Florenc Drizari
Rama bojkoton votimin, Fullani shkarkohet me 72 vota pro, 1 kundër dhe 1 abstenim
Kuvendi i Shqipërisë votoi dje projektvendimin për shkarkimin e guvernatorit Ardian Fullani dhe inspektores së Përgjithshme Elivar Golemi. Me 72 vota pro dhe 6 kundër, deputetët votuan për shkarkimin e guvernatorit, ndërsa vendimi për shkarkimin e Golemit mori 76 vota pro, 1 kundër dhe 1 abstenim. Votimi i djeshëm ishte i fshehtë, ndërsa ra në sy votimi i ndryshëm për të dy përfaqësuesit e BSH-së, paçka se propozimi i Këshillit Mbikëqyrës së Bankës dhe vendimi i Komisionit të Ekonomisë argumentonte shkarkimin e tyre. Të kontaktuar pas përfundimit të votimit, shumë nga deputetët nuk pranuan të publikonin qëndrimin e tyre ndaj vendimit, duke ruajtur anonimatin e votës. Por gjatë një bisede informale që nënkryetari i grupit socialist, Taulant Balla, pati me gazetarët jashtë sallës së Parlamentit, tha se deputetët që votuan kundër u ngatërruan gjatë procesit të votimit. Sipas Ballës, qëndrimi i deputetëve nuk ishte në kundërshtim me vendimin e grupit të PS-së. Një ndër deputetët që votoi pro Fullanit ishte edhe Eduard Bejko, por që kishte ngatërruar votën. Një tjetër votë e aluduar në media se ka mbështetur ish-guvernatorin Fullani thuhet se ishte ajo e Ben Blushit, me argumentet që ky i fundit ka votuar pro emërimit të tij në vitin 2011. Në votimin e djeshëm munguan sërish deputetët e opozitës në kuadër të bojkotit parlamentar që kanë vendosur rreth dy muaj më parë, ndërsa i vetmi deputet që “theu” këtë qëndrim ishte përfaqësuesi i PDIU-së, Aqif Rakipi. Për këtë të fundit u deklarua në media se ka mbështetur me votë Fullanin, por në një reagim të mëvonshëm të tij, thuhet se ka qenë pro shkarkimit të tij. Sipas relatorit Erjon Braçe, shkaqet për shkarkimin e Fullanit dhe të Golemit janë të njëjta, ato të thyerjes së Kodit të Etikës dhe cenimit të rëndë të interesave të Bankës.
Qëndrimi i Ramës dhe i grupit
Pak minuta para se Kuvendi i Shqipërisë të votonte dy projektvendimet për shkarkimin e Fullanit dhe Golemit, Kryeministri Edi Rama u largua nga punimet e Parlamentit. Në çeljen e seancës së djeshme ai mbajti një fjalim informues për punimet e samitit të fundit të NATO-s, mbajtur më 4 shtator në Uells, por pa folur për çështjen e guvernatorit dhe të Bankës së Shqipërisë. Në fjalën e tij Rama tha se marrëdhënia e NATO-s me Rusinë dhe Ukrainën, veprimet agresive të Rusisë aneksimi me dhunë i Krimesë krijuan precedent të rrezikshëm dhe shqetësues. “Shqipëria dënoi veprimet agresive të Rusisë mbi Ukrainë. Me gjithë rrezikun e shtuar u miratua një plan veprimi për gatishmërinë. Plani synon të garantojë që aleanca të mbetet e fortë e gatshme dhe reaguese ndaj çdo kanosje”, – tha Rama. Ndërkaq, më herët grupi parlamentar i PS-së ka vendosur që deputetët të votojnë në grup pro shkarkimit të ish-guvernatorit Ardian Fullani, vendimi cili duket se nuk u zbatua plotësisht nga deputetët e majtë. Më herët në grupin e PS-së ka pasur edhe rrjedhje votash për disa projektligje të ndryshme, apo mungesa në Kuvend, duke detyruar mazhorancën edhe në vendimet ekstreme për ti shtyrë ato në seanca të mëvonshme.
Si votuan deputetët në Kuvend
78 vota pro për projektligjin “Për të drejtën e informimit”. Projektligji “Për azilin në Republikën e Shqipërisë”.
78 vota pro për projektligjin “Për azilin në Republikën e Shqipërisë”.
76 vota pro për projektvendim “Për miratimin me procedurë të përshpejtuar të Projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së garancisë sovrane dhe të zhdëmtimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, Bankës Vobecna Uverova Banka A.S,Sllovaki, dhe Intesa Sanpaolo Bank Albania,Sh.A.,për kundërgarancinë e Bankës Vseobecna Uverova Banka A.S, Sllovaki, për marrëveshjen e garancisë Bankare ndërmjet operatorit të shpërndarjes së energjisë, elektrike, Sh.A, dhe Bankës Vseobecna Uverova Banka A.S,Sllovaki,dhe për marrëveshjen e huasë ndërmjet operatorit të shpërndarjes së energjisë elektrike, Sh.A dhe Intesa Sanpaolo Bank Albania, Sh.a.
72 vota pro dhe 6 kundër për projektvendim “Për shkarkimin e Governatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Adrian Fullani”.
76 vota pro, 1 kundër dhe 1 abstenim për projektvendim “Për shkarkimin e Inspektorit të Përgjithshëm të Bankës së Shqipërisë”.
Vjedhja në BSH, mazhoranca: Fullani shkarkohet për moszbatim detyre
Deputeti i PS-së Erjon Braçe, gjatë raportit që lexoi dje në Kuvend, deklaroi se propozimi për shkarkimin e Fullanit vjen si pasojë e moszbatimit të detyrës nga ana e tij si guvernator i BSH-së, ndërsa për inspetkoren e Përgjithshme të kësaj Banke, relatori tha se kërkesa për pjesmarrjen e saj në seancat dëgjimore të Komisionit të Ekonomisë, ishte për interes publik.
“Komisioni ka vendosur për të shkarkuar edhe nga anëtari i Këshillit Mbikëqyrës z. Ardian Fullani. Për moszbatim të detyrave të përcaktuara në nenin 54 të ligjit për Bankën e Shqipërisë nga ana e Inspektorit të Përgjithshëm, cenon thellë sigurinë monetare dhe interesat e Bankës së Shqipërisë, sipas nenit 47 pika 2 shkronja c të ligjit 82/69 për BSH-në të ndryshuar. Kërkesa për pjesëmarrje në seancë dëgjimore të Inspektorit të Përgjithshëm të BSH-së ishin në funksion të interesit publik. Komisioni me unanimitet pranoi kërkesën e deputetëve për shkarkimin e Elivar Golemit nga detyra e Inspektores së Përgjithshme të BSH-së”,-tha Braçe. Projektvendimi “Për shkarkimin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z.Ardian Fullani” mori 72 vota pro, 6 kundër dhe asnjë abstenim. Ndërsa projektvendimi “Për shkarkimin e Inspektorit të Përgjithshëm të Bankës së Shqipërisë” mori 76 vota pro, 1 kundër dhe 1 abstenim.
Në cilësinë e Kryetarit të Komisionit për Ekonominë dhe Financat, Erion Braçe i kërkoi Kuvendit shkarkimin e Ardian Fullani si Guvernator i Bankës së Shqipërisë dhe Elivar Golemi si Inspektore e Përgjithshme e Bankës së Shqipërisë. Më herët ai ka qenë një ndër deputetët më kritik ndaj vjedhjes së ndodhur në Bankën e Shqipërisë.




