U fali 43 familjeve përfitime në kundërshtimin me ligjin, dëmi financiar rreth 4 mln lekë
Prokuroria e Korçës dërgon për gjykim kërkesën ndaj shtetases Lisabeta Vezuli, përgjegjëse për Ndihmën Ekonomike të Personave me Aftësi të Kufizuar (PAK) në Bashkinë Leskovik, akuzuar për “Shpërdorim detyre”. Nga hetimi ka rezultuar se e pandehura, nëpërmjet veprimeve të saj, u ka dhënë në mënyrë abuzive rreth 43 familjeve dhe mbi 25 personave përfitime financiare në kundërshtim me ligjin. Nga veprimet e shtetases Vezuli, shteti i është shkaktuar një dëm financiar në vlerën rreth 4 milionë lekë të reja. Prokuroria e Korçës e ka nisur këtë hetim, bazuar në kallëzimin e dorëzuar nga Shërbimi Social Shtetëror pranë Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.
Dosja
Në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Korçë është depozituar kallëzimi penal i Shërbimit Social Shtetëror pranë Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dërguar me shkresën, datë 7.1.2014 në ngarkim të shtetases Lisabeta Vezuli, me detyrën e përgjegjëses së seksionit të Ndihmës Ekonomike dhe PAK në Bashkinë Leskovik, Korçë. Nga materiali kallëzuesi i mësipërm ka rezultuar se pas një kontrolli të ushtruar në Bashkinë Leskovik për periudhën janar 2012-nëntor 2013 lidhur me realizimin e detyrave të lëna nga kontrolli i mëparshëm dhe zbatimin e legjislacionit për përfitimin e pagesës për ndihmë ekonomike dhe aftësisë së kufizuar janë evidentuar një tërësi shkeljes, të cilat në vlerësim të kallëzuesit përbëjnë elementë të veprës penale. Referuar edhe aktit te kontrollit bashkangjitur këtij kallëzimi janë evidentuar rreth 43 familje, të trajtuara me ndihmë ekonomike, duke i shkaktuar dëm ekonomik shtetit në vlerën 2.915.381 lekë për periudhën janar 2012-gusht 2013. Njëkohësisht 11 persona, me aftësi të kufizuara kanë mangësi në dokumentacion, duke i shkaktuar një dëm ekonomik shtetit në masën 323.000 lekë. Ka pasur një rast tek personat me aftësi të kufizuar që përfiton një pagese me masën 200% me një efekt financiar 76.000 lekë, 2 raste me pagesë 300% me një efekt financiar prej 304.000 lekë, një pagesë kujdestarie me një efekt financiar prej 114.000 lekë, konstatimi e 7 rasteve të pagesave të personave para dhe tetraplegjikë, 5 persona që përfitojnë pagese verbërie dhe kujdestarie, 62 raste tek invalidët e punës pa dokumentacionin e duhur ligjor. Pas administrimit të këtij materiali kallëzuesi nga ana e organit procedues janë kryer një tërësi veprimesh hetimore për të konkluduar në ekzistencën e veprës penale dhe për të individualizuar përgjegjësinë penale.
Itali/ Sekuestrohen 2 tonë marijuanë, pranga 4 trafikantëve shqiptarë
Një operacion antidrogë në Itali ka rezultuar me sekuestrimin e mbi 2 tonëve marijuanë dhe arrestimin e 4 shqiptarëve dhe një gruaje italiane. Agjencitë e lajmeve italiane bëjnë me dije se forcat e policore të ndërhyrjes së shpejtë në Prato, në bashkëpunim me skuadrën ajrore të Romës dhe policinë antitrafik kanë finalizuar me sukses një superoperacion antidrogë, duke bërë të mundur sekuestrimin e 2.2 tonë marijuane si dhe arrestimin e 5 personave, mes tyre katër shqiptarë dhe një grua italiane. Droga prej 2 tonë e 200 kg marijuanë nëse do të hidhej në treg sipas policisë do të kapte vlerën e 2.5 mln eurove. Në pranga kanë rënë shqiptarët Geri Rucaj 34 vjeç, Shefqet Cenaj 35 vjeç, Admir Musara 37 vjeç, Luisen Mamo 23 vjeç, si dhe një grua italiane Giuseppina Di Marzio 42 vjeç. Të pestë personat konsiderohen si korrierë të kësaj sasie të madhe droge. Droga u kap pikërisht në Puglia, në një plazh bosh pranë grykëderdhjes së lumit Ofanto ku u pikas gomonia me marijuanë që vinte nga Shqipëria. Gjjithmone sipas policisë italiane, katër shqiptarët kishin hyrë në Itali me një vizë turistike të rregullt. Policia ka ngritur ndaj shqiptarëve dhe gruas italiane akuzën e trafikimit të drogës, por edhe të armëve dhe municioneve, pasi në gomonen me të cilin po udhëtonin u është gjetur veç drogës dhe një sasi prej 537 copë fishekësh automatiku. Mësohet se operacioni policor është realizuar në disa faza përgjatë mëngjesit të së premtes dhe mbrëmjes së të shtunës. Hetimet kishin nisur disa muaj më parë, kur policia ishte vënë në ndjekje të disa të dyshuarve maroken të cilët frekuentonin një bar në Prato, i cili frekuentohej edhe nga Mamo, më i riu i shqiptarëve të arrestuar.
