Presidenti Meta: Normalitetin kushtetues e vendosin vetëm zgjedhjet parlamentare

Presidenti Ilir Meta në një intervistë për emisionin ‘Hard Talk’ të gazetarit Roland Qafoku, tha ndër të tjera se ‘normalitetin kushtetues e vendosin vetëm zgjedhjet parlamentare

Gazetari (Roland Qafoku): Zoti President, ju në kohë paqeje bëni luftë të fortë, dhe në kohë lufte bëni paqe të fortë. A lidhet kjo me parimet tuaja apo ishte një rrethanë dhe ashtu ndodhi?

Presidenti Meta: Unë në çdo kohë përpiqem të bëj gjënë e duhur. T’i qëndroj fort bindjeve të mia dhe detyrës sime, pavarësisht se cila është ajo në kuptimin e institucionit që përfaqësoj. Por është e padiskutueshme që në të gjitha kohët, edhe nëse ka pasur luftë apo jo, nuk i kam zgjedhur unë: – ato kanë qenë të imponuara, – kanë vënë në diskutim bindjet e mia dhe detyrën time, ndaj edhe unë nuk u jam shmangur asnjëherë. Pra gjithmonë unë kam qenë një kërkues i bashkëpunimit, në respekt të Kushtetutës, në përmbushje të objektivave të integrimit evropian të vendit, të çështjeve më madhore.

Gazetari: Më falni Zoti President! Mua më rezulton në studimet e mia të thelluara që në këto 30 vite të politikës shqiptare, ju jeni politikani, i cili keni bërë më shumë beteja politike që kanë lënë gjurmë në politikën e tranzicionit. Më lejoni t’i rikujtoj, sepse ju i dini shumë mirë, por për teleshikuesin: Beteja e parë, protesta në Poliçan që solli heqjen e imunitetit tuaj.

Presidenti Meta: Beteja e para është për pluralizimin politik, në dhjetor 1990, por nuk ka problem!

Gazetari: Beteja e dytë: Fitorja si i vetmit deputet në zgjedhjet e vitit 1996 në Skrapar.

Presidenti Meta: E 22 marsit 1992! 22 mars! Nuk ka problem!

Gazetari: Jo, vazhdimi i kësaj, se ajo nuk ishte betejë! Por ajo bëri që ju të ishit nga të paktët deputetë të Partisë Socialiste në Kuvend.

Presidenti Meta: Po pra! Zgjedhjet e 22 marsit në 1992-n. Gjashtë deputetë të vetëm në mazhoritar të Partisë Socialiste.

Gazetari: Unë e kisha fjalën te pjesa e Partisë Socialiste në 1996-n, që pati shumë pak dhe u larguan.

Presidenti Meta: E vërteta është që në vitin 1996 unë e humba betejën, por pasi…

Gazetari: Fituat luftën?

Presidenti Meta: Jo! Nuk ishte betejë në 1996-n, se zgjedhjet u manipuluan totalisht, por kur erdhën njoftimet në Tiranë se fituam edhe në Skrapar, atëherë u dha porosia: Mos se Skraparin, nuk do të na besojë asnjeri! Kështu që… Kjo është e vërteta! Kjo është e vërteta!

Gazetari: Ka qenë Kudret Çela, në mos gabohem?

Presidenti Meta: Nuk e di se kush ishte. Nuk ka rëndësi, por ata që bënin sikur po fitonin atje, por që dhanë lajmin e gëzueshëm që u fitua edhe këtu, ju dha porosia: Mos! Se nuk do të na besojë njeri që fituam edhe në Skrapar, kështu që ky ishte lajmi i Skraparit! Normalisht në 1996-n, se ishte e pamundur.

Gazetari: Ashtu? Nuk e konsideroni pas 30 vitesh. Në 1997 ishit pjesë e asaj beteje që tashmë njihet me regjimin, me pushtetin autokratik të Berishës. Më 4 tetor 2001 me KPD-në e famshme, ju keni qenë kryeministër dhe më pas dhatë dorëheqjen, më 5 maj 2004, po i kaloj shpejt, ju u shkëputët nga Partia Socialiste dhe krijuat LSI-në. Kjo ishte një betejë me të vërtetë për të mos u harruar. Në vitin 2009 beteja me Edi Ramën pas së cilës ju kaluat në koalicion me Berishën.

Presidenti Meta: Harruat 2008-n! Ishte më e madhe për ndryshimet e parregullta kushtetuese. Ishte shumë e rëndësishme, sepse sot vuajmë pasojat e ndryshimeve tepër të nxituara kushtetuese në 2008-n.

Gazetari: Po, edhe greva e urisë.

Presidenti Meta: Ajo ishte një betejë që nuk ia vlen të shmanget, meqenëse e kaluat…

Gazetari: Shumë e drejtë! Beteja që tashmë dihet, me videon e Dritan Priftit, që ju e fituat në gjykatë.

Presidenti Meta: Pas së cilës doli një video tjetër.

Gazetari: Pastaj doli, po, edhe një video tjetër. Unë kisha renditur, dhe kjo e fundit për grushtin e shtetit që e keni proklamuar si grusht shteti, unë e rendita si betejën e nëntë. Në fakt ju shtuat edhe nja dy-tri të tjera.

