Protestat në Shqipëri/ Dy gazetarë të Reuters goditen me plumba gome, kërcënohet fotoreporteri zviceran! AGSH: 37 incidente ndaj medias në 7 ditë
Dhuna dhe incidentet ndaj gazetarëve gjatë protestave kundër qeverisë në Shqipëri kanë prekur edhe përfaqësues të mediave ndërkombëtare. Dy gazetarë të agjencisë Reuters janë goditur me fishekë gome gjatë përleshjeve në Tiranë, ndërsa një fotoreporter zviceran ka denoncuar se është përballur me presion për të fshirë pamjet e filmuara në Durrës.
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) ka reaguar me shqetësim për këto incidente, të cilat janë raportuar më 17 tetor, gjatë protestave që kanë përfshirë kryeqytetin dhe qytete të tjera të vendit.
Sipas AGSH-së, dy gazetarët e Reuters janë goditur nga fishekë gome teksa po dokumentonin përleshjet në Tiranë. Organizata thekson se përdorimi i mjeteve të tilla përbën rrezik serioz për sigurinë dhe jetën e punonjësve të medias që raportojnë nga terreni.
Në një tjetër rast, fotoreporteri i pavarur zviceran Raimond Lueppken ka raportuar se është përballur me një incident në Durrës, teksa po filmonte disa persona të veshur me të zeza. Sipas dëshmisë së tij, dy persona me veshje civile i janë afruar dhe i kanë kërkuar të fshijë pamjet filmike, por ai ka refuzuar.




