PS-LSI përplasen për anëtarët e KEK, mungon opozita

 Florenc Drizari

kvpKomisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin

 Deputeti i LSI-së, Bujar Derveni: Le t’ua lëmë në dorë këtyre organizatave të biznesit të zgjedhin anëtarët e jo qeverisë

 Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese miratoi dje nen për nen dhe në tërësi projektligjin “Për krijimin e Këshillit Ekonomik Kombëtar” (KEK). Deputetët e opozitës nuk morën pjesë në mbledhjen e komisionit, për shkak të marrëdhënies së kushtëzuar që kanë vendosur me mazhorancën, marrëdhënie të cilat pas ngjarjeve të fundit që lidhen me narkotrafikun janë edhe më të tensionuara. Ndërkaq, mbledhja e djeshme e Komisionit për Veprimtarinë Prodhuese u shoqërua me debate mes përfaqësuesve të PS-së dhe LSI-së. Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Bujar Derveni, kërkoi që në projektligjin për KEK një pjesë e anëtarëve të mos zgjidhen nga qeveria, por nga shoqatat e biznesit dhe tatimpaguesit. Sipas tij, projektligji në fjalë propozon që qeveria të zgjedhë të 20 anëtarët e Këshillit, ndërkohë që shoqatat e biznesit ndihen të papërfaqësuara.

 

Bujar Derveni

“Neni 6, pika 5, thuhet se subjektet e përcaktuara në shkronjën dh, e, në pikën dy të këtij neni të përzgjidhen jo nga kryetari i Këshillit Ekonomik, por nga shoqatat ose dhomat e tregtisë kur janë tatimpaguesit e mëdhenj dhe për pikën e, nga organizatat e biznesit. Nga 20 anëtar që ka KEK-u, të njëzetë përcaktohen nga qeveria. Katër janë pjesëmarrës që janë ministrat, Banka e Shqipërisë, guvernatori, Kryetari i Këshillit të Ministrave, gjashtë personalitete…”, – tha Derveni. Propozimi i deputetit të LSI-së u kundërshtua nga relatori socialist, Ervin Koçi, i cili tha se nëse futen shoqatat e biznesit do të ketë probleme për shkak se në Shqipëri ekzistojnë shumë shoqata biznesi dhe nuk ke kujt t’i fokusohesh. “Kjo është lënë në kompetencë të kryetarit të Këshillit Ekonomik Kombëtar (Kryeministrit), sepse ka të bëjë me vullnetin e qeverisë. Çfarëdo personash të vendosësh aty, nëse nuk ke vullnetin e qeverisë, kjo gjë nuk bëhet dhe qeveria ka si synim përmirësimin e klimës së biznesit. Njerëzit që do të jenë pjesë e këtij procesi do të jenë njerëz që do të ndikojnë që ky proces të jetë i vlefshëm”, – tha Koçi. Pas këtij argumenti reagoi sërish deputeti Derveni, i cili i quajti të jobindëse qëndrimet në fjalë. “Përderisa qeveria e njeh që ka shumë organizata biznesi dhe ky nuk është argument për tu hedhur poshtë. Le t’ua lëmë në dorë këtyre organizatave të biznesit dhe këtyre tatim paguesve që t’i zgjedhin vetë përfaqësuesit e tyre; se si do të mbrohen interesat që do të cenohen nga nismat ligjore”, – tha Derveni. Nga ana e tij, kryetari i Komisionit për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, Eduard Shalsi, tha se Këshilli Konsultativ ka pas vendosur theksin tek shoqatat më shumë, por lidhja dhe konsulenca me qeverinë nuk kanë qenë efektive.
Ndërkaq, synimi i hartimit të këtij projektligji thuhet se është krijimi i Këshillit Ekonomik Kombëtar (KEK), si një strukturë e re me një entitet juridik më vete. Sipas relatorit Ervin Koçi, theksohet se qëllimi i kësaj nisme ligjore është garantimi i bashkëpunimit institucional dhe të partneritetit publik-privat për zhvillimin e politikave ekonomike, për garantimin e dialogut dhe këshillimit ndërmjet organeve të administratës shtetërore dhe sektorit privat, si dhe rritjen e transparencës në vendimmarrjen publike dhe përfaqësimin e sektorit privat në këtë proces.

 

Share it :