Sonja Caka
I akuzuar për një vrasje të vitit 1999, Elis Zhulati mori pafajësi. Më pas vuajti dënimin e marrë nga drejtësia turke. Familjarët, akuza Prokurorisë
U mbajt padrejtësisht për katër vite në burg dhe këtë e ka konstatuar gjatë përllogaritjes Gjykata e Beratit. Për këtë, familjarët dhe vetë 30-vjeçari i dëmtuar do t’i drejtohen Gjykatës për dëmshpërblim, ndërkohë që ka reaguar edhe Prokuroria, e cila do të apelojë vendimin e gjyqësorit, duke paraqitur argumentet e saj. Gjykata e Beratit ka liruar nga burgu një 30-vjeçar, i cili qëndronte padrejtësisht brenda për 4 vjet. Sipas vendimit të Gjykatës, Elis Zhulati kishte kryer 12 vite burg për vrasje në Turqi dhe ka kryer edhe 4 vite të tjera dënim padrejtësisht në Shqipëri. Gjykata ka deklaruar se Prokuroria ka bërë gabim përllogaritjet. Avokati i 30-vjeçarit kërkon masë ligjore ndaj Prokurorisë, si dhe dëmshpërblim për burgim të padrejtë. Vëllai i Zhulatit kërkon që të merren masa ndaj të gjithë atyre që nuk zbatojnë ligjin. Ndërkohë, ka reaguar edhe organi i akuzës, përkatësisht Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Berat, e cila ka deklaruar se do të apelojë vendimin e dhënë dje nga Gjykata e këtij qyteti, e cila ka dhënë vendimin se është bërë llogaritje gabim në vuajtjen e dënimit të shtetasit Elis Zhulati.
Situata
Sipas akuzës, shtetasi Elis Zhulati dyshohej nga autoritetet shqiptare se kishte kryer një vrasje në vitin 1999 në Berat, por nuk ishte mundur të ndalohej në kohën që ishte dyshuar, pasi ishte larguar jashtë Shqipërisë. Më pas, ky person arrestohet në Turqi, i dyshuar për një vrasje në atë vend dhe u dënua me 12 vjet burg nga Gjykata e Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda në Bakirkoy, Turqi. Por, ky vendim u pezullua dhe hetimet për këtë çështje vijuan në Turqi. Në kohën që ishte liruar dhe jetonte në Turqi, ndaj tij autoritetet shqiptare kishin nxjerrë urdhër kërkimi ndërkombëtar, pasi akuzohej për vrasjen e vitit 1999 në Berat. Pasi ekstradohet nga autoritetet turke dhe në Berat po vijonin hetimet, shtetasi Elis Zhulati gjendej në paraburgim. Ndërkohë, Gjykata e Apelit e Bakirkoyt, Turqi, e dënon me 15 vjet burg këtë shtetas, për vrasjen në Turqi (pra, për atë ngjarje për të cilën e kishin dënuar Shkalla e Parë me 12 vjet dhe kishte vendosur pezullim). Meqenëse ky shtetas gjendej në Shqipëri dhe gjendej në paraburgim për një vrasje të dyshuar në Shqipëri, autoritetet turke kërkuan njohjen e vendimit penal në Shqipëri (pra, dënimin e marrë atje ta vuante në Shqipëri). Pasi iu bë njohja e dënimit, 15 vite burg iu konvertuan në 12 vite burgim në Shqipëri. Ndërkohë, për çështjen në Shqipëri, shtetasi Zhulati qëndroi dy vite në paraburgim dhe, me vendim të Gjykatës së Apelit Vlorë, u shpall i pafajshëm (gjykata e Shkallës së Parë Berat e kishte dënuar me 25 vjet). Por, ndërkohë gjendej në burg për vendimin e Gjykatës së Apelit turk. Pasi është shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Apelit në Shqipëri për vrasjen në vitin 1999, ai kërkon lirimin në Gjykatën e Shkallës së Parë në Berat, duke pretenduar se ka përfunduar dënimin për vrasjen në Turqi, madje është tejkaluar ky afat. Gjykata e rrethit Berat ia ka pranuar këtë kërkesë, duke e konsideruar kohën që ka ndenjur në paraburgim për vrasjen e dyshuar në Shqipëri, si kohë e vuajtjes së dënimit për veprën penale të vrasjes në Turqi. Prokuroria e Beratit nuk është dakord me këtë vendim dhe pritet të bëjë apel.
