Pse Shqipëria kryeson në rajon për çmimin më të lartë të naftës, barra e taksave

Pse Shqipëria kryeson në rajon për çmimin më të lartë të naftës, barra e taksave

Kriza e çmimeve e shkaktuar nga lufta në Lindjen e Mesme nxori sërish në pah faktin se Shqipëria ka çmimet më të larta për naftën dhe për disa nga produktet ushqimore në rajon.

Fillimi i konfliktit krijoi pasiguri te furnizimet, pas bllokimit të ngushticës së Hormuzit, duke sjellë që në ditët e para të luftës rritje të çmimit të naftës në bursat e huaja deri në 20%.

Shtrenjtimi i naftës së importit u reflektua menjëherë në të gjithë tregun e shitjes me pakicë të vendeve të Ballkanit Perëndimor, por Shqipëria rezultoi me çmimet më të larta.

Sipas të dhënave në muajin mars, çmimi mesatar i naftës me pakicë në Shqipëri arriti 200-210 lekë për litër apo 2.1-2.2 euro për litër nga 1.8 euro për litër që çmimi ishte para nisjes së luftës. Krahasuar me muajin shkurt (periudha para luftës), çmimi i pakicës u rrit me 20%.

Në Bosnjë-Hercegovinë, çmimi i naftës në fund të muajit mars arriti 1.7 euro për litër ndërsa në prill, 1.8 euro për litër, nga 1.19 euro për litër që ishte në muajin shkurt, periudha para nisje së luftës dhe 1.32 euro, mesatarja e marsit. Në Bosnjë-Hercegovinë, çmimi i naftës me pakicë për muajin mars në raport me muajin paraardhës u rrit me rreth 43%.

Pas luftës, çmimi i naftës në Serbi arriti 1.78 euro për litër nga 1.69 euro për litër që ishte për muajin shkurt. Rritja në Serbi me 5%.

Në Malin e Zi, çmimi i naftës në muajin mars arriti 1.78 euro për litër nga 1.34 euro për litër që ishte në muajin shkurt. Rritja me rreth 33%.

Në Maqedoninë e Veriut, çmimi i naftës për muajin mars arriti 1.49 euro për litër nga 1.1 euro për litër që ishte në muajin shkurt. Në Maqedoninë e Veriut rritja është me 35.4%.

Në Kosovë, çmimi arriti 1.84 euro për litër nga 1.17 euro për litër që ishte para nisjes së luftës. Në Kosovë, çmimi i naftës me pakicë u rrit me 57%.

Pavarësisht rritjes së çmimeve, është e qartë se krahasuar me rajonin, çmimi i naftës në Shqipëri është deri 61 euro cent më i lartë ose rreth 58 lekë për litër më i shtrenjtë.

Kryetari i Shoqatës së Hidrokarbureve, Luigj Aliaj, thotë se arsyeja kryesore e çmimit të lartë lidhet me taksat që paguhen mbi naftën, që aktualisht janë deri 100 lekë për litër, duke përbërë 50% të çmimit.

Aliaj ka theksuar se e vetmja mënyrë që do të zbuste çmimin është ajo përmes uljes së taksave. Shoqata e Hidrokarbureve propozoi rishikimin e taksës së qarkullimit, niveli i të cilës është 27 lekë për litër. Kërkesa e tyre nuk u mor parasysh nga institucionet përgjegjëse.

Edhe eksperti i ekonomisë, Alban Zusi, rekomandoi ndërhyrje me masa të ngjashme fiskale, ashtu siç po ndodh edhe në shtetet e tjera europiane.

“Duhet të ndërhyhet me masa fiskale dhe me reduktim të taksave. Nëse nga një produkt, qeveria arkëtonte 20 lekë taksa dhe tani po merren 25 lekë, kjo diferencë që krijohet nga rritja e çmimeve duhet të hiqet. Gjithashtu duhet të kalohet në një tarifë fikse për këtë periudhë për karburantet, përfshirë naftën dhe gazin, me qëllim që të ndihmohen industritë vendase që përdorin gaz si lëndë djegëse dhe ato që përdorin naftë për transport.

Duhet të merren masa për të lehtësuar industritë prodhuese që të mos falimentojnë në këtë periudhë krize dhe të shërbejnë si mbështetëse dhe amortizuese të çmimeve. Aty ku shteti po merr taksa më të larta të pamerituara, më shumë sesa është rritur nafta në tregjet e huaja, duhet të kalohet në tarifë fikse. Taksat mbi naftën të mos përbëjnë më 50% të çmimit, por të jenë fikse”, tha Alban Zusi.

