Anxhela Tato
Skema e mashtrimit, transfertat dhe overdrafe, Blendi Topalli përfitoi 3 mln euro nga 57 llogari bankare
Lekët kalonin në depozitat e miqve dhe të afërmve të tij, pa u pikasur nga kontrolli i brendshëm i bankës
Grabiti 3 milion euro nga llogaritë bankare të 58 klientëve, të cilat i përdorte për lojëra fati. Kjo është historia e Blendi Topallit, ish-drejtues i një banke të nivelit të dytë, i cili në bashkëpunim me pesë punonjës të bankës, arriti të gjente mënyrën e vjeljes së lekëve nga llogaritë e klientëve. Ndërsa procesi gjyqësor ndodhet në fazën e konkluzioneve përfundimtare, nga ana e përfaqësuesit të akuzës është kërkuar në total ndëshkimi me 52 vjet burg, por saj gjykimit të shkurtuar masa e dënimit ulet në 33 vjet burg. Për ish-drejtuesin e bankës Blendi Topalli është kërkuar dënimi me 14 vjet burg. Për Ervin Xhaçin akuza ka kërkuar 12 vjet heqje lirie, 1 vit e 4 muaj burg për Fioralba Andrean, për Julian Koshon 2 vjet burg, e njëjta masë dënim për Kimet Hoxhën dhe Lorenc Ballçon.
Hetimet
Nga hetimit të brendshme të bankës, është zbuluar se shtetasi Blendi Topalli, ka cënuar dhe ka vjedhur lekët nga 57 klientë të tjerë të bankës, në një shumë prej 2 852 954,52 euro, duke i tërhequr drejtpërsëdrejti shumat e lekëve nga llogari, ose duke i transferuar në kundërshtim me ligjin, në llogari të personave të tjerë (të njohur të Blendi Topallit, të njohur, miq dhe të afërm të bashkëpunëtorit të tij Ervin Xhaçit, apo personave të tjerë të njohur të personave që merreshin me lotari sportive). Nga raporti i hetimit të Bankës “xxxxxx” dhe nga hetimet e kryera nga ana e Prokurorisë, ka rezultuar se shtetasi Blendi Topalli, në bashkëpunim me shtetasin Ervin Xhaçi, kanë arritur të përfitojnë shumën prej 2 852 954,52 euro. Nga kjo shumë shtetasi Blendi Topalli, ka kthyer nëpër llogaritë përkatëse, shumën prej 319 300, 10 euro. Duke i shkaktuar bankës një dëm total prej 2 533 654, 42 (dy milion e pesëqind e tridhjetë e tre mijë, pikë dyzetë e dy) euro. Më konkretisht nga hetimi ka rezultuar se shtetasi Blendi Topalli, këtë shumë e ka tërhequr duke përdorur transfertat e paligjshme nga llogaritë e klientëve, në llogari të personave të njohur të tij dhe pjesën më të madhe të kësaj shume ai e ka tërhequr duke e transferuar në llogari të shtetasit Ervin Xhaçi, të afërmve të tij, shokëve të tij apo në llogari të të afërmve të shokëve të Ervinit. Në çdo rast që janë tërhequr shumat e lekëve, direkt nga llogaritë apo nëpërmjet transferimit tek të tretë, përfitues të shumave kanë qenë shtetasit Blendi Topalli dhe Ervin Xhaçi. Këto veprime shtetasi Blendi Topalli, ka mundur t’i realizojë si rezultat i konsumimit të veprës penale të “Shpërdorimit të Detyrës”, nga ana e punonjësve Loren Ballço, Kimet Hoxha, Julian Kosho dhe Fioralba Andrea. Në asnjë rast nuk kanë kryer në përputhje me ligjin detyrën e tyre për të verifikuar identitetin e personit që paraqitej për të kryer transfertën apo tërheqjen dhe duke shkaktuar në këtë mënyrë një dëm të madh financiar.
