Nga Gëzim Saliu
Protesta njihet në fjalor si kundërshtim i vendosur për një padrejtësi apo për një veprim të paligjshëm, pra shprehja në mënyrë të prerë e mospajtimit me diçka. Protesta padyshim është tipar identifikues i demokracisë dhe tregues i qartë i reagimit qytetar.
Kam më së paku 13 vite që ndjek thuajse çdo protestë të thirrur nga partitë politike, kjo edhe për shkak të angazhimit si gazetar në këtë sektor. Që prej 2009-ës, viti kur nisa t’i ndjek nga afër këto protesta, dhe deri më sot janë zhvilluar me qindra tubime politike në vend, herë të thirrura nga Partia Socialiste në atë kohë në opozitë dhe shpesheherë përgjatë këtyre viteve nga Partia Demokratike.
Pa më të voglin dyshim, tubimi më tronditës dhe më i ashpër i përjetuar ndonjëherë në Shqipëri, përtej ngjarjeve të 14 shtatorit 1998, është ai i 21 janarit 2011. Një demonstratë e dhunshme, e cila përfundoi me 4 viktima dhe shumë të plagosur, mes tyre qytetarë protestues dhe efektivë të policisë. Ajo protestë e thirrur nga Partia Socialiste dhe aletatët kishte synime të qarta për të marrë pushtetin pa votë, duke tentuar rrëzimin e qeverisë në fuqi me vota legjitime, përmes dhunës. Se çfarë ndodhi më pas është e njohur për të gjithë dhe nuk ja vlen të zgjatemi në këtë shkrim.
Protestave të zgjatura të Partisë Socialiste, kujtojmë edhe çadrën e ngritur në 2010-ën para Kryeministrisë dhe grevën e urisë, ju ‘përgjigj’ edhe PD në opozitë. Fillimisht protestat shpërthyen për çështjen e kriminalizimit të administratës dhe Parlamentit e më pas kulmuan për zgjedhjet e 2017-ës, ku Basha kopjoi Ramën me ngritjen e çadrës para godinës së kryeministrit. Siç Rama dështoi keqazi përballë Berishës kryeministër duke mos arritur objektivin për hapjen e kutive ashtu edhe Basha shënoi një rekord negativ në zgjedhjet e 25 qershor, duke arritur një prej rezultateve më negative në historikun e PD-së në zgjedhje. Rol deçizivi në këtë rezultat katastrofik luajti marrëveshja e 17 majit me kryeministrin Rama, e cila u cilësua edhe nga brenda rradhëve të demokratëve si një tradhëti e kauzës opozitare për votën e lirë.
Më tej PD do të kulmonte me protestat e saj në vitin 2019, ku pas aktit të paprecedentë të djegies së mandateve, do të niste një valë tubimesh agresive ndaj qeverisë duke synuar rrëzimin e saj dhe krijimin e qeverisë tranzitore. Nuk mungoi në këto protesta as molotovi i protestuesve e as gazi lotësjellës i servirur në masë nga pushteti. Në fund rezultati ishte po i njejtë; Rama përmes një procesi zgjedhor krejtësisht antidemokratik arriti të sigurojë një mandat tjetër qeverisës, ndërsa lidershipi opozitar cedoi sërish nga kërkesat primare të kauzës së qyteatrëve, duke u futur në garë si pjesëmarrës.
Ndërkohë që pas ardhjes së Sali Berishës në krye të PD-së, është zgjedhur një skemë krejt e ndryshme nga ajo e ndjekur nga Basha si kryetar. Ish kryeministri ka vendosur të ndjekë një strategji të kombinuar të aksionit politik, ku mes organizimit të thelluar të partisë dhe protestave, peshorja ka anuar më shumë nga rikonstruksioni i brendshëm. Po ashtu Berisha ka zbatuar komunikimin e drejtpërdrejtë me qytetarët dhe grupet e interesit përmes tryezave të zhvilluara në mënyrë konstante përgjatë këtyre muajve.
Ndërkaq protestat e mbajtura nga kjo forcë politike me Berishën si kryetar kanë qenë vetëm dy dhe të dyja kanë shënuar një pjesëmarrje rekord në shesh. Protesta e parë, ajo e mbajtur në 7 korrik, me një pjesëmarrje masive në kushtet e të nxehtit afrikan që pushtoi vendin në verë dhe e dyta, ajo e zhvilluar ditën e djeshme, ku qytetarët ju përgjigjën masivisht thirrjes së opozitës. Duhet theksuar se në të dyja protestat nuk është konstatuar asnjë akt dhune nga qytetarët pjesëmarrës në tubim.
Duhe theksuar se gjatë gjithë këtyre muajve që kur Berisha rimori kryesimin e partisë, PD ka qenë e angazhuar në rikonstruktimin total të saj, ku janë zgjedhur me votë të gjithë kryetarët e degëve e ndërsa për herë të parë është përfshirë si një prej mjeteve më demokratike për partitë politike, procesi i primareve brenda radhëve për kandidatët për kryebashkiak.
Berisha ka premtuar se deri në mbajtjen e zgjedhjeve vendore, opozita do të mbajë të tjera protesta të mëdha, duke paralajmëruar Edi Ramën se prekja e votës do jetë akti fundor i tij si kryeministër. Ndërkohë duket i vendosur për të mos bojkotuar asnjë proces zgjedhor, me synime të qarta, të arikuluara publikisht,për fitore në zgjedhjet e ardhshme vendore të 14 majit 2023.
Se sa efikase do të rezultojë kjo strategji e Berishës mbetet për tu parë në vazhdim, por nuk duhet të harrojmë se doktori di të jetë edhe i ashpër. E ka treguar me opozitarizmin e tij në vitet 1998-2004!
E megjithatë riardhjen në pushtet në 2005-ën e arriti vetëm pasi solli para qytetarëve një PD të re, atë të KOP-it, që mori besimin në masë të qytetarëve. Ndaj dhe lëvizja e tij me primaret dhe figurat e reja që do marrin besimin nga anëtarësia dhe simpatizantët e PD-së ,mund të jetë asi nën mëngë për zgjedhjet vendore. Madje mund të thuhet se që tani e ka siguruar fitoren simbolike përballë kundërshtarit, i cili jo vetëm ka harruar se çfarë do të thotë zgjedhje, por ka eleminuar me dhunë çdo debat brendapartiak.
Ndaj edhe në kushtet aktuale, angazhimi për zgjedhjet është objektivi primar i demokratëve, ndërsa varianti i ‘protestave agresive’ mbetet ende si zgjidhje e fundit në sirtar!