Në mungesë të masave fiskale, qeveria riaktivizoi edhe një herë Bordin e Transparencës për Kontrollin e Çmimeve të Hidrokarbureve.

Kontrolli nga Bordi, fokusohet përmes formulës për llogaritjen e çmimit të naftës, e cila është e paracaktuar me të dhëna fikse, përveç çmimit të Platts/fob me të cilën është blerë nafta e përpunuar në bursë. Ky çmim merret si referencë nga tregjet ndërkombëtarë, për blerjen e naftës në bursë, së një dite më parë. Këtij çmimi i shtohet një premio fikse prej 30 dollarësh për ton, ndërsa më pas konvertohet në lekë sipas kursit zyrtar të këmbimit.

Mbi këtë bazë llogaritjeje shtohen taksat, si akciza që është 39.4 lekë për litër, taksa e qarkullimit që është 27 lekë për litër, taksa e karbonit 3 lekë për litër dhe TVSH 20% e llogaritur mbi çmimin e blerjes + taksat. Më pas çmimit i shtohen kostot e transportit dhe fitimet e kompanive, që për shumicën janë 3 lekë për litër dhe 12 lekë për litër për pakicën.

Importuesit nuk bien dakord vetëm për marzhet e shtuara te shumica dhe pakica. Prej tyre po pretendohet që marzhi i lejuar i fitimit për kompanitë e shumicës të jetë 5 lekë për litër dhe për tregtarët e pakicës të jetë 15 lekë për litër.

Pra, sipas formulës së përcaktuar, Bordi nuk luan rol real në uljen e çmimeve apo aktiv në stabilizimin apo kontrollin e tyre, por më tepër luan një rol kontrollues të një formule kontabiliteti të paracaktuar dhe kontrollin e pretendimit të importuesve për një marzh fitimi 5 lekë më të lartë, duke kursyer rreth 5 lekë për litër, një vlerë fare minimale.

Ndryshe nga Shqipëria disa vende në rajon menjëherë u fokusuan te ulja e taksave.

Në Malin e Zi, qeveria më 20 mars, përdori një dispozitë ligjore për të ulur akcizat me 50% për naftën dhe 25% për benzinën, duke shkurtuar gjithashtu periudhën e rregullimit të çmimeve nga 15 në 7 ditë. Nëse këto akciza nuk do të ishin përgjysmuar, nafta do të ishte 0.25 euro më e shtrenjtë, ndërsa benzina do të kushtonte edhe 0.16 euro më shumë.

Analisti ekonomik Mirza Muleskoviç thekson se ulja e akcizave ishte një veprim i arsyeshëm. Pa këtë masë, sipas tij, çmimet sot do të ishin dukshëm më të larta, duke përkeqësuar ndikimin e goditjeve të jashtme në rritjen e përgjithshme të çmimeve në Mal të Zi.

“Megjithatë, përtej kësaj, nuk kemi pasur masa konkrete, madje as njoftime për masa që synojnë të kufizojnë ndikimin e mundshëm të luftës në Iran, veçanërisht sa i përket inflacionit. Duhet theksuar se vendet e rajonit dhe shtete të tjera europiane kanë zbatuar paketa për të mbrojtur ekonomitë e tyre dhe standardin e jetesës së qytetarëve”, deklaroi z. Muleskoviç.

Në Maqedoninë e Veriut, më 22 mars, Qeveria mori vendimin e parë për ndërhyrje në çmimet e karburanteve. Konkretisht, TVSH u ul nga 18% në 10% dhe u shpall gjendje krize energjetike për të krijuar mundësi ligjore për lirimin e mazutit nga rezervat shtetërore.

Më 5 prill 2026, Qeveria mori një vendim të dytë, që ulja e TVSH-së mbetet në fuqi deri në përfundimin e krizës, ndërsa u ulën edhe akcizat: për naftën me 0.06 euro cent dhe për benzinën me 0.03 euro cent për litër.

Partitë opozitare LSDM dhe BDI vlerësuan se masat nuk janë vetëm të pamjaftueshme, por edhe sipërfaqësore, me efekt minimal në zbutjen e goditjes së përgjithshme të çmimeve.

“Masat e Mickoskit janë të vonuara, të pamjaftueshme dhe nuk do të kenë asnjë efekt, sepse spiralja e rritjes së çmimeve tashmë ka filluar. Kur paralajmëruam se masat duhej të merreshin në kohë, siç bënë shumë vende të rajonit, Qeveria nuk dëgjoi”, tha Venko Filipçe, lider i LSDM.