Presidenti Meta: Kjo është beteja për mbrojtjen e Kushtetutës që është beteja e parë dhe e fundit e çdo Presidenti për sa kohë ai është në detyrë.

Gazetari: A është kjo beteja më e fortë në të gjithë karrierën tuaj politike Zoti President?

Presidenti Meta: Nuk e di, se nuk mendoj që jemi në fund të karrierës, kështu që…

Gazetari: Duke i krahasuar? Jo, deri më sot po them?

Presidenti Meta: Do të dëshiroja që të ishte e fundit në kuptimin e rivendosjes së normalitet kushtetues, ligjor, politik, ekonomik, shoqëror në vend, sepse kur bëhet fjalë për betejën për mbrojtjen e Kushtetutës, nuk bëhet fjalë thjesht për të mbrojtur një dokument, por bëhet fjalë për të mbrojtur të gjitha liritë dhe të drejtat e qytetarëve shqiptarë, cenimi i të cilave i detyron ata që të zbrazin vendin tonë siç praktikisht ka ndodhur dhe po ndodh, dhe unë po vij nga një vizitë treditore në rrethin e Kolonjës, një nga zonat më të bukura, një nga perlat e Shqipërisë, kur për fat të mirë pashë disa zhvillime pozitive siç ishte qendra e re e qytetit të Ersekës, që e ka ndryshuar pamjen e qytetit.

Gazetari: Pastaj doli, po, edhe një video tjetër. Unë kisha renditur, dhe kjo e fundit për grushtin e shtetit që e keni proklamuar si grusht shteti, unë e rendita si betejën e nëntë. Në fakt ju shtuat edhe nja dy-tri të tjera.

Presidenti Meta: Kjo është beteja për mbrojtjen e Kushtetutës që është beteja e parë dhe e fundit e çdo Presidenti për sa kohë ai është në detyrë.

Gazetari: A është kjo beteja më e fortë në të gjithë karrierën tuaj politike Zoti President?

Presidenti Meta: Nuk e di, se nuk mendoj që jemi në fund të karrierës, kështu që…

Gazetari: Duke i krahasuar? Jo, deri më sot po them?

Presidenti Meta: Do të dëshiroja që të ishte e fundit në kuptimin e rivendosjes së normalitet kushtetues, ligjor, politik, ekonomik, shoqëror në vend, sepse kur bëhet fjalë për betejën për mbrojtjen e Kushtetutës, nuk bëhet fjalë thjesht për të mbrojtur një dokument, por bëhet fjalë për të mbrojtur të gjitha liritë dhe të drejtat e qytetarëve shqiptarë, cenimi i të cilave i detyron ata që të zbrazin vendin tonë siç praktikisht ka ndodhur dhe po ndodh, dhe unë po vij nga një vizitë treditore në rrethin e Kolonjës, një nga zonat më të bukura, një nga perlat e Shqipërisë, kur për fat të mirë pashë disa zhvillime pozitive siç ishte qendra e re e qytetit të Ersekës, që e ka ndryshuar pamjen e qytetit. Por ajo që më trishtoi shumë dhe që më bind edhe një herë në rëndësinë e bërjes së kësaj beteje për të rikthyer Kushtetutën, ligjshmërinë, normalitetin, shanset e barabarta të qytetarëve, është pikërisht fakti që njerëzit vazhdojnë të largohen, këto zona vazhdojnë të zbrazen dhe kjo është shokuese për të ardhmen tonë.

Dhe ato investimet që ju përmendët dhe që unë i përmenda mbeten pa vlerë, sepse mbeten pa njerëz, nëse do të vazhdojmë kështu.

Të mos harrojmë që bëhet fjala për një trevë me resurse të jashtëzakonshme, që dikur para shekujsh ka qenë e zhvilluar gjithë zona e Leskovikut, Kolonja e më këtej, është zona apo krahina që sa i takon Rilindjes Kombëtare, nuk ka një të dytë përsa i takon aq shumë figurave, personaliteteve që kanë bërë aq shumë për gjuhën tonë, për Kongresin e Manastirit dhe për alfabetin tonë, dhe për Pavarësinë tonë.

Nuk është vetëm kaq: Kjo është një zonë me potencial të mrekullueshëm! Ky është një problem i madh. Duhet të rikthejmë besimin e njerëzve për të qëndruar këtu, për t’u kthyer këtu dhe për të zhvilluar vendin tonë.

Gazetari: Më ngacmuat me këtë. Shumë e vërtetë ajo që thatë ju: Ajo zonë ka nxjerrë korifenjtë e mendimit shqiptar: Dy prej tyre janë më të mëdhenjtë e të mëdhenjve si Fan Noli dhe Konica. I kanë aty rrënjët.

Presidenti Meta: Edhe të Kishës Ortodokse.

Gazetari: Po edhe ata ikën!

Presidenti Meta: Ata ikën për arsye të ndryshme. Ikën, u kthyen dhe më pas ikën për arsye të sistemeve përjashtuese që u vendosën në Shqipëri. Dhe kjo është arsyeja që duhet të kuptojmë sot se nëse nuk do të ketë një Kushtetutë të respektuar nga të gjithë, të pranuar nga të gjithë, në se do të kemi një sistem përjashtues, atëhere njerëzit do të vazhdojnë të ikin! Duhet një sistem përfshirës, garantues, që ofron siguri juridike, por edhe që ofron mundësi për të gjithë, jo vetëm për një pakicë.

