Porti i ri në ‘Porto-Romano’ mes hijeve të skandaleve! Si po i ‘falet’ toka private investitorit strategjik ‘Lidl Albania’

Prej më shumë se një dekade Shqipëria ka miratuar Ligjin për Investimet Strategjike. Nisma kishte si qëllim thithjen e investimeve të huaja me vlerë qindra milion euro dhe kompanive me emër e përvojë në sektorë që konsiderohen të rëndësishëm për ekonominë. Në këmbim shteti do t’i jepte sipërmarrësve lehtësi proceduriale dhe në bazë të vlerës së investimit, edhe shfrytëzimin e tokës shtetërore deri në 99 vjet kundrejt një vlere simbolike 1 euro. Deri më sot për impaktet që ligji ka dhënë në ekonomi nuk ka asnjë raport zyrtar që ta tregojë, ajo që dimë janë investigimet e mediave që tregojnë se si asetet publike i janë dhënë një dore biznesmenësh… Pa pyetur aspak se e kujt është prona.

Ndaj do u tregojmë se si ky ligj, bashkë me projektin për të ndërtuar një port të ri tregtar në Porto Romano, janë përdorur për t’i marrë tokën private banorëve në këtë zonë e për t’ia dhënë, investitorit strategjik.

E gjitha nisi me projektin “e madh” për të shndërruar Portin e Durrësit në një marinë turistike e për të zhvendosur funksionin tregtar të tij në zonën e Porto Romanos.

Meqënëse do të ndërtohet një port i ri, shërbimet logjistike në afërsi të tij janë e ardhmja për këdo që kërkon një biznes të sigurtë dhe të suksesshëm.

 

 

Po cila ishte rruga që u ndoq për procesin e shpronësimit për interes publik të tokave që do t’i hapnin rrugë ndërtimit të “Porto Romanos”?

Në fundin e vitit 2020, qeveria shqiptare ndryshoi tërësisht strategjinë e transportit detar dhe në mënyrë të beftë vendosi që Porti i Durrësit të shndërrohej në një marinë turistike, funksioni tregtar i të cilit do të zhvendosej në zonën e Porto Romanos. Këto ndryshime kërkonin studime për koston dhe fizibilitetin, të cilat mungonin.

Më datë 26.02.2021 Këshilli Drejtuesi i Autoritetit Portual Durrës miraton masterplanin për ndërtimin e portit në Durrës-Porto Romano dhe disa muaj pas këtij vendimi, në datën 7 maj 2021 ngrihet Komisioni i Shpronësimeve për të identifikuar pronat që prekeshin nga ndërtimi i portit të ri. Vetëm se kemi një problem, askush nuk është i sigurtë për gjurmën përfundimtare që do të ketë projekti, për disa arsye.

Leja e zhvillimit e dhënë nga Këshilli Kombëtar i Territorit për objektin “Porti i Durrësit – Porto Romano” me subjekt zhvillues Autoriteti Portual Durrës ende nuk ishte zbardhur, pasi rezulton të jetë botuar në 27 korrik 2022 dhe masterplani përfundimtar për zhvillimin e projektit të portit të ri tregtar nuk ishte përfundimtar.

Kjo duket në vetë relacionin që ka hartuar Komisioni i Shpronësimit. Ndërkohë, kërkesa për shpronësim bazohet në një masterplan të kompanisë konsulente Ernst & Young dhe projekti i detajuar do të hartohet nga një tjetër firmë, Royal Haskoning. Atëherë përse duhet të niste shpronësimi kur nuk dihej gjurma e pasurive që prekeshin nga ky projekt, ende nuk kishte një masterplan përfundimtar, ndërsa duhen ende muaj për të përgatitur dokumentat e tenderit, për të shpallur fituesin e projektit dhe për të lidhur kontratën…???

Sidoqoftë, ky është fillimi i problemit. Le të shohim se çfarë ndodh më pas.