Sipas ekonomistëve, ndërhyrja shtetërore në çmimet e karburanteve ishte e nevojshme, por jo e mjaftueshme. Profesori Vanço Uzunov nga Fakulteti Ekonomik në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi”, thotë se mburrja e qeverisë me çmimet e ulëta të karburanteve dhe blerësit e huaj sinjalizon probleme likuiditeti në buxhet.

“Kjo nuk është diçka për t’u mburrur, sinjalizon problem buxhetor. Nga njëra anë, taksat ulen; nga ana tjetër, shteti gjen burim të ri të ardhurash përmes rritjes së shitjeve të karburantit. Këto masa janë vetëm ‘lëvizje taktike’. Nevojiten masa urgjente të targetuara për të mbrojtur qytetarët më të varfër dhe këto masa mungojnë. Problemi nuk janë vetëm çmimet e karburanteve, por edhe çmimet e produkteve bazë ushqimore”, thotë z. Uzunov.

Në Serbi qeveria, si masë të parë, në fund të muajit mars, mori uljen e akcizës te nafta dhe benzina me 20%. Më tej në muajin Prill vendosi ulje të akcizës me 25%, si te nafta dhe benzina, përfshirë zbatimin e masave për kufizimin e eksporteve të derivateve të naftës dhe hedhjen në treg të një pjese të rezervave me qëllim kontrollin administrativ të çmimeve.

Përveç kësaj, qeveria serbe siguroi edhe një zgjatje tremujore të kontratës së gazit me Rusinë. Megjithatë, natyra afatshkurtër e kësaj marrëveshjeje pasqyron tensionet më të gjera gjeopolitike që formësojnë sektorin energjetik të Serbisë.

Presidenti Aleksandar Vuçiç është përballur me presion në rritje pas sanksioneve të SHBA-së ndaj kompanisë së naftës NIS, në pronësi shumicë ruse, pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për të kufizuar ndikimin rus dhe për të riformësuar balancat energjetike në rajon. Edhe pse Rusia ra dakord në fillim të vitit 2026 të shesë aksionet e saj te kompania hungareze MOL, marrëveshja ende nuk është përfunduar.

Dr. Sreçko Gjukiç, ish-ambasador dhe anëtar i Forumit për Marrëdhënie Ndërkombëtare, argumenton se vonesat janë strategjike. “Serbia varet plotësisht nga NIS. Pa të, nuk kemi benzinë vendase, as naftë. Jemi në një problem të madh. Rusia e di shumë mirë këtë dhe vepron në përputhje me interesat e saj.”

Ndërkohë, qeveria serbe ka zgjatur kontrollin e çmimeve deri në mesin e gushtit. Kur u pyet se sa mund të zgjasin këto masa, Dr. Gjukiç tha se kohëzgjatja e tyre do të varet kryesisht nga kalkulimet politike.

Ndërsa Mariç vlerësoi masat emergjente të shtetit, ai theksoi se ato kanë edhe koston e tyre. “Akcizat mbi naftën përbëjnë më shumë se 10% të të ardhurave totale publike të Serbisë. Ulja e tyre do të thotë reduktim i buxhetit shtetëror, i cili duhet kompensuar me ulje të shpenzimeve. Kjo rrezikon sektorë thelbësorë si arsimi, shërbimet sociale dhe shëndetësia”, tha ai.

Ndryshe nga këto shtete, në Bosnjë dhe Hercegovina, projektligji për ndryshime te akciza e karburanteve është miratuar vetëm nga Dhoma e Përfaqësuesve e Asamblesë Parlamentare të Bosnjë dhe Hercegovinës. Zbatimi ka mbetur pezull.

Ndryshimet e propozuara do të mundësonin që Këshilli i Ministrave i Bosnjë dhe Hercegovinës të autorizohej, në rast të çrregullimeve të tregut ose arsyeve të tjera të justifikuara, të vendosë për një ulje ose heqje të përkohshme të akcizave për një periudhë deri në gjashtë muaj brenda një viti.

“Meqenëse në Bosnjë dhe Hercegovinë, autoriteti i vetëm për të ndryshuar nivelin e akcizave qëndron te Parlamenti dhe duke pasur parasysh se procedurat parlamentare janë shpesh të ngadalta dhe jo mjaftueshëm të përgjegjshme në një moment të caktuar, është propozuar një ligj që do t’i lejonte Këshillit të Ministrave të ulë ose heqë akcizën mbi karburantin në kohë të çrregullimeve të tregut.

