Ministri Tahiri ndëshkon opozitën e cila protestoi për dy ditë me radhë kundër ndërtimit të këndit të lojërave në parkun e liqenit. Gjatë ditës së djeshme Policia e Tiranës del me deklaratë lidhur me protestën e organizuar ditën e djeshme nga Partia Demokratike për moslejimin e ndërtimit të këndit të lojërave në parkun e madh të Tiranës, te Liqeni artificial. Konfirmohet arrestimi i dy personave dhe procedimi penal i ish-nënkryetarit demokrat të Bashkisë Tiranë, Enno Bozdo dhe shpallja në kërkim e ish- deputetit Ndriçim Babasi. Në qëndrimin e bluve të kryeqytetit thuhet se protestuesit u konfrontuan me punonjësit e Policisë Bashkiake dhe të Policisë së Shtetit duke i kundërshtuar fizikisht dhe më pas duke bërë thirrje për veprime të dhunshme. Më tej deklarohet se protestuesit filluan të dëmtonin rrethimin e objektit në ndërtim si dhe kanë dëmtuar mjetet që ndodheshin në brendësi të objektit. Në vijim konfirmohet ndalimi i dy të dyshuarve, Petrit Fejzullai, 48 vjeç dhe Hasan Molla, 50 vjeç, banues në Tiranë. Njëkohësisht u referuan materialet në Prokurorinë e Tiranë për Enno Bozdo, 43 vjeç, si përgjegjës për mbarëvajtjen e protestës; Suzana Dimushi, 37 vjeçe, banues në Tiranë dhe Ergys Harkanaj, 39 vjeç, banues në Tiranë. Gjithashtu janë shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e G.Gj., 28 vjeç, banues në Tiranë; Ndriçim Babasi, 49 vjeç, banues në Tiranë; F.D., 21 vjeç, banues në Tiranë; S.Rr., 28 vjeç, banues në Tiranë; Xh. D., 72 vjeç, banues në Tiranë dhe I. H., 26 vjeç, banues në Tiranë. Lidhur me protestën e djeshme materialet i kaluan Prokurorisë së Tiranës për veprat penale “Shkatërrim prone”, “Thirrje publike për veprime të dhunshme”, si dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” .




