Driçim Çaka
Abuzime edhe me tregtimin e gazit
Pas publikimit të listës së parë me 45 pikat e karburanteve që kishin abuzuar me cilësinë, Inspektorati Qendror Teknik ka bërë publikë emrat e karburanteve që janë gjobitur gjatë muajve shkurt-mars. Në këtë listë janë gjobitur 23 pika, prej të cilave 10 pika nuk kanë pasur në rregull dokumentacionin, ndërsa 13 të tjera kanë pasur në sasi të palejuara përqindjen e squfurit dhe pikën e flakërimit. “Inspektorati Qendror Teknik është i vendosur të zbatojë ligjin duke mos lejuar tregtimin e naftës dhe gazit jashtë standardeve. Inspektorët e IQT kanë vijuar kontrollet në pikat e tregtimit në mbarë vendin ku vetëm në periudhën shkurt-mars 20014, janë gjetur në shkelje të ligjit për tregtimin e naftës dhe gazit rreth 23 subjekte. Si pasojë e mosrespektimit të standardeve, IQT ka penalizuar me gjoba 23 subjektet për të cilat janë lëshuar dhe procesverbalet përkatëse. Sipas Drejtorisë së Inspektimit të Naftës dhe Gazit në IQT, shkeljet e subjekteve konsistonin në treguesit e cilësisë së naftës dhe gazit që janë pika e flakërimit dhe përqindja e squfurit”, – thuhet në një njoftim të Inspektoratit Qendror Teknik. Masa e gjobës së vendosur në këto raste varion nga 70.000 deri në 1.000.000 lekë. Ndërkohë që pikave të karburantit të cilët kishin abuzuar me sasinë që hidhnin në çdo makinë, nuk u është publikuar emri. Prokuroria çoi në Gjykatë vetëm tri pika, duke ngritur padi për pronarët e secilës. Mashtrimi kryhej duke ndërhyrë në pistoletat e naftës dhe benzinës.
6 maji/ Alergjitë dhe astma, mjekët: Vendi, në prag epidemie
Astma dhe sëmundjet alergjike po shtohen çdo ditë në vendin tonë. Mjekët thonë se ka një rritje të lartë të numrit të pacientëve që vuajnë nga këto patologji, ndërkohë që japin alarmin se brenda këtij dhjetëvjeçari mendohet se një në dy persona do të vuajë nga alergjitë. Por më shqetësues është fakti i përhapjes së alergjive të cilat më pas mund të çojnë në sëmundjen e astmës tek moshat pediatrike. ”Gjithnjë e më tepër në ditët e sotme me dhjetëra studime flasin për një rritje të sëmundjeve alergjike në të gjithë botën dhe gjithnjë e më tepër po popullarizohet. Sot 1 në 4 fëmijë vuan nga astma, 10-20% nga dermatiti atopik e rrufa alergjike prek nga 10-40% të popullatës”, – tha Etleva Qirko, mjekë alergologe në QSUT.Këto deklarata u bënë gjatë prezantimit të një studimi mbi alergjitë dhe astmën të mjekëve alergologë, pasi 6 maji njihet si dita botërore e astmës. Sot në botë jetojnë me këtë diagnozë rrethe 300 milionë njerëz. Mënyra e të jetuarit, lagështira, ndotja janë disa nga faktorët kryesorë që nxisin këto patologji të rrezikshme për organizmin e njeriut. Por më problematike për mjekët specialistë është se shpeshherë mjekimet e tyre ndryshojnë nga mjekët e familjes, duke bërë që terapitë për trajtimin e pacientëve të mos jenë të efektshme.
Dëmshpërblimi/ 26 ish-të përndjekurve u është miratuar kësti i radhës
Ministria e Financave ka publikuar emrat më të fundit të ish-të përndjekurve politikë që u është miratuar kësti i radhës. Pagesa do të kryhet për të gjithë trashëgimtarët e ish-të dënuarit politik, trashëgimtarët duhet të dorëzojnë dokumentet e kërkuara sipas dispozitave ligjore në fuqi. Dosjet jo të plota do të lihen për në fund të procesit të pagesës së këstit të parë, qoftë sikur të mungojnë dokumentet e një personi të vetëm përfitues të dëmshpërblimit. Të gjithë trashëgimtarët e ish-të dënuarit duhet të sigurohen pranë bankës në të cilën kanë hapur llogarinë, që llogaria e tyre është aktive. Në rast se llogaria nuk është aktive, shuma e dëmshpërblimit kthehet mbrapsht në buxhet, duke sjellë vonesa dhe ndërlikime të panevojshme.