Kjo do të mundësonte një reagim të shpejtë dhe do të ndihmonte në ndalimin e një rritjeje të papritur të çmimeve të karburantit, dhe rrjedhimisht të mallrave dhe shërbimeve të tjera, që është gjithmonë një efekt zinxhir në treg”, shpjegoi Saša Magazinović, Anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve të Asamblesë Parlamentare të Bosnjë dhe Hercegovinës dhe njëkohësisht propozues i këtyre ndryshimeve, për “Monitor”.

Duke komentuar se si kanë reaguar vendet e tjera, ai shton se të gjitha vendet në rajon e kanë përdorur këtë instrument.

“Mali i Zi ndërhyri në nivelet e akcizave, Serbia e bëri këtë dy herë, dhe vendet e BE-së pranë Bosnjë dhe Hercegovinës, Hungaria, Kroacia, Sllovenia dhe Italia, kanë ndërhyrë gjithashtu në treg në këtë mënyrë. Ekspertët thonë se kjo është praktikisht mënyra e vetme e duhur që shteti të ndërhyjë kur çmimet e karburantit rriten për shkak të çdo krize globale, dhe kjo nuk është vetëm një mjet i përkohshëm për këtë situatë. Ekspertët besojnë se Bosnjë dhe Hercegovina duhet ta ketë këtë instrument, pasi vendet e tjera tashmë kanë reaguar dhe e kanë pasur këtë mjet më parë”, tha Magazinović.

“Këshilli i Ministrave i Bosnjë dhe Hercegovinës ende nuk e ka këtë mjet për të ndërhyrë, dhe ky ligj i propozuar synon ta mundësojë atë. Nevoja për këtë konfirmohet gjithashtu nga deklarata e kryetares së Këshillit të Ministrave, e cila e mbështeti këtë ligj”, – përfundoi ai.

Miratimi i këtij ligji mund të çojë në një ulje të çmimeve të karburantit deri në 0.26 euro për litër, në varësi të llojit të karburantit, pa humbje financiare për shtetin.

Në Kosovë ekspertët e ekonomisë i vlerësojnë modeste masat administrative të qeverisë për kontrollin e çmimeve të naftës. “Këto masa kanë një funksion të qartë: të kufizojnë abuzimin dhe të disiplinonin tregun në kohë pasigurie. Ato nuk mund ta ndalin rritjen e çmimeve që buron nga shtrenjtimi i importeve”, tha drejtoresha e Iniciativës Kosovare për Stabilitet (IKS), Brikenë Hoxha.

Përkundër kësaj, ajo renditi rreziqet në rast se politika e çmimeve tavan nuk zbatohet si duhet. “Rreziku kryesor lind kur ndërhyrja bëhet e zgjatur ose e dizajnuar dobët. Nëse çmimi tavan vendoset afër ose nën koston reale, mund të krijohen mungesa produktesh në treg”, ka deklaruar ajo.

Nga ana tjetër, importuesit ankohen se vendosja e marzheve të fitimit po çon drejt falimentit biznesin. “Kjo situatë nuk është normale, pasi ka raste që shesim litrin e naftës me çmimin e importit dhe disa biznese mund të falimentojnë”, ka thënë Fadil Berjani, kryetar i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, duke paralajmëruar protesta në rast se kjo politikë nuk ndryshohet.

Në këtë situatë, masa më e duhur e rekomanduar nga eksperti i ekonomisë Muhamet Mustafa do të ishte ulja e akcizës dhe TVSH-së te karburantet.

“Shumë vende po ndërmarrin masa për të ulur koston e operacioneve dhe transaksioneve biznesore, përfshirë lehtësime fiskale si ulja e TVSH-së dhe akcizës. Qeveria duhet të forcojë rezervat shtetërore për të përballuar krizat, duke hedhur përkohësisht mallra në treg, si dhe të rrisë kapacitetet e autoritetit të konkurrencës për të parandaluar monopolet dhe konkurrencën jo të drejtë”, ka thënë ai.

Por, Ministria e Tregtisë nuk e sheh të arsyeshme uljen e përkohshme të akcizës dhe TVSH për produktet e naftës, pasi kjo do të kishte efekt në burimin e rregullt të të hyrave të shtetit.

“Në shumë raste, publikisht kemi deklaruar se nuk e shohim si alternativë heqjen e TVSH-së, pasi ajo përbën një burim të rregullt të të hyrave për buxhetin e shtetit dhe, në këtë fazë, nuk e kemi konsideruar të nevojshme një masë të tillë”, thuhet në përgjigjen e MINT.

