Projekti Smart-City’/ Këlliçi: Pas fotos në Abu Dabi, Rama fsheh një skandal 118 milionë dollarësh

Projekti Smart-City’/ Këlliçi: Pas fotos në Abu Dabi, Rama fsheh një skandal 118 milionë dollarësh

Deputeti i PD, Belind Këlliçi, akuzon kryeministrin Edi Rama për një tjetër aferë në projektin “Smart City”, pas vizitës së tij në Abu Dabi dhe takimit me drejtuesin e kompanisë G42. Sipas tij, një kontratë fillimisht e parashikuar në rreth 60 milionë dollarë është rritur ndjeshëm deri në 118 milionë dollarë, pa garë dhe pa transparencë, duke ngritur pikëpyetje për mënyrën e prokurimit dhe kostot reale të projektit.

Këlliçi thotë se rritja e fondeve dhe përzgjedhja e kompanisë lidhen me një praktikë të përsëritur të qeverisë në kontrata publike, ku mungesa e konkurrencës dhe transparencës, sipas tij, shoqërohet me dyshime për keqmenaxhim të fondeve publike dhe rreziqe për sigurinë kombëtare.

Edi Rama na tregon sërish me foto gjurmët e një skandali!

Gjatë një vizite në Abu Dabi, Edi Rama ka takuar drejtuesin e kompanisë G42, Peng Xiao, të cilit i ka dhënë pa tender, pa garë, 118 milionë dollarë prokurim për projektin Smart City.

Një aferë e debatueshme në shumë drejtime.

Së pari, shuma fillestare për këtë projekt ishte parashikuar 60 milionë USD. Por më pas, papritur, ajo gati dyfishohet. I shtohen dhe 50 milionë euro. Diku e kemi ndeshur më parë një histori të ngjashme?! Po, tek tuneli i Llogarasë.

Edhe në atë rast, fotoja e Ramës më drejtuesit e kompanisë turke, i parapriu shtimit të 50 milionë eurove në kontratë. Para që avulluan dhe puna u krye me fondin e mëparshëm.

Për aferën e Smart City ka pasur dhe më parë denoncime. Është konstatuar se pajisjet që do të përdoren për mbulimin e vendit me kamera, janë caktuar si zëra, 3 deri në 4 herë më shtrenjtë se sa ato kushtojnë në treg.

Por pjesa më e dyshimtë ka të bëjë me kompaninë që i është dhënë ky projekt dhe kjo prek sigurinë kombëtare.

G42 është me lidhje të forta me Kinën, për të cilën janë ngritur shqetësime dhe në Kongresin e Shteteve të Bashkuara.

Dhe pikërisht këtij grupimi Edi Rama ka vendosur t’i japë të dhënat më sensitive, dhe elementin bazik të sigurisë kombëtarë, që është vëzhgimi me kamera në gjithë territorin.

Këto aventura të Edi Ramës që nisin me udhëtime e mbulohen me propagandë, në shumë raste kanë rezultuar ujdi financiare të dëmshme për vendin, të kryera sipas interesave e miqësive personale të kryeministrit, pa transparencë dhe në errësirë.