Gazetari: Ju jeni President i Republikës. A mund të bëni ju diçka që jo vetëm kolonjarët të kthehen në trojet e tyre, por edhe shqiptarë të tjerë që janë larguar…? Cila është ajo metodë se si njerëzit mund të kthehen Zoti President, se ju nuk jeni në nivele të ulta?

Presidenti Meta: Nuk është një sipërmarrje e vetëm një institucioni apo e një individi. Është një sipërmarrje e të gjithëve. Dhe për këtë kërkohet reflektimi dhe angazhimi i të gjitha institucioneve dhe i të gjithë qytetarëve shqiptarë. Kërkohen programe në radhë të parë për t’u ofruar siguri atyre që janë këtu që të mos vazhdojnë të ikin me këtë trend frikësues dhe gërryes për vendin tonë. Dhe së dyti, programe për rikthimin dhe për riintegrimin e të gjithë qytetarëve shqiptarë, të cilët besojnë se një të ardhme më të mirë, do ta kenë në vendin e tyre. Sepse kudo që të shkojnë mund të gjejnë gjithçka, mund të gjejnë paga më të mira, por nuk do të gjejnë dot atdhe.

Gazetari: A mund ta ndani me shikuesit një detaj se ku e ndietë veten keq si President, ku patë zbrazëti, etj., etj.?

Presidenti Meta: Po, mund ta them shumë qartë. Vizitova familjen e ish-kryetarit të Bashkisë së Kolonjës, i cili ka qenë një miku im dhe ka bërë shumë për Kolonjën, Arben Malo. E takova, piva një kafe te dy prindërit e tij. Të kaloj në Kolonjë e të mos ndaloj atje është diçka e vështirë. Ata më thanë së nga familja e tyre vetëm ata të dy kishin ngelur aty dhe gjashtëmbëdhjetë të tjerë kishin përfunduar në Britaninë e Madhe. Dhe ky nuk ishte i vetmi rast, dhe shumë e shumë raste të tjera.

Isha në Shelegur, që është një nga perlat turistike të Kolonjës, është midis Gërmenjit dhe Leskovikut, asgjë tjetër më të bukur nuk ka në zonat alpine të Zvicrës apo të Austrisë, dhe atje mësova që një sipërmarrës, i cili po investonte për të krijuar një fermë me lopë, ishte i detyruar për shkak, më shumë të mungesës së njerëzve, që jonxhën ta sillte nga Myzeqeja për lopët në Kolonjë, sepse kishte shumë pak njerëz që mund të punonin, që mund të shërbenin dhe që mund të përfitonin nga kjo përpjekje për të zhvilluar një biznes atje.

Pra kjo nuk është vetëm në Kolonjë. Jam i bindur që kjo është edhe në shumë krahina të tjera, por Kolonja ka burime jashtëzakonisht të mëdha, sidomos për zhvillimin e blegtorisë, të agro-turizmit, ka pika turistike të panumërta, që mund të kthehen në një potencial të madh për të gjithë vendin, jo vetëm për komunitetin atje.

Gazetari: Zoti President, më 2 mars ishte kulmi i betejës suaj politike në mbrojtje të Kushtetutës, kundër asaj që ju e cilësuat si grusht shteti. Ju e firmosët përpara rreth 100 mijë protestuesve kthimin e dekretit të atij ligji për betimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese që tashmë njihet për opinionin publik. Si mund të qetësoheshit ju vetëm në dy muaj?

Presidenti Meta: Ne duhet të jemi në koherencë me të gjitha zhvillimet dhe me të gjithë sfondin e ngjarjeve, ku kanë ndodhur edhe qëndrimet apo sjelljet politike që mund të duken jo shumë koherente, ndërkohë që koherenca jam i sigurt që është e plotë, ndërkohë sikurse është përgjegjshmëria në adresimin e sfidave më të mëdha.

Me vendosjen e gjendjes së situatës së jashtëzakonshme, sikurse është kjo situatë për shkak të pandemisë, padyshim që përballimi në një mënyrë sa më mbarëvajtëse dhe bashkëpunuese të kësaj situate, ka qenë dhe mbetet detyra më kryesore e të gjithëve mendoj unë, jo vetëm e Presidentit të Republikës, jo vetëm e qeverisë që padyshim ka më shumë detyra, duke përfaqësuar tërësisht ekzekutivin, por edhe e opozitës, edhe të gjithë grupeve të interesit dhe vetë qytetarëve.

Kështu që sjelljet e mia duhen parë gjithmonë në këtë kontekst, të interesit më të mirë të përbashkët për ta tejkaluar këtë situatë dhe gjithmonë unë kam bërë thirrje që edhe në këtë situatë duhet të ruajmë ligjshmërinë, duhet të respektojmë kushtetutshmërinë, sepse Kushtetuta jonë i ka parashikuar edhe këto raste të jashtëzakonshme, të veçanta, në mënyrë që të ruajmë edhe shëndetin e qytetarëve, por edhe një balancë me ruajtjen dhe mbrojtjen e lirive të tyre, pavarësisht se disa prej tyre edhe mund të kufizohen, pikërisht për të mbrojtur shëndetin e tyre.

