Publikohet ligji, çfarë ndryshon në rregullat për shoqëritë tregtare

????????????????????????????????????????????????Është publikuar në “Fletoren zyrtare” ligji për “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9901, datë 14.4.2008, “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, të ndryshuar.

Ndryshimet synojnë bashkërendimin e masave mbrojtëse për interesat e pronarëve dhe mbrojtjen e palëve të treta në një transaksion tregtar, në rastet e pavlefshmërive të themelimit të shoqërive tregtare, pasojat e pavlefshmërisë për palët e treta në mirëbesim, si dhe përcaktimin e afateve të parashkrimit të padive përkatëse. Direktiva nr. 109 synon përafrimin në lidhje me kërkesat për raportimin dhe dokumentimin në rastin e bashkimit apo të ndarjes së shoqërive tregtare.

Ndryshimet trajtojnë pavlefshmërinë në themelimin e shoqërive tregtare për pasojat e pavlefshmërisë, sidomos për palët e treta në mirëbesim, si dhe për përcaktimin e afateve të përshkrimit të padive përkatëse.

Ndryshimet përafrojnë më tej ndarjen e kompetencave midis organeve të shoqërisë, të drejtat e përfaqësuesve ligjorë dhe mbrojtjen e palëve të treta, që në mirëbesim kanë lidhur marrëdhënie tregtare me shoqëritë.

Gjithashtu ndahet personaliteti juridik i shoqërisë nga personaliteti i ortakëve apo aksionerëve të shoqërisë. Kjo ndarje kufizon rrezikun e përgjegjësive që ortakët apo aksionerët e një shoqërie, qoftë sh.a. apo sh.p.k., mund të ketë në një investim jo rentabël, duke parashikuar se përgjegjësia e tyre personale për detyrimet ndaj shoqërisë tregtare të shtrihet deri në pjesën e pashlyer të kontributeve të nënshkruara.

Përmirësimet e sjella në nenin 4 të projektligjit, ndryshimi i propozuar, parashikojnë për shoqëritë aksionere që çdo marrëveshje, që kërkon miratim pas nenit 13 të ligjit nr. 9901, t’u njoftohet aksionerëve sa më shpejt të jetë e mundur, por jo më vonë se 72 orë ose 3 ditë nga dhënia e miratimit të marrëveshjeve përkatëse nga këshilli i administrimit apo këshilli mbikëqyrës. Vendosja e afatit për këtë njoftim do të ndikojë pozitivisht edhe në rritjen e transparencës së vetë shoqërisë.

Element tjetër i rëndësishëm është që të njësohen të drejtat e minorancës dhe të kreditorëve të shoqërive me përgjegjësi të kufizuar, me ato të parashikuara për shoqëritë aksionere në lidhje me shfuqizimin e vendimeve të parregullta, kur mund t’i marrin administratorët.

Parashikohen shkaqet e prishjes së shoqërisë kur i mbaron kohëzgjatja për të cilën është themeluar, me përfundimin e procedurave të falimentit apo në rast të pamjaftueshmërisë së pasurive për të mbuluar shpenzimet e procedurës së falimentimit në rastet kur objekti bëhet i parealizueshëm për shkak të mosfunksionit të vazhduar të organeve të shoqërisë apo edhe për shkaqe të tjera, që e bëjnë absolutisht të pamundur vazhdimin e veprimtarisë tregtare, si edhe në rastet e pavlefshmërisë së themelimit të shoqërisë apo me vendimin e ortakëve etj.

Ndryshimet parashikojnë ndarjen e kapitalit të një sh.p.k-je sipas numrit të ortakëve dhe të drejtat e votës të lidhura me kuotën e tyre. Parashikohet se administratori në çdo kohë mund të heqë dorë nga detyra e tij, duke njoftuar QKR-në, e cila nuk e regjistron dorëheqjen e administratorit pa pasur një vendim të asamblesë për zëvendësimin e tij.

Ndryshimet hyjnë në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

Koncesioni i kontrollit të kontejnerëve drejt prishjes, kompania kërcënon me dëmshpërblim 359 mln euro

Shteti kërkon avokatë për prishjen e kontratës ndërkohë që Rapiscan kërkon zhdëmtimin në arbitrazhin ndërkombëtar të Vjenës për prishjen e koncesionit të kontejnerëve në shumën 359 milionë dollarë. Qeveria shqiptare ka bërë nul marrëveshjen koncesionare për skanimin e kontejnerëve dhe me 14 gusht 2014 Rapiscan e ka çuar çështjen në gjyq ndërkombëtar. Sipas parashikimeve të kontratës çështja ka shkuar në arbitrazh dhe do gjykohet nga tre arbitra ndërkombëtarë.

Për mbrojtjen ligjore të rastit qeveria shqiptare ka hapur një procedurë konkurruese për marrjen e asistencës së pavarur ligjore për mbrojtjen e kësaj çështjeje.

Prej disa kohësh qeveria e kryeministrit Rama po përpiqet të anulojë disa nga koncesionet e dhëna nga qeveria paraardhëse. Por fakti që kontratat shprehin vullnet dypalësh dhe janë ratifikuar si marrëveshje në Kuvend duke u kthyer në ligje e vështirëson shumë negocimin për anulimin e tyre. Në të gjitha rastet palët e prekura mund t’i drejtohen gjykatës ndërkombëtare të arbitrazhit në Londër, Vjenë, Paris etj., sipas klauzolave të marrëveshjes dhe Shqipëria rrezikon dëmshpërblime të konsiderueshme në rastet e prishjes së njëanshme të koncesioneve. Në një intervistë për VOA ministri i Zhvillimit Ekonomik Arben Ahmetaj deklaroi se prishja e kontratave koncesionare mund t’i shkaktojë buxhetit një kosto prej rreth 300 milionë euro. Në fakt një shumë të përafërt e ka kërkuar vetëm njëri nga koncesionarit, Rapiscan.