Share it :
Mato: Pastrimi i parave në ndërtim po lë të rinjtë pa strehë: Të monitoren transaksionet Në një kohë kur Tirana dhe zonat turistike të Shqipërisë përjetojnë një bum të jashtëzakonshëm ndërtimi, me kulla që ngrihen çdo ditë, një pyetje thelbësore po shqetëson gjithnjë e më shumë publikun: nga vijnë të gjitha këto para? Alarimin e ngriti Fanswa Mato, anëtar i departamentit “Brain Gain” në PD, i cili nga tryeza e diskutimit ‘Qeveria e Pasigurisë – dhe alternativa e opozitës’, denoncoi se pas fasadës së projekteve luksoze fshihet fenomeni i pastrimit të parave, duke e deformuar tregun dhe duke e bërë të pamundur për qytetarët e zakonshëm blerjen e një shtëpie. Mato, një profesionist me përvojë në menaxhimin e ndërtimit në Neë York, thekson paradoksin e hidhur të realitetit shqiptar: ndërsa miliona metra katrorë ndërtohen çdo vit, çmimet e apartamenteve kanë arritur nivele të papërballueshme për familjet mesatare. Fanswa Mato: Përvoja ime personale më ka dhënë mundësi të punoj në një mjedis ku standardet, transparenca dhe rezultatet konkrete janë thelbësore. Pikërisht kjo eksperiencë më motivon të kontribuoj me njohurinë dhe përvojën time për çështjet që lidhen me zhvillimin, mirëqenien dhe të ardhmen e Shqipërisë. Sot dua të flas për një nga problemet më serioze që po dëmton ekonominë shqiptare dhe po rëndon jetën e qytetarëve tanë: pastrimin e parave në sektorin e pasurive të paluajtshme dhe në ndërtim. Gjatë viteve të fundit kemi parë një bum të jashtëzakonshëm ndërtimesh, sidomos në Tiranë dhe në zonat turistike, ku kulla të reja ngrihen çdo ditë, projekte luksoze shtohen me ritme të shpejta dhe miliona metra katrorë ndërtohen çdo vit. Por pyetja që ushtrojnë shqiptarët është shumë e thjeshtë: nga vijnë të gjitha këto para? Sepse realiteti është ky: ndërsa ndërtohet gjithnjë e më shumë apartamente, qytetarët shqiptarë e kanë gjithnjë e më të vështirë të blejnë një shtëpi. Çmimet janë rritur në nivele të papërballueshme për familjet e zakonshme. Të rinjtë nuk arrijnë të sigurojnë një strehim, ndërsa shumë apartamente mbeten bosh dhe përdoren vetëm si instrumente financiare. Ky është paradoksi i Shqipërisë sot. Në njërën anë kemi një mbingopje me ndërtime, nga ana tjetër kemi mungesë strehimi për qytetarët. Kjo nuk është ekonomi normale tregu. Kjo është pasojë e deformimit të tregut nga paratë informale dhe nga mungesa e kontrollit shtetëror. Sipas të dhënave dhe analizave të institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare, Shqipëria ka pasur për vite me radhë probleme serioze në luftën kundër pastrimit të parave dhe organizata të rëndësishme ndërkombëtare kanë evidentuar dobësi në kontrollin financiar dhe në monitorimin e sektorit të ndërtimit. Gjatë analizës së këtij fenomeni, janë përdorur të dhëna nga institucione si Banka e Shqipërisë, INSTAT, Agjencia e Inteligjencës Financiare dhe FATF. Janë zhvilluar gjithashtu biseda me profesionistë të tregut, agjentë imobiliar, noterë dhe ekspertë financiarë. Të gjitha këto tregojnë se ekziston një shqetësim real për mënyrën se si fondet e dyshimta depërtojnë në ekonominë shqiptare. Mekanizmat janë të ndryshme. Në shumë raste përdoren kompani me burime financiare të paqarta, përdoren pagesa të mëdha kesh, transferta të dyshimta dhe forma të tjera që e bëjnë të vështirë gjurmimin e origjinës së parave. Në disa raste kemi dhe kompani që nuk justifikojnë nivelin e investimeve që realizojnë. Dhe kush e paguan koston e kësaj situate? E paguajnë qytetarët shqiptarë, e paguajnë familjet e reja, e paguajnë bizneset e ndershme, e paguan ekonomia e vendit. Sepse kur paratë e paligjshme futen në treg, konkurrenca bëhet e padrejtë. Çmimet rriten artificialisht, korrupsioni forcohet, besimi tek shteti dobësohet dhe në fund humb qytetari i zakonshëm që punon me ndershmëri. Si opozitë, ne kemi detyrimin moral dhe politik të ngremë zërin për këtë problem. Shqipëria nuk mund të ndërtojë të ardhmen mbi ekonomi informale dhe mbi mungesë transparence. Ne kemi nevojë për institucione të forta, për kontroll real financiar dhe për shtet ligjor funksional. Ne kërkojmë rritje të transparencës në transaksionet e pasurive të paluajtshme, kufizim të pagesave kesh në sektorin e ndërtimit, kontroll më të fortë mbi burimin e fondeve, monitorim më rigoroz të kompanive të ndërtimit, bashkëpunim më të madh mes institucioneve financiare dhe organeve ligjzbatuese. Ky nuk është thjesht një debat politik. Ky është një debat që prek ekonominë e vendit, të ardhmen e të rinjve dhe mundësinë që qytetarët shqiptarë të jetojnë me dinjitet në vendin e tyre.