Gazetari: Ju i keni paraqitur një kërkesë Këshillit të Lartë Gjyqësor për Ardian Dvoranin, dhe sipas jush atij duhet t’i ndërpritet mandati. A jeni i bindur se kjo do të ndodhë?

Presidenti Meta: Se çfarë do të ndodhë, kjo është diçka tjetër që nuk varet vetëm nga unë. Së pari duhet të keni parasysh konsideratën në qoftë se e keni lexuar të plotë kërkesën që Institucioni i Presidentit i ka bërë Këshillit të Lartë Gjyqësor, por jo vetëm atij, por edhe Gjykatës së Lartë, Kuvendit të Shqipërisë, Gjykatës Kushtetuese.

Është e qartë se mandati i zotit Dvorani ka përfunduar që prej shtatë vitesh, kur kryetari i Gjykatës së Lartë i asaj kohe i ka dërguar njoftimin zyrtar Presidenti të Republikës së asaj kohe, zotit Nishani për përfundimin e mandatit të tij dhe për zëvendësimin e tij. Bazuar mbi këtë akt, Presidenti Nishani konform Kushtetutës ka propozuar emrin e një gjyqtari tjetër për të zëvendësuar pikërisht zotin Dvorani.

Kjo gjë nuk ka ndodhur, sepse në atë kohë Kuvendi nuk e ka miratuar gjyqtarin tjetër. Dhe për shkak të shumë arsyeve të tjera që janë aty në letër, si dhe për faktin që Gjykata e Lartë u zbraz dhe mbeti vetëm me një anëtar në detyrë, por që i kishte përfunduar mandati, kemi këtë situatë të paprecedentë ndoshta në të gjithë kontinentin tonë, por menjëherë me zgjedhjen e të parit anëtar të Gjykatës së Lartë dhe dekretimin e tij, mandati i tij është në çdo aspekt i shuar apo i përfunduar, nga ana kushtetuese, ligjore, morale, justifikuese, e kështu me radhë.

Për më tepër, të mos harrojmë se nuk është një, por kemi tre anëtarë të Gjykatës së Lartë. Kështu që për mua kjo është një çështje tepër e qartë dhe e shteruar në mënyrë tepër objektive në letrën që unë u kam dërguar KLGJ-së dhe institucioneve të tjera.

Gazetari: Zoti President, si iu përgjigjeni ju atyre që thonë se largimi i Dvoranit është pjesë e marrëveshjes suaj me zotin Rama?

Presidenti Meta: Zero marrëveshje, nga ana ime në respektin e Kushtetutës, të ligjeve! Dhe sidomos të Kushtetutës, sepse ajo është mbi çdo ligj dhe për fat të keq ne kemi nxjerrë gjatë kësaj kohe mjaft ligje që dalin mbi Kushtetutën dhe që është një çmenduri! Është sikur në ushtri të dalë një kapter mbi gjeneralin! Apo në diplomaci që një atashe ambasade të dalë mbi ambasadorin, sepse kështu është e ndërtuar e gjithë arkitektura e shtetit ligjor!

Megjithatë, këto gjëra, për fat të keq këto gjëra kanë ndodhur në vendin tonë dhe ne kemi mjaft probleme në funksionimin e shtetit ligjor, sepse ka humbur respekti mbi Kushtetutën. Kushtetuta është mbi çdo gjë, edhe mbi gjithçka. Kështu që nuk ekziston dhe nuk ka asnjë arsye që të ketë një marrëveshje mbi këtë gjë, sepse këto janë çështje që zgjidhen nga vetë Kushtetuta, dhe ligjet në respekt të Kushtetutës, jo në dhunim të Kushtetutës, sepse secili duhet të bëjë detyrën e tij!

Gazetari: Zoti President, unë ju kam ndjekur edhe herë të tjera dhe ju keni qenë për mua, i qartë në këtë që ju argumentoni. Megjithatë opinioni publik ka disa paqartësi, dhe një nga këto është ajo që mendojnë, t’jua drejtoj si pyetje: A keni kontaktuar vetë, personalisht, me kryeministrin Rama në gjithë ato që ju thatë se mazhoranca më ka kërkuar mua, që gjatë gjithë kësaj periudhe që ne jemi duke kaluar situatën pandemike, të kemi, domethënë të mos bëjmë luftë politike?

Presidenti Meta: Kështu e interpretuat ju! Ajo që unë ju thashë ishte pikërisht sjellja ime në situatën e pandemisë, duhet kuptuar si një situatë e përgjegjshme në rrethana të reja, ku problemi kryesor për vendin, për qytetarët, është mbrojtja e shëndetit të tyre nga një rrezik i madh, ose i panjohur, i paidentifikuar mirë për fat të keq, që rrezikon shëndetin e të gjithëve, jo vetëm të njërës palë apo të palës tjetër, dhe mbi të gjitha kërcënonte që në qoftë se nuk do të menaxhohej mirë, do të çonte në një kolaps të vetë sistemit shëndetësor. Që do të ishte pastaj një fatalitet siç ndodhi në disa rajone të Italisë fqinje.

