Anxhela Tato
Fëmijëria e vështirë, divorci i prindërve dhe mungesa e dashurisë krijuan “njeriun bombë”
Dobësia e vrasësit, djali i Agron Çelës, i rikthen në kujtesë fëmijërinë në një familje të paqëndrueshme
Ndarja e prindërve dhe mungesa e dashurisë shndërruan Julian Sinanajn në një vrasës gjakftohtë me pagesë, i cili nuk ka dhembshuri ndaj askujt. Ky është përshkrimi i dhënë nga psikologia, e cila gjatë kësaj jave ka zhvilluar një bisedë me të cilësuarin si njeriu bombë. Elementi kyç i bandës së atentateve me pagesë, i cili bart peshën e 27 vrasjeve, është një person i mbyllur në vetvete, i shndërruar në një makinë vrasëse. I vetmi moment dobësie për 31-vjeçarin ka qenë vrasja e Agron Çelës, ku ishte i pranishëm edhe fëmija i mitur i biznesmenit. Juliani e përshkruan këtë si të vetmin moment kur ka ndier pendesë për çka po bënte. Sipas psikologes, kjo do të thotë se fëmija Julianit i kujton veten e tij, i cili u rrit në një familje të copëtuar mes dy prindërve që u divorcuan pas shumë konfliktesh. E vetmja periudhë kur Julian Sinanaj e ka ndier veten si pjesë e një familjeje, ka qenë kur u rekrutua në Greqi nga një bandë që e shndërroi në vrasës. Aty Juliani u njoh me një realitet tjetër, me persona të cilët e mësonin dhe i jepnin atë çka ai kërkonte.
Analiza
Pas bisedës me Julian Sinanajn psikologia ka arritur në përfundimin se ai vjen nga një fëmijëri e vështirë dhe nga një familje me probleme dhe kontradikta. Sipas psikologes, Juliani ka kaluar një fëmijëri të vështirë, çka ka ndikuar tek ai në formimin e karakterit të mbyllur, jo shumë social dhe individualist. Ndarja e prindërve është drama e jetës së Julian Sinanajt, përballja me skenat e dhunës në shtëpi dhe mungesa e dashurisë ka bërë që Juliani të vërë një barrierë duke u izoluar. Në aktin e parë të ekspertizës thuhet se Juliani është një njeri shumë i ftohtë në qëndrim dhe komunikim, jo i aftë që të shfaqë emocione dhe ndjenja, të kuptojë se çka përjeton. Juliani është rritur me dy prindër që nuk kanë arritur t’i përcjellin dashuri. Ndarja dhe rimartesa e tyre ka qenë për Julianin një shenjë egoizmi, pasi prindërit nuk kanë menduar për asnjë moment për të që ishte vetëm një fëmijë. Mungesa e komunikimit dhe interesit nga ana e mamasë dhe babait ka bërë që Juliani të zgjedhë babanë, duke e parë si shëmbëlltyrën e forcës dhe dominimit në shtëpi. Juliani është rritur i vogël në një ambient konflikti, çka ka bërë që ai njeri të ngurtësohet brenda vetes, duke mos shfaqur interes ndaj asgjëje. Një faktor tjetër sipas psikologes është largimi në Greqi pas krimit në Vlorë, kur Juliani është shoqëruar me persona me precedentë penalë dhe është ambientuar me këtë grup, duke e parë si një lloj familjeje. Juliani thotë se është rekrutuar në Greqi dhe kur flet për këtë pjesë, shfaq një lloj respekti dhe vlerësimi ndaj këtyre njerëzve, të cilët, me sa duket, kanë arritur t’i japin idenë e familjes, duke u përkujdesur dhe duke e mësuar të vrasë. “Juliani është një njeri shumë gjakftohtë dhe i ngurtë, duke mos shfaqur dhembshuri për askënd, por vetëm për djalin e viktimës Agron Çela, çka tregon se vrasësi preket për fëmijët, sepse i kujton fëmijërinë dhe veten”, – pjesë e ekspertizës. Vdekja e babait për Julianin është diçka krejt normale dhe pa ndjenja, siç është vrasja. “Është interesante që të ardhurat nga krimet Juliani i hidhte në llogari bankare në emër të motrës dhe nënës biologjike, çka tregon një dëshirë të tij për të mbajtur lidhje dhe për të pasur familje”. Këto ngjarje kanë formuar një njeri që mund të vrasë pa ndier mëshirë, një njeri të mbyllur në vetvete, të paaftë për të kuptuar se çfarë po bën, një njeri që e shikon vrasjen si një biznes pa përjetuar asgjë.
