Procedura për të hapur një biznes të ri/ Ja sa është pagesa e kontributeve shoqërore dhe shëndetësore  

 

business_meetingPërpara fillimit të veprimtarisë ekonomike dhe për efekt të pagesës së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, fillimisht ju duhet të regjistroheni në Qendrën Kombëtare të Licencimit (QKL). Më pas, ju duhet të paraqisni pranë Agjencisë së Sigurimeve Shoqërore kopjen e certifikatës së identifikimit të personit të tatueshëm. Agjencia e Sigurimeve Shoqërore, mbështetur në këtë dokument, realizon regjistrimin tuaj në organet e sigurimeve shoqërore. i vetëpunësuari, dy ditë pas regjistrimit në QKL, duhet të dorëzojë në organin tatimor listën e punonjësve të papaguar të familjes, me të cilët punon e bashkëjeton, formularin E-SIG 027/a “Pasqyra e të punësuarve për herë të parë, atyre rishtazi, si dhe e të larguarve nga puna”. “Punëdhënës” quhen të gjithë personat fizikë e juridikë, që punësojnë persona të tjerë me ose pa kontratë.

 

Si bëhet llogaritja e kontributeve?

Të vetëpunësuarit dhe personat e papaguar të familjes që ushtrojnë veprimtari ekonomike, sigurohen në mënyrë të detyrueshme për barrëlindje, pensione dhe sigurim shëndetësor. Kontributet e sigurimeve shoqërore për vete dhe për punonjësit e papaguar të familjes, mbi 16 vjeç, që punojnë e jetojnë ligjërisht, llogariten mbi bazën e pagës mujore minimale, e cila duke filluar nga data 1.8.2013 e në vazhdim është 19 026 lekë në muaj. Për kontributet e sigurimeve shoqërore ju paguani 23% të pagës minimale mujore prej 19 026 lekësh, e barabartë kjo me 4 376 lekë në muaj. Për kontributet e sigurimeve shëndetësore ju paguani 3.4%të dyfishit të pagës minimale mujore 19 026 lekësh, pra 1 294 lekë në muaj.

 

Cilat janë afatet e pagesës së kontributeve?

Kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore paguhen çdo tremujor, brenda datës 20 të muajit të parë, pas përfundimit të çdo tremujori kalendarik. Pra, jo më vonë se datat: 20 prill, 20 korrik, 20 tetor, 20 janar. Kujdes: Nëse kontributet nuk paguhen në kohë, zbatohen penalitete.

 

Ku dhe si mund të paguhen kontributet?

Ju mund t’i paguani kontributet e detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në filialet e bankave të nivelit të dytë ose të postës shqiptare sha. Pas pagesës së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore ju dhe pjesëtarët e familjes me të cilët ju punoni do të pajiseni nga Agjencia e Sigurimeve Shoqërore me librezën e kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore.

 

Cilat janë detyrimet si punëdhënës:

Në mbështetje të Kodit të Punës punëdhënësi është i detyruar të nënshkruajë një kontratë pune me punëmarrësit, me kohë të plotë ose të pjesshme. Punëdhënësi duhet të mbajë regjistra për periudhën e marrëdhënieve të punës dhe shumat e paguara për çdo punëmarrës, me kohë të plotë ose të pjesshme. Të bëjë sigurimin e çdo punëmarrësi, me kohë të plotë ose të pjesshme, duke filluar nga data e fillimit të punës, sipas përcaktimit në kontratën e punës ose në aktin e emërimit. Të bëjë llogaritjen, deklarimin dhe pagesën e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, brenda afateve të përcaktuara për çdo punëmarrës.

 

Kontributet

Llogaritja e kontributeve të sigurimeve shoqërore për çdo punëmarrës individual mbështetet në pagën bruto mbi kufirin e pagës minimale mujore, deri në kufirin e pagës maksimale mujore. Paga bruto evidentohet në listëpagesën tip, e cila është dokumenti bazë për evidentimin e kontributeve individuale. Llogaritja e kontributeve të sigurimeve shëndetësore për çdo punëmarrës individual mbështetet në pagën bruto mbi kufirin e pagës minimale, pa kufi nga lart. Paga bruto evidentohet në listëpagesën tip, e cila është dokumenti bazë për evidentimin e kontributeve individuale. Paga bazë minimale mujore për punonjësit për efekt të llogaritjes së kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në shkallë vendi është 22 000 lekë, ndërsa paga maksimale për sigurim shoqërore është 95 130 lekë.

 

Pagesat

Pagesa e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore kryhet nga punëdhënësi sipas afateve të përcaktuara me ligj. Dokumentet bazë për pagesën e tyre janë bashkangjitur në Aneksin e këtij Manuali. Punëdhënësi ka detyrim ligjor për llogaritjen, deklarimin dhe pagesën e kontributeve në kohën dhe masën e duhur. Listëpagesa është një deklaratë e subjektit, në të cilën evidentohen kontributet individuale, dhe si e tillë, në mbështetje të ligjit nr. 9920, datë 19.5.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, tatimpaguesi që nuk lëshon deklaratën tatimore në afat dënohet me gjobë me 10 000 lekë, për çdo deklaratë tatimore të padorëzuar. Punëdhënësi, i cili nuk ka deklaruar në organin tatimor çdo të punësuar rishtazi, të paktën 48 orë përpara fillimit të punës, përveç detyrimit për pagimin e shumës së kontributeve të papaguara, detyrohet të paguajë edhe një gjobë 10 000 – 20 000 lekë për çdo rast. Punëdhënësi duhet të dorëzojë rregullisht sipas afatit të caktuar listëpagesat, të cilat janë i vetmi dokument, që vërteton pagesën e kontributeve për çdo punonjës. Listëpagesa është dokumenti bazë për dhënien dhe llogaritjen e përfitimeve për çdo punonjës, si dhe vërtetimeve të kërkuara prej tyre.

 

Si bëhet pajisja e punëmarrësve me librezat e kontributeve

Instituti i Sigurimeve Shoqërore pajis punëdhënësit me librezat e kontributeve të sigurimeve, shoqërore dhe shëndetësore, sipas kërkesave që bëhen pranë këtyre organeve. Punëdhënësi i pajis të punësuarit me librezën e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, dhe e plotëson çdo muaj, në datën e pagesës së pagës mujore.

Mbështetur në Ligjin për sigurimet shoqërore, punëdhënësit duhet të llogarisin dhe të paguajnë për punëmarrësit e tyre përfitimet afatshkurtra, si për sëmundje ashtu edhe për barrëlindje. Kur punëmarrësi është i sëmurë ose përkujdeset për fëmijën e sëmurë, që ka në ngarkim, të vërtetuar me raporte mjekësore, kontributet për sigurimet shoqërore e shëndetësore deri në ditën e 14 me raport mjekësor deklarohen njëlloj sikur punëmarrësi të mos jetë i sëmurë dhe paguhen sipas përcaktimit në Kodin e Punës, ndërsa nga dita e 15 e raportit mjekësor punëmarrësi i siguruar ka të drejtë të marrë përfitime për paaftësi të përkohshme nga fondet e sigurimeve shoqërore.

Share it :