Kështu që nuk ishte pikërisht ajo që ju e formuluat në këtë mënyrë, por ishte pikërisht kjo: Që sjellja ime ka qenë totalisht e përgjegjshme dhe korrekte, esktremisht, me qeverinë, me Kuvendin, me opozitën, me të gjithë aktorët e tjerë, dhe gjithmonë kam bërë thirrje për bashkëpunim, për konvergim, në interes të përbashkët.

Kjo nuk do të thotë që të shuhen dallimet midis qeverisë apo mazhorancës, dhe opozitës, por që bashkëpunimi të dominojë dhe kritikat t’i shërbejnë përmirësimit të këtij menaxhimi.

Gazetari: Ku ka qenë hera e fundit që keni komunikuar me kryeministrin Rama?

Presidenti Meta: Unë komunikoj vazhdimisht përmes shkresave zyrtare, dhe ky  është një komunikim institucional, për të mos thënë i përditshëm. Pavarësisht se shumë prej tyre nuk bëhen publike dhe nuk ka arsye, mendoj unë që të bëhen të tilla. Ndërsa si një komunikim institucional, ka qenë mbledhja e dytë e Këshillit Sigurisë Kombëtare për çështjen e pandemisë.

Gazetari: A keni pasur ndonjë komunikim jo zyrtar me kryeministrin Rama? Personal?

Presidenti Meta: Jo! Nuk kam pasur ndonjë komunikim jo zyrtar. Këto janë përralla dhe legjenda. Jo dreka, jo darka…

Gazetari: Sepse jemi në kohën e distancimit?

Presidenti Meta: Jo! …Fizik, kështu që…

Gazetari: Po a ju kujtohet hera e fundit që jeni takuar me zotin Rama tet-a-tet (kokë më kokë / veç e veç)?

Presidenti Meta: Po, besoj se ka qenë në ditën e Progres Raportit për Shqipërinë në qershor të vitit të kaluar kur unë e kisha ftuar për një drekë në rezidencën e Presidentit, në Pallatin e Brigadave, për të diskutuar, para zgjedhjeve vendore, për atë krizë që ishte krijuar, përpara se unë të nxirrja dekretin për shfuqizimin e 30 qershorit. Kjo besoj se ishte hera e fundit, vetëm për vetëm. Besoj se mund të kemi qenë në ambiente me të tjerë, por vetëm për vetëm kjo është.

Madje edhe atëherë nuk kemi qenë vetëm për vetëm, ka qenë edhe një eksponent i rëndësishëm i qeverisë.

Gazetari: Kush? Na e thuaj?

Presidenti Meta: Në nivel drejtori, por nuk ka rëndësi.

Gazetari: Na e thuaj, ju lutem!

Presidenti Meta: Jo, se nuk është e rëndësishme për publikun.

Gazetari: Në rregull! Dhe me zotin Rama keni bërë shumë beteja. Madje në një intervistë që kemi pasur bashkë, më keni thënë: “Pse me kë do të bëja unë koalicion? Me ty?!” Kam parasysh një historik shumë interesant, që kur ishte ministër i Kulturës që e keni mbështetur; që kur ishte kryetar i Bashkisë së Tiranës kur ju përsëri e keni mbështetur; ishit kryeministër, sidomos në atë aksionin e famshëm në “Parkun Rinia”, më pas me ato ulje-ngritjet, kur mbështeti Rama Nanon…

Presidenti Meta: Filozofia ime ka qenë që të mbështes të gjithë ata, të cilët dëshirojnë të sjellin energji të reja, ide të reja, që duan të bëjnë përpjekje për përparim dhe nuk mund të mos ju them sot që zoti Rama më dukej i tillë! Për një periudhë të rëndësishme, pra ishte për demokraci, ishte për një anëtar, një votë, për legalizimin e fraksioneve, dhe për kritikë ndaj qeverisë, ishte për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, ishte në përkrahjen tuaj, të gazetarëve sa herë që dhunoheshit nga qeveria, ishte për pavarësi të gjyqësorit, ishte shumë progresiv në shumë tema, dhe në këtë drejtim unë asnjëherë nuk pendohem për atë që bëj, sepse në çdo gjë dhe me bindje të plotë, në varësi me kushtet dhe me rrethanat, në të cilat ndodhin.

Gazetari: Ju më kujtuat, më ngacmuat me atë “një anëtar, një votë”, keni thënë edhe një batutë: “një mandat, një votë”?

Presidenti Meta: Edhe këtë gjë e kam thënë. Por po them se ka qenë një partizan i demokracisë direkte. I zgjedhjeve të lira, të ndershme. Ka kërkuar hapjen e kutive për një rezultat, ku di unë, në Berat, pra ka qenë një partizan i çështjeve të mëdha, për demokraci të plotë në parti, kundër koncensioneve, ka qenë për gjëra shumë pozitive, në interes të publikut.

Gazetari: Po si mund të kalohet, nga kuota kaq të larta, pastaj direkt, i lidhur me krimin, një pallat-një votë, domethënë ka shumë “ups and doën”?