Në një njoftim zyrtar Avokatura e Shtetit fton të gjithë subjektet e interesuar të aplikojnë për pjesëmarrje në procesin e dhënies së asistencës dhe përfaqësimit për Ministrinë e Financave/Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave në zhvillimin e procesit të zgjidhjes së mosmarrëveshjes me shoqërinë S2 Albania Sh.p.k. dhe Rapiscan Systems Inc., bazuar në kontratën e koncesionit datë 10 prill 2013, “Për financimin, ngritjen dhe operimin e shërbimit të skanimit të kontejnerëve e automjeteve të tjera në Republikën e Shqipërisë dhe tarifës së shërbimit të skanimit”.

Vlerësohen më së shumti studiot ligjore që kanë eksperiencë në arbitrazhin ndërkombëtar dhe duhet të paraqesë një ofertë me çmim tavan si asistencë ligjore për mbështetjen e Ministrisë së Financave në këtë gjyq ndërkombëtar.

 

 Euroja dobësohet ndjeshëm në tregun vendas

Pasi ka rezistuar për disa muaj, ndryshe nga tendenca e saj në tregjet ndërkombëtare, euroja është dobësuar ndjeshëm në tregun e brendshëm gjatë muajit tetor, duke zbritur nën kuotën e 140 lekëve, ku kishte gjetur një ekuilibër përgjatë këtij viti.

Të premten, një euro u këmbye me 139.13 lekë, duke arritur në nivelin më të ulët në gati tre muaj, që nga fundi I korrikut. Të hënën monedha e përbashkët këmbehej me 139.37 lekë, sipas kursit zyrtar të këmbimit të publikuar nga Banka e Shqipërisë.

Pas rënies së javës së kaluar, dollari ka fituar sërish pikë gjatë kësaj jave në tregun e brendshëm, duke u këmbyer të premten me 109.99 lekë, nga 109.21 që kuotohej në fillim të javës.

Pavarësisht se në bursa euro është këmbyer muajt e fundit pranë nivelit më të ulët në dy vite, si rrjedhojë e shqetësimeve për ecurinë e ekonomisë së eurozonës, në Shqipëri monedha e përbashkët qëndroi relativisht e fortë deri në fund të shtatorit, si rrjedhojë e kërkesës së lartë për të, duke u këmbyer mbi 140 lekë. Tetori solli nënçmim të saj, si rrjedhojë e dobësimit të kërkesës në tregun e brendshëm, sipas aktorëve të tregut.

Në tregjet ndërkombëtare, monedha e përbashkët u këmbye të premten me 1.2658 dollarë. Shqetësimet se Evropa do të kalojë në recesionin e tretë në gjashtë vitet e fundit dhe kërcënimi i deflacionit e kanë mbajtur monedhën e përbashkët të 18 vendeve në nivele të ulëta.

 

 Debitorët dynden në sportele për të paguar energjinë

Dy ditët e fundit abonentët familjare kanë filluar te dynden në sportele për të paguar faturat e prapambetura të energjisë elektrike. Në Elbasan ka pasur rritje të përqindjes së arkëtimeve, megjithëse nga ana tjetër humbjet vazhdojnë te jenë të mëdha. Por banorët ankohen edhe për faturime të padrejta. Edhe në Durrës njerëzit mbajnë radhe për të paguar në kohe faturat për energjinë e konsumuar. Operatori i sistemit te shpërndarjes ka nisur në të gjithë vendin aksionin për ndërprerjen e energjisë atyre qe nuk paguajnë detyrimet apo vjedhin.

Tri ditë më parë Kryeministri Edi Rama lëshoi ultimatumin, duke lënë pesë ditë afat që vjedhësit t’i kthehen rrugës së ligjit dhe të shlyejnë detyrimet.

 

 Gjiknuri në Norvegji, diskutime për investimet në energjetikë

Ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri zhvilloi një vizitë dyditore në Norvegji ku u prit nga ministri i Naftës dhe Energjisë Tord Lien. Në kuadrin e fillimit të procedurave të licencimit të blloqeve të reja të naftës dhe gazit në Shqipëri, ministri norvegjez nënvizoi rëndësinë e kryerjes së studimit gjeosizmik të zonave të pa-eksploruara, për sigurimin e të dhënave të nevojshme, që do të çonin në një shfrytëzim dhe prodhim efektiv të rezervave të naftës dhe gazit.

Gjatë qëndrimit në Norvegji, Gjiknuri takoi edhe përfaqësuesit e kompanisë Statkraft, të cilët thanë se Statkraft është duke ndërtuar 20 hidrocentrale të reja, prej të cilave një nga më të rëndësishmit është projekti shqiptar i Devollit me dy HEC-e në Banjë dhe Moglicë. Projekti i HEC Banjë, me fuqi të instaluar 73 MW pritet të përfundojë në 2016, ndërsa projekti i HEC Moglicë me fuqi të instaluar prej 183 MW pritet të përfundojë në 2018.

 

Share it :