Artan Fuga
Nuk kuptohet çfarë po bëhet kështu?
Funksionarë dhe diplomatë të BE na thonë me muaj të tërë se Shqipëria tashti i ka të gjitha letrat në rregull dhe do të pranohet si vend kandidat për në BE.
Fryhemi e fryhemi, debatojmë, bëhemi gati, dhe në fund … fup… një “Jo” krejt jashtë vlerësimeve paraprake zyrtare që na janë ofruar dhe vendi mbetet përsëri jashtë.
A ka seriozitet apo jo në komunikimin politik?
Nuk them as se e meritojmë, as se nuk e meritojmë, më shumë them jo sesa po, por sidoqoftë më duket se marrëdhënia ka filluar të bëhet problematike.
Pse na japin shpresa kot disa zyrtarë të Bashkimit kur vendimmarrja as nuk është e tyre, as ata vetë nuk qenkan në brendësi të vendimmarrjes.
Flasin kot ?
Promovojnë thjesht karrierën e tyre?
E kanë taktikë për t’i ofruar gomarit karrotën sepse përndryshe ai zbythet edhe më keq.
Një gjë duket mirë, qartë, dhe thënë troç :
as ne nuk përmbushim kritere europiane me këtë kushtetutë që kemi, pra dhe me institucionet përkatëse dhe sjelljen përkatëse të politikës,
as Europa nuk është gati të zgjerohet këtej nga ne për arësye fetare, kulturore dhe ekonomike e sociale,
as situata gjeopolitike e rajonit nuk është fare stabël pavarësisht fjalëve të bukura që nuk mashtrojnë njeri,
as ekulibrat e fuqive të mëdha nuk janë të favorshëm aktualisht që shqiptarët të bëhen pjesë e Europës.
Ja katër faktorët që pengojnë.
Kjo është këmbana që mungon, të tjerët shpjegojnë me arsye të tjera se përse nuk bie këmbana.
Të tjerat nuk janë veçse ngopje me lugë të zbrazët.
Jetojmë të izoluar si pesëqind vjet më parë.
Sa keq që qendrojmê larg Europës…