Shkodër
Tritoli biznesmenit, Gjykata lë në burg minorenin
Gjykata e Shkodrës ka lënë në burg minorenin e akuzuar për vendosje tritoli në banesën e tregtarit nga ky qytet, Bledar Canka. Sipas akuzës së këtij qyteti, 14-vjeçari M. Guri, nga Shkodra, është i dyshuar si bashkëpunëtor në vendosjen e lëndës plasëse në hyrje të banesës së shtetasit Bledar Canka. Prokurori i çështjes, Frederik Laloshi, ka kërkuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për 14-vjeçarin, pasi sipas tij është i dyshuar për veprën penale “Vendosje e lëndës plasëse në bashkëpunim dhe dëmtim të pronës së tjetrit”, si dhe për dy vepra tjera penale: atë të kryerjes së “Marrëdhënieve seksuale me të mitur” dhe “Armëmbajtje pa leje”. I pyetur nga togat e zeza, personi në hetim është shprehur se për sa i përket akuzës së vendosjes së lëndës plasëse, ai “as nuk ka dijeni për këtë ngjarje”. Ndërsa në lidhje me kryerjen e marrëdhënieve seksuale me të mitur ai u shpreh: “Vajzën në fjalë që është mbesa e të dëmtuarit nga shpërthimi e njoh dhe nuk kam kryer asnjë lloj marrëdhënieje me të”. Pikërisht mbrojtja që i ka bërë mbesës së tij 14-vjeçare, sipas policisë, kishte qenë shkaku që i ka shtyrë “të hakmerren” ndaj Cankës, Shkëlzen Xhenia dhe M. G., duke vendosur eksploziv në banesën e biznesmenit. Por, ekspertiza mjekoligjore ka nxjerrë përfundimin se ndaj 14-vjeçares nuk është kryer marrëdhënie me dhunë. M. G. është pyetur edhe për armën, të cilën e mbante pa leje. Ai u shpreh se armën e ka gjetur në një kazan plehrash, ndërsa prindërit e tij do të shkonin ta kthenin në polici. Avokati mbrojtës Gjovalin Ulndreaj ka kërkuar nga trupi gjykues një masë më të lehtë. Në përfundim, gjykata la në burg minorenin 14-vjeçar për akuzat e ngritura ndaj tij. Ndërkohë që mbrëmjen e djeshme është vënë në pranga edhe Shkëlzen Xhenia, i akuzuar si tritolvënës ndaj biznesmenit Canka.
Elbasan
Djali tentoi abuzim seksual me nënën, Gjykata e lë në burg
Gjykata e Elbasanit ka lënë në burg një person, të akuzuar se tentoi abuzim seksual me dhunë me nënën e tij. Sipas organit të akuzës, më datë 25.1.2014, rreth orës 21:30 shtetasja S. L. ka njoftuar në komisariatin e policisë Librazhd se djali i saj Astrit Miska, duke ushtruar dhunë ka kryer marrëdhënie seksuale me të. Shtetasja S. L. ka qenë e martuar me shtetasin R. Miska, i cili ka vdekur në vitin 1992. Nga kjo martesë kanë lindur 5 fëmijë, ndër të cilët Astrit Miska. Më pas, shtetasja S. L. është martuar me shtetasin A. L. Sipas kallëzimit dhe sipas deklarimeve të shtetasit Astrit M., rezulton se “shtetasi Astrit M. ka shkuar më dt. 25.1.2014, në mbrëmje në shtëpi dhe i ka kërkuar të ëmës që të dilnin në hajat për të diskutuar diçka. Pasi kanë dalë në hajat, Astrit M. e ka rrëmbyer me forcë të ëmën, i ka hequr një pjesë të rrobave të poshtme dhe ka tentuar të kryejë marrëdhënie seksuale, por pa ia arritur qëllimit për shkak të pamundësisë fizike të tij në atë moment”. Fakti që veprimi ka mbetur në tentativë provohet edhe nga ekspertiza mjekoligjore, e cila me shkresën e datës 26. 1.2014, ka dhënë konkluzionet se nuk ka dhunë në trupin e kallëzuese dhe nuk ka shenja të kryerjes së marrëdhënieve seksuale. I pyetur në lidhje me këtë ngjarje si person ndaj të cilit zhvillohen hetime me datë 26.1.2014, Astrit Miska ka deklaruar se e pranon që ka tentuar të kryejë marrëdhënie seksuale me të ëmën: “Për këtë veprim që unë kam bërë jam shumë i penduar dhe i kërkoj falje nënës”. Akuza që rëndon tashme mbi Miskën është “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me persona në gjini ose kujdestari”.




