Prokuroria Berat/ Zbardhet vrasja e 1997, nën akuzë ish-polici i komisariatit Kuçovë

 Anxhela Tato

Bashkim None Ekzekutimi i viktimës gjatë udhëtimit me fugon, nuk ndaluan që t’i paguanin lekët e pijes në lokal ish-efektivit

Rrëfimi i familjarëve: Autori u justifikua se ishte i dehur, tentoi të na takonte për të kërkuar falje

Prokuroria e Beratit ka arritur të zbardh pas 17 vjetësh vrasjen e Hasan Shallarit nga një ish-efektiv policie. Në mungesë të provave dhe punës së policisë, akuzës i është dashur të rihapë hetimet në vitin 2003, duke kërkuar riekspertim mjeko-ligjor të viktimës, analizë balistike, marrjen në pyetje të dëshmitarëve dhe familjarëve të viktimës. Ngjarja ka për të pandehur shtetasin Bashkim Nonë, nën akuzë e vrasjes dhe tentativës së vrasjes së dy djemve që ndodheshin ditën e krimin me viktimën në një fugon. Nga provat e grumbulluara mësohet se autori, ish-punonjës i komisariatit të Kuçovës, ka qenë në gjendje të dehur duke hapur zjarr ndaj fugonit, i cili sipas “traditës se viteve 1997” duhet të ndalonte dhe të paguante ato çka po konsumonin klientët në një lokal në fshatin Kozare. I tërbuar nga “indiferenca” ai është ngritur duke qëlluar me një armë zjarri automatike, nga ku ka gjetur vdekjen Hasan Shallari dhe janë plagosur Altin Zhuri e Jaçe Hajdari. Nga hetimet akuza ka arritur të vërtetojë fajësinë e Bashkim Nonës, i cili po procedohet nën masën e sigurisë arrest me burg.

 

Ngjarja

Më datë 15.04.1997 rreth orës 16:00 në lagjen “11Janari“ Kuçovë  në vendin e quajtur Dikater është vrarë me arme zjarri shtetasi Hasan Shallari si dhe janë plagosur shtetasit Altin Zhuri dhe Jaçe Hajdari. Është bërë këqyrja e vendit të ngjarjes, pyetja e disa dëshmitarëve si dhe ekzaminimi mjeko-ligjor i të dëmtuarve. Sipas dëshmive të mara rezulton se në datë 15.04.1997 shtetasit Altin Zhuri, Hasan Shallari, Jaçe Hajderasi, Arti (Eduart) Saliasi dhe Benard Alimadhi kanë qenë duke udhëtuar me një mjet tip fugon me targa “KV1083A” që drejtohej nga Altin Zhuri, fillimisht në Kuçovë, më pas kanë shkuar në fshatin Kozare. Kur kanë kaluar në vendin e ngjarjes, mjeti ka qenë duke ecur me shpejtësi normale dhe zërin e kasetofonit e kishin të ngritur, ndërsa në lokalin e shtetasit Besim Gjolena, i cili ishte në krah të rrugës, ndodheshin duke pirë shtetasit Bashkim Hëna, Festim Hasanllari, Leonard Kafazi, Lulzim Haxhillari, Gentian Guri  në verandën e lokalit dhe brenda në lokal kanë qenë të ulur shtetasit E.S e A.C. (Në atë periudhe shtetasi Bashkim Nonë ka qenë efektiv i komisariatit të policisë Kuçovë). Në çastin kur fugoni ka kaluar pranë lokalit të shtetasit Besim Gjolena nuk ka ndaluar, por ka vazhduar rrugën drejt. (Sipas thënive çdo mjet që kalonte pranë këtij lokali duhet të ndalonte për të paguar ato që kishin marë për të pirë shtetasit Bashkim Nonë e Festim Hasanllari). Në momentin që fugoni me targa “KV 1083A”  ka qenë duke ecur në drejtimin Kozarë Kuçovë sa ka kaluar pak përpara lokalit të Besim Gjolenës është qëlluar me armë zjarri nga ky lokal, ku për pasojë ka ngelur i vdekur shtetasi Hasan Shallari dhe janë plagosur shtetasi Altin Zhuri e dëmtuar lehtë shtetasi Jaçe Hajderasi. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes rezulton se janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 14 gëzhoja metalike, ku 6 prej tyre i përkasin kalibrit 7.62 mm, model 56  të qitura nga e njëjta armë dhe 8 gëzhoja të kalibrit 7.62, model 54, të qitura nga tre armë të ndryshme. Nga pyetja e dëshmitarëve të pranishëm në këtë ngjarje rezulton se Bashkim Nonë (Nona) kishte armë automatike, ndërsa Festim Hasanllari kishte pistoletë.