Presidenti Meta: Tani të gjitha këto që unë thashë i takojnë një periudhe të caktuar. Çështjet e tjera i takojnë një periudhe tjetër. Ky lloj tranformimi nuk duhet kërkuar te unë. Unë vazhdoj, kam bindje te zgjedhjet e lira.

Gazetari: Ju jeni duke thënë se ai është transformuar?

Presidenti Meta: Kam bindje te pavarësia e drejtësisë dhe unë i qëndroj asaj reforme që votuam me 140 vota më 20-22 korrik të vitit 2016! Unë vazhdoj dhe besoj te gjithëpërfshirja, vazhdoj e besoj te liria e medias, vazhdoj të besoj te “një anëtar – një votë”, vazhdoj të besoj edhe te e drejta e kujdo për të bërë edhe një fraksion brenda një force politike, sepse këto zhvillojnë demokracinë dhe këto rrisin garancitë e një shoqërie gjithëpërfshirëse e të shëndetshme.

Pyetje: Me zotin Basha takimi i fundit është ai para protestës së 2 marsit, që e keni thirrur dhe takuar këtu në Presidencë?

Presidenti Meta: Jo, me zotin Basha jam takuar edhe në raste të tjera, ku kryesisht në qendër të vëmendjes ka qenë kjo situatë, çështja e pandemisë.

Pyetje: Zoti Basha ka një qejf mbetje me ju zoti President? Ndoshta ai vetë nuk e ka artikuluar, se kur e kanë pyetur gazetarët, ai i është përgjigjur një pyetje tjetër, por mbështetësit e zotit Basha dhe sidomos po themi struktura të Partisë Demokratike në rrjetet sociale, ju kanë sulmuar në një formë apo në një tjetër.

Presidenti Meta: Për çfarë?

Pyetje: Dhe nuk kuptohet fare që është e orkestruar.

Presidenti Meta: Përse?

Pyetje: Sepse ata mendojnë dhe janë të bindur, që ju keni bërë një marrëveshje me zotin Rama.

Presidenti Meta: Unë nuk e di se çfarë mendojnë përkrahësit e zotit Basha apo të kujtdo tjetër.

Nëse bëhet fjalë për ndryshimet e fundit në Kodin Penal, unë mendoj që sjellja e Presidentit ka qenë tepër e përgjegjshme. Ajo ka synuar që të ndihmojë në mirëmenaxhimin e një situate të jashtëzakonshme, ku është e qartë që kishte një boshllëk në Kodin Penal për një situatë të tillë të kësaj pandemie apo të çdo lloj epidemie, që kërcënon shëndetin e qytetarëve shqiptarë.

Ajo që Presidenti bëri ishte pikërisht një kontribut për të vendosur standardet më të larta europiane për sa i takon kësaj pjese të Kodit Penal, duke ju referuar dhe duke i patur dhe më të kujdesshme se vetë ato të Danimarkës.

Nuk e përmenda rastësisht Danimarkën. Danimarka është vendi që ka shpikur Ombudsmanin, mbrojtësin e të drejtave të njeriut. Në vitin 1241 doli termi i parë Ombudsman nga e drejta e danezëve të Jutlandit. Dhe e them këtë gjë sepse në rast se nuk do të ishte bërë ky propozim dhe nuk do të kishte qenë ky bashkëpunim i Presidentit me Kuvendin apo qoftë dhe me qeverinë, që ka qenë bashkëpunim tepër publik, jam i sigurt se ajo çka do të ishte miratuar në radhë të parë do të kishte qenë shumë e rrezikshme dhe kërcënuese.

Do të ishte e tillë për çdo qytetar, sepse arbitraritetit i nënshtrohet çdokush, mund të jetë viktimë çdo qytetar, por do kishte qenë akoma më shumë për përkrahësit e zotit Basha apo Partisë Demokratike ose partive të tjera të opozitës. Kështu që unë veprimet e mia i bëj me bindje në interesin më të mirë të shtetit, të qytetarëve. Kritikat i pranoj, por kur ato janë të stisura koha i tret me shpejtësi.

Pyetje: Zoti President, në një editorial që unë kam shkruar disa ditë më parë në gazetën “FJALA” me titullin “Ilir Meta, ose këmba e tretë e perustisë”, e theksoja çështjen e vazhdimit të politikës trepolare. Ju e synoni edhe në këtë pozicion që jeni si President i Republikës të jeni këmba e tretë e perustisë?

Presidenti Meta: Jo, absolutisht! Unë në këtë pozicion synoj të bëj vetëm detyrën time si President i vendit, si Kryetar i Shtetit.

Këtu kanë humbur të gjitha ekuilibrat, që janë në një shtet normal, demokratik në kuptimin e funksionimit të institucioneve.

Nuk ka nevojë t’ju them që Kuvendi i sotëm ka probleme edhe në vetë raport me Kushtetutën përveç asaj çështjes së përmbajtjes, që opozita reale apo opozita kryesore nuk është në institucione, që pushtetit vendor është në atë situatë që të gjithë e dimë.

