Sonja Caka
Konflikti për një pronë të pretenduar nga dy familjet, Traga dhe Shehu, viktima. Përplasja me armë, dy të vdekur dhe tre të plagosur
Vrasja për shkak të një konflikti pronësie në plazhin e Durrësit rrezikon që ta lërë përjetë në burg piktorin durrsak Ardian Traga, i akuzuar për vrasjen e dyfishtë të ndodhur një vit e gjysmë më parë. Kërkesa erdhi dje nga organi i akuzës në Kavajë, i cili kërkoi dënimin me “Burgim të përjetshëm” të të pandehurit Adrian Traga për vrasjen e dy personave dhe plagosjen e një tjetri, ndërsa për “Armëmbajtje pa leje” Prokuroria kërkoi 6 vite burg. I pandehuri Ardian Traga akuzohet për vrasjen e Sulejman Shehut dhe Durim Pashalliut, ngjarje e ndodhur në mesditën e datës 25 korrikut të vitit 2012. Akuzat që rëndojnë ndaj Ardian Tragës janë “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, “Vrasje e mbetur në tentativë” dhe “Armëmbajtje pa leje”. Ndërkohë, për kushëririn e piktorit të të pandehurit, Leonard Tragën, Prokuroria kërkoi dënimin me 3 vite burg për bashkëpunim me autorin e krimit. Arrestimit i 33-vjeçarit Traga u bë në korrik të vitit të kaluar, pasi ishte shpallur në kërkim pas ngjarjes.
Krimi
Krimi ndodhi në afërsi të molit me gurë të ndërtuar buzë detit, pranë shezlongeve të rezortit, pjesë e pronës së pretenduar nga Traga, por edhe nga Shehu. Dy palët janë përplasur e për pasojë kanë gjetur vdekjen Sulejman Shehu dhe Durim Pashallari, respektivisht të moshave 49 dhe 50 vjeç, si dhe janë plagosur Erjon Shehu dhe nëna e tij Beglije Shehu. I plagosur ka mbetur edhe i arrestuari Ardian Traga. Nga hetimet rezulton se konflikti ka nisur fillimisht mes rojës së rezortit “Ura Li”, Durim Pashallari, objekt i cili është në pronësi të shtetasit Ardian Traga dhe Sulejman Shehu, punonjës i një Shoqërie të Ruajtjes dhe Sigurisë Fizike në Tiranë, i cili rezulton se më parë ka punuar me forcat speciale, e që në atë kohë administronte edhe një hotel pranë vendngjarjes. Në këtë konflikt janë përfshirë gruaja e Sulejmanit, Beglija dhe djali i tij, Erjoni. Gjithashtu, veç tyre në konflikt janë përfshirë edhe vëllezërit Ardian, Emiljano dhe Erjon Traga, si dhe dy djemtë e Sulejman Shehut. Konflikti degjeneroi në përplasje me armë dhe me pasojë dy të vdekur dhe disa të plagosur.
Vendimi
Çështja e xhamisë kalon për kompetencë te Gjykata Administrative
Gjykata Administrative do të vendosë tashmë për kërkesën e shoqërisë civile për shfuqizimin ose jo të lejes ndërtimore të xhamisë. Vendimi është marrë dje nga Gjykata e Tiranës, ku gjyqtarja Farie Budo vendosi të shpallte moskompetencën e kësaj Gjykate për të ta kaluar për gjykim në një tjetër gjykatë, siç është Gjykata Administrative. Më datë 25 korrik, në Gjykatën e Tiranës u regjistrua një çështje, që kërkon ndjekjen e saj edhe në rrugë ligjore. “Nr. i çështjes: 16324; dt. e regjistrimit: 25.7.2013. Paditësit: Instituti i Çështjeve Kombëtare INA, Shoqata për një Zhvillim të Qëndrueshëm e Racional. Të paditurit: Këshilli Kombëtar i Territorit; Lloji i çështjes: Padi për shfuqizim/ndryshim akti administrativ; baza ligjore: neni 121 – 129; objekti: Shfuqizimi i vendimit nr. 2, datë 29.5.2013 të KRT-së për miratimin e dhënies së lejes zhvillimore komplekse për xhaminë e Namazgjasë në kundërshtim me procedurat e parashikuara nga ligji. Marrjen e masës së përkohshme për sigurimin e padisë. Të urdhërojë ndërprerjen e menjëhershëm të punimeve, ndalimin e prerjes së pemëve dhe zaptimin e trotuareve publike nga subjektet e tyre të ndërtimit në kufij me këtë pronë, deri në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, sepse vazhdimi i mëtejshëm i punimeve do të bëjë të pamundur ekzekutimin e një vendimi gjyqësor të dhënë nga kjo Gjykatë”, – thuhet në padinë e shoqërisë civile. Nga palët kërkohet pezullimi i punimeve dhe të mos kryhet asnjë lopatë gërmim, pasi nëse punimet vijojnë dhe gjykata merr vendim pro kërkesës së tyre, atëherë ekzekutimi i vendimit, do të bëhet më i vështirë dhe se kthimi i kësaj sipërfaqeje në gjendjen që ishte më parë do jetë thuajse i pamundur.
Vendimi
Mashtrimi me pasoja të rënda, dënohet 11 vjet burg zvicerania Somma
Pas 26 seancash gjyqësore, Gjykata e Tiranës dënoi dje një shtetase zvicerane me 11 vite burg nga 12 që kërkoi Prokuroria një seancë më parë. Kjo e pandehur akuzohet për veprën penale “Mashtrim me pasoja të rëndë”, më shumë se një herë, ndërsa ka një numër të madh denoncuesish që kanë referuar rastet e tyre para Prokurorisë dhe më pas në gjykatë për paratë e dhëna shtetases Maria (Agnese) Foure (Somma). Një prej dëshmitarëve ka rrëfyer se i ka dhënë 50 mjijë euro kësaj të pandehure, duke marrë premtimin se do e bënte aksioner në shoqërinë e saj “IXY PRELUDE EVOLUTION”. Sipas denoncuesit Dashnor Zani, zonja Fure i ka marrë atij në formën e huasë një shumë prej 50 mijë eurosh, në këmbim të të cilave ajo do ta bënte aksioner në kompaninë “IXY PRELUDE EVOLUTION”, e cila do të kishte aktivitetin e saj tregtar në një qendër të tillë që ndodhet në fshatin Lundër të Tiranës. “Në muajin nëntor të vitit të kaluar, unë kam nënshkruar një marrëveshje me zonjën Fure, duke përfaqësuar bashkëshorten time. Nëpërmjet kësaj marrëveshjeje ne kemi rënë dakord që t’i paguanim në dorë zonjës Fure një shumë prej 50 mijë eurosh. Po ashtu, sipas tij, veç shumës së parave të paguara në dorë, me datën 5 nëntor, pikërisht ditën e nënshkrimit të kontratës, ai kishte pranuar të jepte në formën e garancisë, në bashkëpunim me një person tjetër, edhe një lokal i cili ishte vlerësuar në shumën e rreth 300 mijë eurove. Ky person nuk ishte i vetmi i mashtruar, pasi të tjerë persona kanë dhënë dëshmi mbi shumat e parave dhënë kësaj të pandehure.




