Pretenca Vranë dy dasmorë, kërkohet burgim përjetë për dy vëllezërit Edmond e Blerim Eshja

Sonja Caka

Prokurori: Fajësia e provuar plotësisht, krimi i kryer me egërsi dhe mizori. Kanë shkaktuar pasoja të rënda dhe kanë dëshiruar edhe ardhjen e pasojave edhe më të rënda

 

vrasjeVrasja e dy dasmorëve në një ceremoni mortore në një fshat të Elbasanit rrezikon t’u kushtojë burgime përjetë dy vëllezërve Edmond dhe Blerim Eshja. Kjo ka qenë kërkesa e prokurorit para togave të zeza për dy të pandehurit, për veprën penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” në bashkëpunim. Kërkesa e akuzës ka ardhur, pasi përfaqësuesi i akuzës foli mbi dinamikën e ngjarjes dhe renditi provat që dispononte, të cilat provonin fajësinë e të pandehurve. Pas dy javësh pritet që të paraqiten fjala e fundit e të pandehurve dhe mbrojtjes, si dhe më pas dhënia e verdiktit përfundimtar nga togat e zeza të Gjykatës së Elbasanit.

Nisja e konfliktit

Para Gjykatës, prokurori solli edhe një herë rrethanat e ngjarjes së ndodhur më datë 9 shtator të vitit të kaluar në fshatin Jagodinë, Komuna Shirgjan. Sipas prokurorit, në një lokal ishin duke u zhvilluar festimet për dasmën e shtetasit A. D. Në këtë dasmë, përveç të ftuarve me lidhje gjaku dhe krushqie, si viktimat Marenglen Dushku, 40 vjeç, Pëllumb Belegu, 56 vjeç, bashkëshortet e tyre dhe fëmijët etj, ishte i ftuar edhe si lidhje shoqërore njëri nga bashkautorët e krimit, i pandehuri Blerim Eshja. Në momentin që të gjithë të ftuarit në dasmë po shpërndaheshin, shtetasi B. Sh. ka marrë makinën tip “Audi 80” me targa në pronësi të viktimës Pëllumb Belegu dhe ka shoqëruar për në banesë fillimisht çiftin. Rrugës ka prekur me makinë të pandehurin Blerim Eshja dhe e ka shtyrë atë duke e rrëzuar përtokë. Më pas B. Sh. është kthyer dhe u ka treguar për këtë fakt familjarëve të tij.

