Prenga merr pjesë në mbledhje, Kodheli: Kemi marrë masat për fluksin e emigrantëve

Komisioni i Sigurisë zhvilloi dje një seancë dëgjimore me ministren e Mbrojtjes Mimi Kodheli lidhur lidhur me takimin e Ministerialit të Mbrojtjes së Nato-s, vendimin për marrjen e masave ndaj refugjatëve në Mesdheun lindor nga Gjermania, Greqia dhe Turqia, si dhe mesazhet e dhëna nga Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry. Sipas ministres së Mbrojtjes, autoritetet shqiptare kanë marrë të gjitha masat për sigurinë e vendit, në rast fluksi të refugjatëve sirianë. Më tej Kodheli theksoi se në rast fluksi të emigrantëve sirianë, Shqipëria nuk do të jetë stacion ndalimi, por vetëm tranzit dhe autoritetet kanë marrë të gjitha masat për të përballuar situatën. “Ata thjesht dhe vetëm do ta përdorin Shqipërinë tranzit për të shkuar diku tjetër. Ne kemi punuar prej shumë kohësh dhe do të vazhdojmë të punojmë, të mbetemi në kontakt lidhur me të gjitha informacionet që vinë nga agjencitë e inteligjencës në mënyrë që të kuptohen lëvizjet e kujtdo, pavarësisht se ju siguroj se kjo është një punë voluminoze dhe e vështirë e kujdo që mundet nëpërmjet refugjatëve të hyjë si keqbërës”, tha Kodheli. Ministrja e Mbrojtjes, duke iu referuar vizitës së Sekretarit Amerikan të Shtetit, John Kerry në Tiranë, tha se arsyeja e kësaj vizite lidhej me reformën në drejtësi, duke shmangur deklaratat se ajo  lidhej me strehimin e muxhahedinëve.  Në mbledhjen e Komisionit të Sigurisë nuk ishin të pranishëm deputetët e PD-së, të cilët i ishin bashkuar protestës së qytetarëve kundër projektit të parkut të lojërave tek Liqeni Artificial. Por ajo që u vu re në këtë mbledhje ishte prania e Armando Prenga, i cili vetëm dy ditë më parë u la i lirë nga gjykata me vendim për detyrim paraqitje.  “Pres vendimin e gjykatës me qetësi”- theksoi deputeti. Pas daljes nga gjykata më 19 shkurt, avokati Maksim Haxhia tha se me ndryshimin e masës së sigurisë Prenga është i lirë të shkojë në parlament. “Unë nuk di që të ketë ndonjë vendim të komisionit të mandateve që është hequr mandati i zotit Prenga, kështu që ai është një deputet si gjithë të tjerët”, tha ai. Deputeti Armando Prenga akuzohet nga prokuroria për tre akuza armëmbajtje pa leje, plagosje të lehtë dhe kanosje për jetën.

 

Share it :