Propozimet e qeverisë /  Marrëzia e gjobave, drafti shkakton tension në Kuvend  

 

ministria e financavePërplasje mes deputetëve të opozitës dhe përfaqësuesve të Ministrisë së Financave për masat e propozuara lidhur me shtimin e barrës mbi bizneset

 

Ervin Kaduku

 

Një draft i propozuar nga qeveria, që amendon Kodin Penal duke ashpërsuar dënimet për evazionin, shkaktoi përplasje të forta në Komisionin e Ekonomisë. Opozita i cilësoi ndryshimet si marrëzi me pasoja të rënda për ekonominë. “Kjo që po ndodh sot është një turp kombëtar. T’i thuash një shqiptari se po erdhi me një fishekzjarr nga jashtë do të shkojë të bëjë 7 vite burg po nuk e deklaroi. Çfarë i dini 7 vite burg ju? Tërhiqeni mbrapsht sa nuk është vonë, se kjo është një marrëzi”, – tha Florion Mima, deputet demokrat.
Por zëvendësministrja e Financave, Irena Beqiraj, përfaqësuesja e qeverisë, që mbrojti draftin, thotë se ashpërsimi i masave është i domosdoshëm për të luftuar evazionin e lartë në ekonomi. “Ajo që ne kemi vënë re është se gjoba është një masë që në kulturën shqiptare e ka humbur efektin. Ata e shtyjnë, shkojnë nëpër gjykata etj., prandaj u panë të arsyeshme këto ndryshime”, – thotë Irena Beqiraj.
Masat e reja ashpërsojnë dënimet për kontrabandën, por paralelisht heqin mundësinë e dënimit me gjobë edhe për mosdeklarimin e saktë të të ardhurave, duke e dënuar automatikisht me dy vite burg. “Kjo do të thotë se fatin për të shkuar në burg në Shqipëri, të paktën e ka gjysma e biznesit që kontrollohet në një vit, diku te 2000-3000 biznese. Bëhet fjalë nga momenti që hyn ky ligj në fuqi”, tha Ridvan Bode, ish-ministër i Financave.
“Kjo është thjesht një mënyrë për të thënë se, në qoftë ju do të vazhdoni të bëni evazion, të mos i bindeni dhe të mos zbatoni ligjet e shtetit, për të gjitha ato biznese ne do të ngrejmë çështje penale”, – tha më tej Irena Beqiraj.
“Me këtë lloj klime që po krijoni ju, kujdes këtu se të fusim në burg, e kujdes aty se të fusim sërish në burg. Mos ju vijë çudi, që një pjesë e njerëzve, në vend që t’i nxjerrin nga çorapet paratë e investimit, do t’i mbledhin prapë edhe ato që kanë në bankë sepse mendojnë që këtu nuk ia vlen më të merren me biznes, biznesi në Shqipëri është bërë i rrezikshëm”, tha Dashamir Shehi.
Qeveria ka nisur një fushatë të gjerë kundër informalitetit, e cila përveç aksioneve në terren, po shoqërohet edhe me ashpërsimin e masave ndëshkuese, që lidhen me shkeljet tatimore dhe evazionin.

 

Absurdi i aksionit tatimor

Presionit të lartë të administratës tatimore për të përdorur kuponin tatimor, në mënyrë që të deklaronin xhiron reale, bizneset, sidomos ato të vogla, duket se ia kanë gjetur ilaçin. “Do të pres më shpesh kuponë tatimorë, mjafton të mos e kaloj 6 mijë lekë në ditë”, – pohon e sigurt një parukiere, që është këshilluar kështu nga ekonomistja e saj, në mënyrë që ajo të mos e kalojë kufirin e xhiros vjetore prej 2 milionë lekësh. Të njëjtat llogari kanë bërë dhe bizneset që deklarojnë xhiro nga 2-5 milionë lekë (kalimi i kufirit mbi 5 milionë lekë do t’i regjistronte ata automatikisht në TVSH), apo ata me 5-8 milionë lekë (që nëse do e kalonin 8 milionë lekë do detyroheshin të regjistroheshin si biznes i madh).

Këtë tendencë të bizneseve për të prerë më shpesh kuponë, me vlerë të ulët, e konfirmojnë dhe të dhënat paraprake të tatimeve për shtatorin. Sipas të dhënave ende operative, në shtator janë lëshuar mbi 39.300 kuponë, ose 2.2 herë më shumë se shtatori i një viti më parë.

Po nga të njëjtat të dhëna, rezulton se vlera mesatare e një kuponi tatimor ka zbritur nga 3400 lekë në shtatorin e dy viteve më parë, në më pak se 1500 lekë aktualisht. Në shtatorin e 2014-ës, vlera mesatare e kuponit tatimor ishte 2200 lekë.

Ndërkohë, sipas të dhënave operative, vlera e xhiros për shtatorin ishte gati 51.6 miliardë lekë, nga 31.6 miliardë lekë në shtatorin e 2014-ës, me një rritje prej 34%. Kjo rritje e lartë e xhiros nuk i ka ndihmuar shumë tatimet, që kanë sjellë në buxhet rreth 1.5 miliardë lekë të ardhura më shumë (rritje 11%), duke arritur të realizojnë në 99.8% vetëm planin e rishikuar në ulje të të ardhurave.

Ministri i Financave e ka theksuar disa herë, se rritja imediate e të ardhurave nuk është qëllimi kryesor i këtij aksioni.

Ndërsa ekspertët kanë përsëritur shpesh që përqendrimi te bizneset e vogla, që mund të sjellin maksimumi 5% të të ardhurve në buxhet është thjesht humbje kohe, me kosto të lartë administrative e rendiment të ulët.

Share it :