Skema
Kështu nga hetimi ka rezultuar se të 57 personat, të cilët iu janë cënuar llogaritë, i kishin depozituar shumat e lekëve apo të eurove në Bankën “xxxxx”, dega Bilisht tek shtetasi Blendi Topalli, me afat një vjeçar. Në çdo rast shtetasi Blendi Topalli, për t’i joshur klientët iu ka dhënë kontrata depozite me përqindje interesi më të lartë nga ajo që realisht ofronte banka në periudhat përkatëse. Këto kontrata ai nuk i ka reklamuar për bankën, por i mbante të regjistruara në kompjuterin e tij, duke i ripërsëritur në mënyrë fiktive vit pas viti, sipas interesave të caktuara prej vetë atij. Megjithëse në pjesën më të madhe të rasteve shumat e lekëve apo valutës ishin tërhequr nga Blendi Topalli, miqtë e tij dhe të bashkëpunëtorit Ervin Xhaçi dhe miqtë e këtij të fundit. Në mënyrë që ai të mund t’i transferonte këto shuma lekësh nga llogaritë e 57 klientëve. Ai nëpërmjet punonjësve të bankës, Loren Ballço, Kimet Hosha dhe Juljan Kosho, nëpërmjet depozitave ka hapur overdrafte, pa praninë dhe pëlqimin e klientëve, dhe më pas këto shuma lekësh i ka transferuar tek persona të tjerë, të njohur prej tij apo të njohur të Ervin Xhaçit ose i ka tërhequr drejtpërsëdrejti nga llogari e tyre. Një metodë tjetër e përdorur nga shtetasi Blendi Topalli, për të tërhequr shumat e lekëve ose valutave të tjera, ishte edhe momenti i maturimit të depozitës, duke bërë kërkesa fiktive për thyerjen e tyre dhe më pas lekët transferoheshin tek personat e tjerë, ose tërhiqeshin, drejtpërsëdrejti nga ana e tij, duke falsifikuar nënshkrimet e klientëve. Sikurse rezulton nga hetimi, në pjesën më të madhe të rasteve klientët, të cilët presupozohej të kryenin veprimet, (kërkesë për hapje ovedrafti, kërkesë për transferim apo tërheqje nga llogari), ndodheshin jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë dhe për më tepër në asnjë rast ata nuk kanë hapur overdrafte, nuk kanë transferuar shumat e lekëve ose të kenë tërhequr shuma lekësh prej llogarive të tyre.
Dëshmia
I pyetur si person nën hetim shtetasi Blendi Topalli, që në momentet e para pas arrestimit, ka pretenduar se shumat e përfituara ai i kishte luajtur në loto sportive, duke vënë baste tek persona dhe kompani të ndryshme bastesh. Ky fakt konfirmohet pjesërisht edhe nga persona të tjerë dhe nga personat, të cilët kanë qenë përfitues të shumave të ndryshme. Por nga hetimi ka rezultuar se luajtja e shumave në baste sportive, përveçse argument se ku kanë përfunduar shumat e lekëve apo valutës, ka qenë një mënyrë mjaft efikase e shtetasit Blendi Topalli, për të fshehur vjedhjen e një shume kaq të madhe parash. Kjo pasi ai ka mundur të përfshijë në transferta shumë persona të panjohur prej tij, gjithashtu duke kryer një numër të madh transaksionesh ka bërë të mundur që të mos kuptohej në asnjë rast nga auditet e brendshme të bankës dhe të mos raportohej asnjë rast i dyshimtë transaksionesh bankare tek Drejtoria e Parandalimit dhe Pastrimit të Parave. Këtë gjë, ai ka arritur ta realizojë falë bashkëpunimit të ngushtë me shtetasin Ervin Xhaçi, i cili ka qenë i vetmi person që ka vënë në dispozicion emrat e personave ku duhej të transferonte shumat e lekëve Blendi Topalli.