Krimi

Sipas akuzës, në kthim, për të mos krijuar probleme, makinën tip “Audi 80” e ka drejtuar vetë pronari i saj, Pëllumb Belegu. Në vend të parë të pasagjerit ishte V. B., kurse pas ishin sistemuar M. Belegu, gruaja e Pëllumbit, Dh. Dushku (bashkëshortja e viktimës Marenglen Dushku), P. Dushku (bashkëshortja e të dëmtuarit Mondi Dushku) dhe tre familjarë të tjerë të tyre. Pasi kanë hipur të gjithë, viktima Pëllumb Belegu ka nisur të drejtojë makinën për disa metra kur përpara i kanë dalë dy personat nën hetim. Sipas akuzës, Blerim Eshja kishte marrë në krahë një fëmijë të vogël dhe ia nxori përpara makinës që ta detyronte të ndalonte. Sapo viktima Pëllumb Belegu ka ndaluar makinën, personi nën hetim Blerim Eshja ka filluar të godasë autoveturën me shkelma, duke e shoqëruar edhe me të shara dhe fjalë ofenduese. Së bashku me të ka qenë edhe i vëllai, Edmond Eshja. Në fillim personi nën hetim, Blerim Eshja, është drejtuar nga krahu i shoferit viktimës Pëllumb Belegu, ndërsa i vëllai Edmond Eshja është drejtuar për nga krahu i pasagjerit të vendit të parë ku ishte ulur V. Belegu dhe fëmija Renato Dushku. Sapo Pëllumbi ka dalë nga makina, ai është goditur me thikë në grykë nga Blerim Eshja në mënyrë të befasishme dhe më pas ky i ka përplasur kokën në murin rrethues të oborrit të një banese aty pranë. Ndërsa Edmond Eshja ishte duke goditur makinën me shkelma, duke thënë fjalë banale, i thoshte Vilson Belegut: “Mos dil nga makina”, duke i mbajtur derën dhe e shtynte atë që të mos dilte nga makina. I dëmtuari V. Belegu është mundur të dalë dhe është konfliktuar menjëherë me grushte me Edmond Eshen. Në goditje e sipër, Edmond Eshja ka nxjerrë thikën e tij të dhëmbëzuar dhe e ka qëlluar në krah. Shtetasja Dh. Dushku ka dalë nga makina dhe ka ikur me vrap për të kërkuar ndihmë tek bashkëshorti i saj, Marenglen Dushku, dhe kunati E. Dushku. Të tjerët që kanë qenë të pranishëm aty, janë munduar t’i japin ndihmë Pëllumbit, i cili ka mbërritur i vdekur në spital. Pas thirrjes për ndihmë të shtetases Dh. Dushku, i pari në vendngjarje ka mbërritur viktima Marenglen Dushku, i cili i ka thënë Blerim Eshes se çfarë po bënte, ndërsa ky i fundit e ka goditur me thikë në krahë, në gjoks duke u ndihmuar edhe nga veprimet e vëllait të tij Edmond Eshja, i cili e ka goditur me thikë nga mbrapa. Në këto momente, është afruar edhe i dëmtuari Mondi Dushku, ndërsa rreth 3-4 metra larg tij kanë qenë vëllezërit Edmond dhe Blerim Eshja dhe pranë tyre ishte viktima Pëllumb. Pak më tutje, i mbijetuari Mondi Dushku ka parë të vëllain, Marenglen Dushkun, i cili u kishte kthyer kurrizin për shkak të goditjeve me thika nga të dy vëllezërit. Të pandehurit Edmond Eshja dhe Blerim Eshja e kanë qëlluar të dy me thika të dëmtuarin Mondi Dushku, por vetëm goditjet e njërit e kanë kapur në fyt dhe si pasojë e të cilave është rrëzuar në kanal. Pas këtij momenti, të dy personat nën hetim Blerim dhe Edmond Eshja janë larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes, duke marrë me vete edhe armët e krimit, thikat përkatëse. Në këto kushte, i është dhënë ndihma e menjëhershme nga shtetasi P. M. edhe të dëmtuarit Marenglen Dushku, i cili ka mbërritur i gjallë në spitalin e Elbasanit, por pavarësisht nga ky fakt nuk ka mundur dot të mbijetojë duke gjetur vdekjen në orën 22:30 të datës 9.9.2012. Kurse i dëmtuari Mondi Dushku është larguar nga vendi i ngjarjes me makinën e tij personale për të siguruar ndihmën e specializuar mjekësore dhe nga spitali i Elbasanit është transportuar më pas për në Spitalin Ushtarak Tiranë ku ka qëndruar disa ditë.

Kërkesa

Nga të gjitha veprimet hetimore, provohet plotësisht fakti kriminal se i pandehuri Edmond Eshja, në bashkëpunim me vëllain e tij, të pandehurin Blerim Eshja, ka konsumuar veprat penale të “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese” kundër dy ose më shumë personave, me viktima shtetasit Pëllumb Belegu, Maringlen Dushku dhe i plagosur rëndë i dëmtuari Mondi Dushku (“Vrasje në tentativë” për Mondi Dushkun), krim ky i parashikuar nga nenet 79 pika “dh” dhe neni 25 i Kodit Penal. Sipas organit të akuzës, provohet plotësisht fajësia e të pandehurve Edmond Eshja dhe Blerim Eshja për veprën penale të “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese” kundër dy ose më shumë personave me viktima shtetasit Pëllumb Belegu, Maringlen Dushku, dhe plagosur rëndë i dëmtuari Mondi Dushku. Prokurori i kërkoi gjykatës që kur të caktojë masën e dënimit të marrë parasysh jo vetëm rrezikshmërinë e lartë shoqërore të dy vëllezërve, e cila pati edhe pasoja mjaft të rënda, por edhe faktin që e kanë kryer veprën penale në prezencë të personave të tjerë, duke përfshirë edhe fëmijët. Sipas akuzës, ata e kanë kryer veprën me egërsi dhe mizori, rrethanë kjo rënduese. Gjithashtu, sipas prokurorit, të pandehurit pas ngjarjes, nuk kane qenë të kënaqur me pasojën e ardhur, por kanë dëshiruar ardhjen e një pasoje më të rëndë.