Detyra ime është të bëjë gjithçka që të mos provokohem nga askush dhe t’i qëndroj gjithmonë besnik Kushtetutës deri në momentin kur do të rivendoset normaliteti i plotë kushtetues ligjor në vend, gjë që sipas vlerësimit tim kjo do të mund të ndodhë vetëm pas zgjedhjeve të ardhshme të përgjithshme.

Pra, që të kemi një parlament plotësisht legjitim dhe të plotë ku të gjithë të përfaqësohen.

Pyetje: I parashikoni si zgjedhje normale zgjedhjet e vitit të ardhshëm?

Presidenti Meta: Nuk është detyra ime të bëj parashikime.

Detyra ime është të jap kontributin më të mirë që Shqipëria të ketë zgjedhje normale, demokratike, ashtu siç janë edhe kusht i Bashkimit Europian, i Bundestagut dhe i shumë institucioneve të tjera.

Pyetje: Zoti President, si pa kuptuar kaluan tre vite në detyrën tuaj si President i Republikës. Jeni zgjedhur më 28 prill 2017. A mund të na thoni një vlerësim, si kanë qenë tre vitet e zotit Meta si President i Republikës? Asokohe disa thoshin, pse e morët këtë detyrë, disa të tjerë thoshin se do të qëndronit pak këtu dhe do të largoheshit, disa të tjera se do t’ju shkarkojë Rama dhe mazhoranca, mirëpo tre vite kaluan, pra pjesën më të madhe të mandatit. Një opinion tjetër ka qenë se e keni “burgosur” Ilir Metën në Presidencë. Si kanë qenë këto 3 vite?

Presidenti Meta: Së pari, do të isha i hapur të bëja një bilanc me ju për 3 vitet pas datës 24 korrik 2022, sepse atëherë kanë nisur detyrën e Presidentit.

Së dyti, nuk kam ndërmend të numëroj as ditët dhe as vitet në këtë detyrë, por jam i përkushtuar ta bëj me përgjegjësinë maksimale, që nga momenti i parë që kam hyrë në këtë institucion e deri më 24 korrik të vitit 2022.

A kanë qenë këto vite të lehta? Jo, sepse situata në vend nuk ka qenë ajo, që unë do të doja të ishte dhe ajo për të cilën unë jam përpjekur gjatë kësaj periudhe, por kjo ka qenë një zgjedhje e aktorëve të tjerë, sepse unë gjithmonë kam qenë për bashkëpunim, gjithmonë kam qenë për të respektuar Kushtetutën, gjithmonë kam qenë që reformën në drejtësi ta zbatojmë në frymën e Kushtetutës, ashtu siç e miratuam dhe jo në mënyrë të njëanshme.

Gjithmonë kam qenë për pjesëmarrjen në zgjedhje dhe jo për bojkot të tyre apo të institucioneve, por për fat të keq palët zgjodhën dy rrugë të gabuara. Njëra palë zgjodhi atë polarizimin ekstrem dhe përpjekjen për të dominuar dhe për të kapur të gjitha institucionet dhe pala tjetër për fat të keq zgjodhi rrugën tjetër, atë të delegjitimimit të institucioneve.

Kjo nuk i ka shërbyer vendit, sepse duket qartë edhe nga lista e gjatë e kërkesave apo kushteve, që do ta na duhet të plotësojmë deri në hapjen e vërtetë të negociatave, që duhet të ishin hapur prej të paktën 3 vitesh.

Pyetje: Do të vij me shumë kënaqësi në analizën tuaj 3-vjeçare zoti President. Kur u kam pyetur në vitin 2017, rreth 6 muaj para, se si do të zgjidhej Presidenti dhe se a mund të ishit ju, jeni përgjigjur: “Po dale, prisni të vijë ajo datë”. Tani viti 2022 po vjen, mund të merrni ose do të kërkoni një mandat tjetër apo do të ktheheni në LSI?

E dini si thonë në LSI? Mezi po presim të kthehet komandanti.

Presidenti Meta: Unë nuk e di se çfarë thonë forcat politike. Ajo që unë di me bindje është që çdo ditë përpiqem të përmbush detyrën time me përgjegjësi maksimale në një terren tepër të minuar, me intriga, me pabesi, me sjellje të paparashikueshme dhe me provokime për të vënë në situatë të vështirë apo para faktit të kryer Presidentin.

Dhe unë jam përpjekur të bëj më të mirën që ky institucion të jetë në lartësinë e detyrës për këto rrethana anormale, në të cilat jemi dhe besoj të gjithë i shohim, pavarësisht se si i kemi interesat, sepse opinioni publikë është shumë i gjerë.

Pyetje: A do ta kërkoni një mandat të dytë?

Presidenti Meta: Kjo nuk është një çështje, të cilën as e kam menduar dhe as kam ndërmend ta mendoj, ashtu sikurse nuk mendova as kur u zgjodha për herë të parë dhe ju e dini shumë mirë që zgjedhja ime ishte e imponuar nga disa rrethana tërësisht anormale të krijuara nga bojkoti që opozita pritej t’u bënte zgjedhjeve të përgjithshme. Dhe unë bëra gjithçka që të kishim zgjidhje gjithëpërfshirëse dhe përpara se të detyrohesha të pranoja postin e Presidentit, duke nxitur edhe një paketë ku posti i Presidentit do t’i takonte përsëri opozitës.