Policia/ 10 mijë lekë të reja në këmbim të provimit, pranga pedagogut të anglishtes
Skuadra e antikrimit financiar e policisë së Tiranës ka arrestuar për korrupsion profesorin e anglishtes në Universitetin Bujqësor në Kamëz, Alfred Çaushi. Pedagogu 39-vjeçar, sipas policisë, është arrestuar teksa merrte nga 10 mijë lekë të reja për provimin e gjuhës së huaj nga studentët e vitit të dytë. Çaushi është shoqëruar në ambientet e sigurisë së lartë të izolimit në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, ku është arrestuar dhe i është komunikuar akuza e korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike. Sipas policisë, ka pasur disa sinjalizime dhe kallëzime nga vetë nxënësit për shumat e parave që u merrte pedagogu, si indice për nisjen e hetimeve për të. Mësohet se ditën e djeshme pedagogu ka dashur të mbyll një marrëveshje me një student, të cilit i ka dhënë listën e 10 përgjigjeve të testit, duke e këshilluar që në provim të shkruante vetëm emrin dhe mbiemrin, bashkëngjitur listës së përgjigjeve. Ndërsa i ka dhënë çelësat e makinës, duke i kërkuar që lekët t’ia fuste në automjet. Pasi studenti i ka çuar lekët në destinacion, i ka dhënë çelësin pedagogut. Sapo Çaushi ka dalë jashtë i janë vënë prangat. Materialet procedurale ju kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në ngarkim të shtetasit Alfred Çaushi, për veprën penale të “Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”. Nëse akuzat e policisë do të provohen, atëherë Pedagogu Alfred Çaushi sipa kodit penal rrezikon dënimin me burg nga dy deri në tetë vjet dhe me gjobë nga pesëqind mijë deri në tre milionë lekë.
Tiranë/ I penduari i bankës së tritolit i vë flakën qelisë, shpëtohet nga gardianët
Ndriçim Gjokona i vë flakën krevatit në qelinë e burgut 313 në Tiranë. I penduari i “Bandës së tritolit”, i cili shërbeu si provë e fortë për policinë për zbërthimin e të ashtuquajturës “Banda e bombave C4”, ka djegur krevatin dhe rrobat e tij në burg. Fatmirësisht nga zjarri nuk ka pasur të lënduar. Drejtoria e Përgjithshme e burgjeve shprehet se mbeten ende të paqarta shkaqet pse Ndriçim Gjokona ndërmori këtë veprim, por burimet thonë se herë pas here ai ka shfaqur shenja frike edhe për shkak të qëndrimit në të njëjtin burg me Juljan Sinanaj, vrasësin me pagesë dhe një prej anëtarëve kryesorë të bandës së tritolit të denoncuar nga vetë Gjokona. Dëshmia e Gjokonës, i cili pranoi se kishte qenë pjesë e një bande kriminale që kryente vrasje përmes shpërthimeve me eksploziv, e çoi policinë në identifikimin dhe kapjen e vrasësit me pagesë Julian Sinanaj, pak muaj më parë. Ndriçim Gjokona dhe Sinanaj kishin pasur mosmarrëveshje me njëri-tjetrin për prishje pazaresh, pasi i penduari e furnizonte atë me lëndë plasëse, ndërsa në këmbim merrte para ose ndonjë apartament. Për shkak të përplasjes dhe nga frika e ndonjë ekzekutimi të mundshëm, Gjokona iu drejtua “News 24” dhe policisë, ku rrëfeu gjithçka dinte. Kështu, pak ditë pas marrjes së dëshmisë së tij, policia arrestoi Julian Sinanajn, konkretisht më 25 janar 2014, i cili dyshohej për vrasje me pagesë. Sinanaj pranoi pa hezitim të bashkëpunonte me drejtësinë, duke rrëfyer krimet e kryera prej tij, që nga vrasja e Sokol Veizit në Vlorë, vrasjen e biznesmenit Agron Çela, vënien e tritolit në shtëpinë e Ardian Kollozit, e plot krime të tjera të rënda.