 

Ekspertiza

Më datë 20.05.2012 është bërë zhvarrimi i kufomës dhe këqyrja e skeletit kockor të viktimës, ku gjatë këqyrjes janë administruar në cilësinë e provës materiale tre pjesë metalike të oksiduara, të cilat janë shoqëruar dhe me fotografit kriminalistike. Është përpiluar vendimi për kryerjen e ekspertimit balistik të pjesëve metalike të gjetura gjatë këqyrjes së skeletit të viktimës Hasan Shallari. Nga akti i ekspertimit nr.99, datë 23.03.2012 rezulton se pjesët metalike i përkasin predhave të fishekëve luftarak model 56, kalibër 7.62mm.  Janë dërguar për riekspertim fotot e dëmtimeve të mjetit tip “Ford” me targa “KV0116B”. Në Aktin Nr.327 të ekspertimit Tekniko-Balistik me anë të fotove bërë   dt.24.12.2012 konkludohet se: Dëmtimet në automjet janë shkaktuar me arme zjarri me tytë të gjatë (mund te jetë një automatik model 56, pushkë model 56, pushkë automatike model 63). Drejtimi i qitjes është nga jashtë-brenda, paksa nga lart-poshtë, paksa nga e djathta në të majtë (paksa nga mbrapa-para). Distanca e qitjes nuk mund të përcaktohet. Janë dërguar për ekspertim pjesët metalike të gjetura në trupin e viktimës pas ç’varimit të eshtrave të Hasan Shallari, bërë më datë 20.03.2012 dhe në aktin Nr. 99, datë 23.03.2012  konludohet se: Tre pjesët metalike objekt ekspertimi i përkasin predhave të fishekëve luftarak. Duke analizuar të dhënat dhe faktet e grumbulluara, rezulton se arma që ka shkaktuar vrasjen e shtetasit Hasan Shallari është armë që përdor fishekë model 56, e cila mund të jetë një automatik model 56, pushkë model 56, pushkë automatike model 63. Sipas dëshmive rezulton se ditën e ngjarjes është gjuajtur me automatik vetëm nga shtetasi  i dyshuar Bashkim Nonë.

 

 

Dëshmia e vëllait të viktimës

“ Në datë 15.04.1997, në atë kohë ne banonim në Kuçove, vëllai im ka qenë në një fugon duke ardhur nga fshati Kozare. Vëllai im ka qenë në fugon së bashku me Jaçe Hajdari, Bledi Alimadhi, dhe Arti Saliasi. Fugonin e ngiste Altin Zhuri. Kur fugoni ka kaluar në lagjen Dikater, në afërsi të lokalit që ka pasur Besim Gjolena, fugoni është qëlluar me armë zjarri nga oborri i lokalit. Në këtë moment që është qëlluar me armë mesa më ka thënë babai, vëllai im ka qenë afër derës së fugonit dhe është hedhur në tokë së bashku me Bledar Alimadhin. Nuk e di nëse ishte qëlluar vëllai im në kohën që zbriti nga fugoni, pra nëse plumbi e mori në kohën që ishte në fugon apo kur u hodh nga ai, pasi nuk është shumë e qartë. Personat që qëlluan në drejtim të fugonit duke vrarë vëllanë tim dhe plagosur Jaçe Hajdari e Altin Zhuri ishin dy persona, të cilët ishin të ulur në verandën e lokalit të shtetasit Besim Gjolena, të quajtur Bashkim Nonë dhe Festim Hasanllari, ku Festimi ka qëlluar me pistoletë. Ndërsa Bashkimi ka qëlluar me armë automatike. Këta dy persona kanë qenë në lokal me persona të tjerë, por vetëm këta të dy kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të fugonit, duke vrarë vëllanë tim Hasan Shallari. Në atë kohë ishte rrëmujë për shkak të trazirave dhe asnjë nga autorët që vranë vëllanë tim nuk është arrestuar. Më pas kemi mësuar se Festim Hasanllari është vrarë, ndërsa Bashkim Nonë është aktualisht në Kuçovë. Në deklarimin e tij në date 23.05.2012 shtetasi Erjon Shallari ka shpjeguar se babai i tij Vehbi Shallari i ka shpjeguar se 3-4 ditë pas ngjarjes në shtëpinë e tyre ka shkuar shtetasi Festim Hasanllari (vdekur), i cili ka thënë se: “Nuk e keni nga unë, por atë e ka gjuajtur shtetasi Bashkim Nonë”. Gjithashtu ai ka biseduar me dajën e tij Belul Kryemadhi, i cili i ka thënë se Bashkim Nonë 4-5 ditë pas ngjarjes ka shkuar dhe e ka takuar të afërm të dajos dhe iu ka thënë se dua t’i kërkoj falje Vehbiut, pasi unë e bëra pa dashje, pasi isha në gjendjeje të dehur dhe nuk kam pasur ndonjë gjë me djalin tij.

Share it :