët kanë ndarë gëzimin e festave me ata që këto festa i gjejnë në vështirësi dhe në pamundësi. Mesazhet e dërguara në numrin e vënë në dispozicion nga Kryeministria janë shfaqur në mbrëmje me shkronja drite në fasadën e selisë së qeverisë, ndërkohë që fondi i cili do të mblidhet nga sms-të e dërguara do të përdoret për bamirësi. “Muri i Kryeministrisë kthehet çdo natë në “wall” për të lënë mesazhe urimesh në këtë kohë festash. Urimet (përmes numrit 0674067677) do të prodhojnë edhe një fond modest bamirësie. Kështu, një urim për njeriun e zemrës, familjen, miqtë e të afërmit, është edhe një dhuratë për dikë që ka nevojë për dorën e shtrirë të solidaritetit tuaj. Shqipëria dhuron duke uruar, bëje edhe ti, lër mesazhin tënd në një “wall” festash mbi murin e Kryeministrisë”, – shkruante Kryeministri Rama në rrjetin social “Facebook”. Nga ana tjetër, nismën e Kryeministrisë “Shqipëria uron, Shqipëria dhuron” dikush ka menduar të shfrytëzojë edhe për të bërë biznes, ku ka dërguar një njoftim për nxjerrje në shitje të një makine.
Festat
Rama në shtëpinë e Hekuran Dedës
Kryeministri Edi Rama zhvilloi dje një vizitë në familjen e Hekuran Dedës, i cili humbi jetën në demonstratën e 21 Janarit. I shoqëruar nga bashkëshortja Linda Rama, Kryeministri është mirëpritur nga vëllezërit Deda dhe nga e zonja e kësaj shtëpie. Rama i uroi familjarët e Hekuran Dedës për festat e fundvitit dhe u shpërndau fëmijëve të kësaj familjeje edhe disa dhurata simbolike nga ana e tij dhe e bashkëshortes. Ndërkohë, 2 ditë më parë, kreu i qeverisë ishte për urimin e Krishtlindjes në familjen e Aleks Nikës.