Nafta në Shqipëri më e shtrenjta nga barra e 4 taksave, rajoni aplikon vetëm akcizë dhe TVSH

Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, me përjashtim të Shqipërisë, aplikojnë një model të thjeshtë taksimi për naftën, të përbërë vetëm nga akciza dhe TVSH. Shqipëria, përveç akcizës dhe TVSH-së, aplikon edhe taksa shtesë si taksa e qarkullimit dhe taksa e karbonit.

Kjo e bën barrën fiskale mbi naftën në Shqipëri më të rënduar dhe më komplekse krahasuar me shtetet e rajonit.

Për shkak të strukturës të thjeshtë dhe lineare për taksat te nafta që aplikojnë të gjitha vendet e rajonit (çmimi bazë i naftës + akciza dhe mbi këtë shumë llogaritet TVSH), dukshëm nafta në këto vende shitej deri 60 lekë për litër më lirë sesa në Shqipëri edhe para nisjes së luftës.

Sipas të dhënave krahasuese në vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë: Serbinë, Bosnjë-Hercegovinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën naftën e taksojnë vetëm me dy taksa: akcizë dhe TVSH. Në vendet e rajonit niveli i akcizës te nafta varion nga 0.20 euro për litër deri në 0.62 euro për litër. Niveli i TVSH-së luhatet nga 17 deri në 21%.

Shqipëria aplikon një barrë të rënduar fiskale mbi naftën, përveç akcizës prej 0.37 euro për litër dhe TVSH-së 20%, aplikon edhe dy taksa të tjera shtesë, si: taksa e qarkullimit (27 lekë për litër), taksa e karbonit (3 lekë për litër). Kjo bën që struktura fiskale në Shqipëri të jetë dukshëm më e rënduar, duke përbërë 50% të çmimit që aktualisht janë 100 lekë për litër.

Në Serbi, si në të gjitha shtetet e rajonit, me përjashtim të Shqipërisë, mbi naftën aplikohen vetëm 2 taksa: akciza dhe TVSH.

Në Serbi niveli i akcizës te nafta para nisjes së luftës ishte 0.616 euro për litër (apo 59.5 lekë për litër). Niveli i TVSH është 20%. Pas luftës akciza u ul deri 25%, nga rreth 0.62 euro arriti në 0.46 euro për litër (apo 44.3 lekë për litër), si dhe duke vendosur çmime maksimale të kontrolluara çdo javë. Ekspertët vlerësojnë se me këto masa fiskale të ndërmarra, shteti pothuajse ka hequr dorë nga të ardhurat.

Në Malin e Zi akciza për naftën para luftës ishte 0.27 euro për litër dhe TVSH 21%. Më 20 Mars akciza te nafta u ul me 50%. Çmimi i naftës në mars arriti 1.78 euro për litër.

Në Maqedoninë e Veriut, akciza te nafta është 0.36 euro për litër dhe TVSH 18%. Para marrjeve të masave, ka rezultuar me çmimet më të ulëta në rajon (nafta tregtohet me pakicë 1.1 euro për litër). Pas luftës aplikoi një kombinim masash: ulje të TVSH-së nga 18% në 10%, dhe ulje akcize për naftën me 0.06 euro cent dhe 0.03 euro cent për litër. Çmimi i naftës pas luftës arriti 1.49 euro për litër.

Në Bosnjë – Hercegovinë niveli i akcizës së naftës para luftës ishte 0.20 euro për litër. TVSH-ja 17%. Në muajin mars 2026, qeveria propozoi projektligjin për heqje/ulje të ndjeshme akcize. Projektligji u miratua vetëm në Bosnje -Hercegovinë tregu ka vetëm kontrolle. Pa vendim final ligjor deri prill 2026. Në prill çmimi i naftës arriti në 1.8 euro për litër, nga 1.19 euro për litër që ishte në muajin shkurt, para nisjes së luftës.

Në Kosovë akciza për naftën, si para dhe pas luftës është 0.37 euro për litër (me një ekuivalentë prej 43 lekë për litër) dhe TVSH prej 18%.

Edhe në Kosovë qeveria nuk ka marrë masa për ulje taksash, por vetëm monitorim aktiv. Në Kosovë në muajin Mars çmimi mesatar i naftës arriti 1.8 euro për litër nga 1.17 euro që ishte në muajin shkurt.

🌟 ToonPopKids — Stories That Grow With You!
Fun animations, lullabies & learning for little ones 💤🎶📚
Subscribe Free
Share it :