Gjë që opozita e refuzoi dhe më pas unë gjykova që për ato rrethana ekstreme të paparashikueshme për të ardhmen do të ishte zgjidhje më e pranueshme që në këtë detyrë të zgjidhesha unë se sa të zgjidhej dikush, që mund të ishte më lehtësisht i ndikueshëm nga partia kryesor në pushtet.

Pyetje: A do t’ju shkarkojë mazhoranca? Sepse komisioni hetimor u shty, gati u harrua, ashtu siç u nis. Ju keni thënë gjithmonë që nuk më shkarkon dot njeri në fakt…

Presidenti Meta: Kjo është një pyetje e cila nuk më zgjon asnjë lloj emocioni dhe të cilës i jam përgjigjur me kohë, për arsye sepse Institucioni i Presidentit mund të ketë mjaft kritika të ligjshme, legjitime.

Madje ndonjëherë kritika më bën edhe vajza ime, por unë jam i sigurt dhe i bindur dhe të gjithë shqiptarët, pavarësisht se çfarë janë të detyruar të thonë për shkak të interesave të tyre, janë të bindur se Presidenti e ka respektuar Kushtetutën në mënyrën më të përgjegjshme në çdo moment dhe kjo është e padiskutueshme.

Pyetje: Unë e di shumë mirë, ju jeni President i Republikës dhe e shmangni këtë pjesën e partive politike, por unë nuk po flas as për PD-në as për PS-në. Ju keni 3 vet President i Republikës, por LSI-ja ka tre vjet pa anëtarin legjendar të saj, Ilir Metën, themeluesin e saj. Si ka funksionuar LSI-ja këto 3 vite, si ju duket juve?

Presidenti Meta: Nuk kam asnjë koment për të bërë për këtë çështje. Për çështjen kur fola për qëndrimin e opozitës, për bojkotin e parlamentit dhe të zgjedhjeve vendore, aty besoj se janë të gjithë të përfshirë në mënyrë respektive, si PD-ja, si LSI-ja, si forca të tjera të koalicionit opozitar, që ishin të përfaqësuara në Kuvend sipas votës së vitit 2017.

Unë e vetmja gjë, që kam patur për LSI-në, ka qenë që gjithmonë t’i shërbejë integrimit europian të Shqipërisë dhe një nga arsyet kryesore pse unë ndërmora këtë nismë – sepse mund të vijoja në atë periudhë të rrija në Partinë Socialiste dhe të vegjetoja atje – ishte pikërisht, sepse e pashë si të domosdoshme krijimin e një force jashtë polarizimit artificial të dy forcave të mëdha, që të ndihmonte për të zhbllokuar këtë frymë konfliktuale në interes të integrimit europian të Shqipërisë. Se sa e kanë bërë ata këtë gjë? Kjo nuk është një çështje që unë do të doja të vlerësoja tani.

Pyetje: Megjithatë, ju nuk mund ta shpërfillni kështu LSI-në. Ajo është një investimet tuaja më të rëndësishme në karrierën tuaj politike.

Presidenti Meta: Unë nuk kam bërë një LSI për Ilir Metën, unë kam bërë një forcë politike që kam menduar t’i shërbejë vendit, një platformë për shumë të rinj dhe shumë intelektualë, të cilët e kishin të pamundur të përfshiheshin në forcat e tjera, që të përfshiheshin, që të jepnin kontributin e tyre, që të sillnin risi dhe kjo është gjithçka.

Pra, nuk është se unë kam krijuar një LSI e cila duhet të më shërbejë mua dhe jam i sigurt që unë për aq vite sa kam qenë në krye të saj i kam shërbyer natë e ditë asaj force politike, por me kushtin që ajo t’i shërbejë Shqipërisë.

Pyetje: Kemi arritur në fund, nëse ju keni diçka për të shtuar në formë mesazhi, sepse ende karantina, mund ta bëni.

Presidenti Meta: Ajo që unë dua të shtoj në fund, është që dua të shpreh një falënderim për të gjithë qytetarët shqiptarë, të cilët janë treguar bashkëpunues të durueshëm, pavarësisht nga kufizimet që kanë qenë të detyruar t’i respektojnë dhe mendoj se falë kësaj përgjegjshmërie të tyre është arritur që ne te kemi parametra shumë të pranueshëm të menaxhimit të kësaj situate shëndetësore.

Dhe lutja tjetër që kam për të ardhmen është për të patur kujdes nga shkujdesja dhe nga shpërqendrimi, pasi këto mund të na rikthejnë përsëri në momente kritike.

Ndërkohë që për qeverinë, për opozitën, për të gjithë kam një mesazh gjithashtu të përqendrimit për të përcaktuar një rrugë të qartë dhe të parashikueshme që kombinon vazhdimin e kontrollit të mëtejshëm të pandemisë me rihapjen e sigurt dhe të pakthyeshme ekonomike dhe shoqërore, për të cilën ka nevojë vendi. Aq më tepër që po i afrohemi pikut të turizmit.

 

 

 

 

 

 

 

🌟 ToonPopKids — Stories That Grow With You!
Fun animations, lullabies & learning for little ones 💤🎶📚
Subscribe Free
Share it :