Nga Ramiz LUSHAJ
Sot për sot, veçmas pas 21 qershorit 2015, mazhoranca qeverisëse në Shqipërinë Londineze ka një “pushtet të tepruar”, pasi zotëron me të (pa)drejtë mbi dy të tretat e pushtetit qendror e të pushtetit vendor. Ndaj, pozitës të majtë i duhet patjetër një opozitë e fortë e djathtë që ta ruajnë paqen në territorin e shtetit shqiptar dhe ta shmangin luftën në oborrin e vet partiak e koalicionor.
Realisht, po ndodh krejt ndryshe: “Pozita e madhe” po e sheh si “opozitë të vogël”(!) PD-në e Sali Berishës, Azem Hajdarit e të Lulzim Bashës – e, kësisoj, po e humb gradualisht Paqen (edhe për ne) dhe po e fiton keqësisht Luftën (për vete – brenda llojit politik).
Për mazhorancën e sotme e lidershipin e saj të majtë dhe një apo dy javë në politikë e drejtim do të thotë shumë, pasi i duhet të ndjekin çdo orë e çdo ditë zhvillimet e vendit e të kombit me të (pa)priturat e veta, të arrijnë objektivat programore qeverisëse mandatore katërvjeçare, të presin frytet e veta të drejtimit të pushtetit etj. Ndërsa për lidershipin e ri të opozitës të sotme të djathtë dy vjet janë pak, pasi duhet tek e pakta dhe e shumta një mandat elektoral (2013-2017) që të provojnë e dëshmojnë forcat e veta e të partisë së tij për riardhjen në pushtet, për të qenë një pozitë dinjitare, elitare, plot progres, krejt lartësim.
Pushteti i tepruar i qeverisjes po kthehet në vazhdimësi e me shpeshti në tërbime politike ndaj opozitës: Tue ia ngushtue hapësirat vendimmarrëse në Kuvendin e Shqipërisë. Tue iu diktue hartën territoriale-administrative në zgjedhjet lokale 2015… Heshtat (jo)politike në duart e marcialëve politik të mazhorancës janë drejtue kah lideri aktual i opozitës së djathtë, tek Lulzim Basha – politikan shqiptar i formatit euroatlantik, frymë e imazh i ri shqiptar përtej partisë së tij e Shqipërisë së sotme.
Çdo përpjekje e pozitës për me e tkurrë opozitën e djathtë, me e kthye atë në oponencë, në një OJQ, etj. është me rrezik kombëtar, pasi vet opozita tradicionale e mban brenda vetes “bërthamën atomike” politike, elektorale etj. E, përndryshe: në kahje të kundërt, domosdo i (keq)vjen kundërveprimi politik: Pozita bymehet. Pozita shkërmoqet. Pozita pëson rënie të lirë politike, elektorale etj.
Pozita e sotme e majtë me pushtet të tepruar, me pushtet të dyfishtë, duke sulmue me modele e praktika bizantine, otomane, “kalë troje”, etj. kreun e PD e të opozitës së djathtë, që ka veçse dy vjet në krye të drejtimit të opozitës, nuk tregon forcën e saj, përkundrazi: dobësinë e saj. I kallëzon popullit të vet e botës euroatlantike se është dehur nga pushteti i tepërt. Përndryshe: e ka kap tërbimi i pushtetit të tepërt. Apo kjo: nuk di çka me ba me pushtetin e tepërt. Këto janë të rrezikshme. Ky është vet rreziku që na kanoset të gjithëve.
Tashti, pozitës të 2015-ës, i duhet kujtue se ç’ka ngjau me pushtetin e tepruar të pozitës të vitit 1996, e cila solli rebelimin e ’97-ës, rënien e lirë në opozitë e rikthimin e vështirë në pushtet etj. Histori të tilla nuk duhet të përsëritën – siç është zakon ndër kohna shqiptare. Aq ma tepër në shekullin e ri – XXI, në Shqipërinë anëtare në NATO, kandidate për në BE etj.