“Radiostacioni”
Arrestohet banda e grabitësve të bakrit, i shisnin për skrap
Prangoset banda e hajdutëve të skrapit nga ana e forcave të policisë së Durrësit. Operacioni i quajtur “Radiostacioni” ka arrestuar Jetmir Dedajn, 19 vjeç; Ismail Dedajn, 18 vjeç, dhe Mirjan Dedajn, 19 vjeç. Tre të rinjtë janë kapur në flagrancë në orën 02:00 të mëngjesit teksa po tentonin të vidhnin tela bakri në antenat e Radiostacionit Rreth, në Komunën Xhafzotaj. Në cilësinë e provës materiale janë gjetur dhe sekuestruar sendet e vjedhura, një palë pinca, një palë gërshërë, doreza e materiale të tjera që shërbenin për prerjen e telave. Në ngarkim të tre të arrestuarve është ngritur akuza e vjedhjes së kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë. Nga puna hetimore e policisë u arrit të dokumentohet me prova ligjore se të tre të arrestuarit në bashkëpunim me shtetasit Kastriot Tërshalla, 31 vjeç, dhe Adriatik Tërshalla, 23 vjeç, në kohë të ndryshme gjatë periudhës së fundvitit 2013 dhe fillimit të vitit 2014, kanë kryer edhe disa vjedhje të tjera në Radiostacionin Rreth. Kastriot Tërshalla dhe Adriatik Tërshalla u shpallën në kërkim prej policisë. “Më datë 12.1.2014 kanë vjedhur një sasi prej 540 metër linear tel bakri në Antenat e Radiostacionit të Rrethit, të cilin e kanë shitur në një pikë grumbullimi skrapi në Tiranë; ngjarje për të cilën ka filluar procedimi penal pa autor në vitin 2014, i cili ishte në hetim nga ana jonë. Më datë 20.12.2013 kanë vjedhur një sasi prej 500 metrash linearë tel bakri në antenat e Radiostacionit të Rrethit të cilën e kanë shitur në një pikë grumbullimi skrapi në Tiranë”, – thuhet në njoftimin për shtyp të Drejtorisë së Policisë së Durrësit. Nga analizimi i provave dhe hetimet e para të zhvilluara rezulton se këta persona realizonin vjedhjet, duke u organizuar dhe funksionuar në formën e një grupi kriminal. Policia po punon në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës për bashkimin e këtyre procedimeve dhe dokumentimin me prova ligjore të veprimtarisë kriminale të tij në tendencën e vjedhjes.
Tiranë
Bie nga skela punëtori, në gjendje të rëndë
Një punonjës ndërtimi ka rënë aksidentalisht nga kati i 3-të i një pallati në ndërtim dhe për pasojë është plagosur rëndë. Mësohet se punonjësi ka qenë duke punuar, në kohën kur ka rënë nga skela. Ngjarja ka ndodhur në një pallat në ndërtim tek Unaza e Re, ndërsa i plagosuri është dërguar me urgjencë në Spitalin Ushtarak, por gjendja e tij mbetet e rëndë. Nga ana e forcave të policisë janë nisur hetimet për të zbuluar nëse pallati kishte kushtet e kërkuara nga ligji për sigurinë dhe garantimin e jetës së punëtorit. Gjithashtu, pjesë e hetimeve do të jetë për të zbuluar nëse punëtori ka pasur kontratë sigurie të lidhur nga ndërtuesit. Pritet marrja në pyetje e punonjësve të tjerë dhe të afërmve të punëtorit.
Durrës
Policia Rrugore, 164 gjoba brenda ditës
Policia Rrugore e Durrësit ka vënë 164 masa administrative për shkelësit e ligjit. Janë në total 38 gjoba për mosvendosje të rripit të sigurimit, 11 gjoba për parkim të gabuar, 52 gjoba për ndalim qëndrimi dhe 3 gjoba për xhama të zinj. Ndërkohë nga komisariati i policisë së Durrësit janë caktuar 7 masa administrative dhe janë bllokuar 4 automjete. Ndërsa nga Policia Rrugore e Krujës janë vënë 32 gjoba, 1 komision dhe 1 automjet i bllokuar. Nga ana tjetër, Policia Rrugore Shijak ka vendosur 52 gjoba dhe 7 komisione. Ky aksion është në kuadër të masave për evidentimin e shkeljeve nga drejtuesit e mjeteve.