 

Gjykatë e Lartë

Rikthimi në punë, Kolegjet e Bashkuara rrëzojnë kërkesën e Neritan Tabakut

Kolegjet e Bashkuara kanë rrëzuar dje kërkesën e ish-gjyqtarit Neritan Tabaku për rikthim në punë. Pas seancës gjyqësore, avokati i Tabakut, Agim Hysi, deklaroi se do të presë fillimisht arsyetimin e vendimit dhe më pas do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. Gjatë seancës, avokati ka deklaruar se janë bërë shkelje nga KLD-ja për shkarkimin nga detyra të Tabakut. Sipas tij, është mohuar e drejta e prezumimit të pafajësisë dhe i gjithë gjyqi ndaj Tabakut është bërë mediatik, duke mos u ndjekur procedurat ligjore. “Nuk mund t’i themi argumentet që u përdorën për t’u rrëzuar këtë vendim pasi u desh një ditë e tërë për t’i diskutuar. Vendimin do ta ankimojmë në Gjykatën Kushtetuese”, – tha avokati i Tabakut pas dhënies së vendimit. Ndërsa përfaqësuesi i KLD-së në këtë çështje ka falënderuar Gjykatën për dhënien e këtij vendimi. Gjykata e Lartë nuk ka bërë të ditur se sa prej anëtarëve të kolegjit kanë qenë pro dhe kundër rikthimit në detyrë të gjyqtarit Tabaku, detaje për të cilat thanë se do t’i bëjnë publike në zbardhjen e vendimit, për të cilin mund të duhet një javë kohë. Përmes kësaj kërkese, ish-gjyqtari Tabaku kërkonte që Kolegjet e Bashkuara të anulojnë vendimin administrative të KLD-së që e shkarkoi atë pak kohë më parë për t’u hapur rrugën hetimeve dhe procedimeve të Prokurorisë. Procedimi nisi për mungesën e zbardhjes së vendimit që liroi Ilir Xhaken, i cili pas këtij lirimi qëlloi në një ngjarje tjetër për vdekjen shefin e komisariatit të policisë së Shijakut, Adem Tahiraj. Tabaku u gjykua nga Gjykata e Tiranës, e cila rrëzoi kërkesën e Prokurorisë që kërkoi 3 vite burg, duke e shpallur atë të pafajshëm, vendim ky i cili është apeluar nga Prokuroria.

 

Vendimi

Kërkesa e Fran Marashit për rigjykim, Gjykata ia kalon Gjykatës së Lartë për moskompetencë

Njëri prej protagonistëve të arratisjes spektakolare nga burgu i sigurisë së lartë në Drenovë të Korçës kërkon rigjykim të dosjes së tij, ku është dënuar me burgim përjetë për masakrën e Urës Vajgurore. Dje në Gjykatën e Tiranës u zhvillua seanca ku do të shqyrtohej kjo kërkesë, por që gjyqtarja Ardiana Bera ia ka kaluar Gjykatës së Lartë për moskompetencë. Në seancë, Marashi ka kërkuar që të rihapet dosja e tij. “Jam dënuar me burgim të përjetshëm pa u dëgjuar fare. Jam dënuar pa u përballur me provat. Kam qenë në Urën Vajgurore por jo kur ndodhi ngjarja. Nëse më gjeni fajtor ju jap leje të më varni”, – ka deklaruar Marashi në sallën e gjyqit ku u shoqërua nën masa mjaft të rrepta sigurie. Si provë të re me të cilën Marashi kërkon të rihapë dosjen janë 7 dëshmitarë, të cilët me vullnetin e tyre të lirë janë të gatshëm të dëshmojnë se i dënuari Fran Marashi nuk ka qenë atë ditë në ngjarjen e Urës Vajgurore. Nëse do të pranohet dëshmia e dëshmitarëve të listuar nga Marashi, pritet të shihet qëndrimi i Gjykatës së Lartë. Ndërkohë, ai ka shprehur keqardhje për familjet e 22 policëve të burgut të Drenovës, të cilët u arrestuan pas arratisjes së tij dhe 6 të dënuarve të tjera në ky burg. Ashtu si herën e parë kur u arratis nga burgu i Burrelit, edhe kësaj here ai ka deklaruar në gjykatë se është arratisur nga burgu vetëm për të tërhequr vëmendjen që çështja e tij të rihapet. Gjykatësja Ardiana Bera ka vendosur të shpallë për moskompetencë të Gjykatës së Tiranës këtë kërkesë, duke ia kaluar Gjykatës së Lartë.

 

 

 

Share it :