Më datën 12 tetor 2022 Komisioni mblidhet dhe harton një relacion që identifikon zonën bashkë me pronat që preken nga gjurma e ndërtimit të projektit të portit të ri. Në bazë të këtij shpjegimi, niset dhe kërkesa e parë për shpronësim e cila identifikon 348 pasuri në zonën kadastrale 3184.

Në një tjetër vendim të datës 23 mars 2023, Komisioni i Shpronësimeve përgatit një kërkesë të re për shpronësim ku numri i pasurive që preken ulet dhe përfshihen 309 të tilla.

Kërkesa botohet në Fletoren Zyrtare numër 111, të korrikut 2023. (nr. 111, korrik 2023 kërkesa nr. 374/9, datë 27.07.2023).

Po çfarë ndodh më pas?

Më 27 qershor të vitit 2025 Komisioni i Shpronësimeve ndryshon sërish kërkesën për shpronësim.

Kjo procedurë do të mbështetej te harta e planvendosjes që kishte dërguar projektuesi në janar të vitit 2025, ku konstatohen se 121 pasuri të përfshira gjenden jashtë planit të zbatimit të fazës së parë, duke lënë në total 188 pasuri.

Nga ana tjetër, Komisioni i Shpronësimeve kërkon futjen për shpronësim të 73 pasurive të tjera shtesë që nuk preken nga gjurma se ku do të ndërtohej porti tregtar.

Këto pasuri ndodhen në zonën kadastrale 8517 dhe janë jashtë vijës së zbatimit të projektit të ndërtimit të portit në Porto Romano Faza 1.

Dhe cili ishte justifikimi?

Pasuritë u përfshinë për shpronësim me argumentin se ndodhen në zonën logjistike për veprimtari ekonomike në mbështetje të portit tregtar.

Pra shpronësim i një toke për aktivitete tregtare private që nuk kanë lidhje me interesin publik ku dhe bazohet e drejta e shtetit për shpronësimet!

Tani le ta sqarojmë pak se çfarë ka ndodhur paralelisht dhe për llogari të kujt po shpronësohen këto prona…

Në datën 10 prill 2025 Komiteti i Investimeve Strategjike miraton vendimin për t’i dhënë statusin “Investitor strategjik me procedurë të veçantë” projektit “LIDL Shqipëria – Qendër Logjistike”.

Projekti parashikon ndërtimin e një qendre logjistike për shërbimet portuale me sipërfaqe totale 200 mijë m2 kompanisë “LIDL SHQIPËRIA” SHPK, investim privat i cili do të kushtojë 105 milion euro.

Image

Vendimi nuk mbështetet në asnjë nen të ligjit për Investimet Strategjike, i cili i klasifikon sektorët strategjikë në fushën e energjisë dhe minierave, transport, infrastrukturë e komunikimeve elektronike dhe mbetje urbane, turizëm, bujqësi dhe peshkim, zona të teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik dhe zona me përparësi zhvillimi.

Image

Dhe as në vendimin e Këshillit të Ministrave që përcakton nënsektorët!

E vetmja lidhje mund të jetë ajo me shërbimet e transportit detar të mallrave dhe pasagjerëve, por vendimi i Komitetit të Investimeve Strategjike nuk shprehet në asnjë rresht se qëllimi i investimit lidhet me këtë funksion, funksioni është magazinimi dhe shpërndarja e mallrave në rrjet supermarketesh!

Përveç dhënies së statusit strategjik jashtë kuadrit ligjor, vendimi miraton dhe vënien në dispozicion të 20 hektarëve pasuri private dhe publike që do t’i jepen për vlerën 1 euro kompanisë LIDL Albania!

Ligji për Investimet Strategjike përcakton se në projekte të caktuara që kanë statusin “investitor strategjik me procedurë të veçantë” të cilat kanë një vlerë investimi të lartë, në fushën e transportit për shembull mbi 50 milion euro, investitorit privat i lind e drejta të kërkojë shfrytëzimin e tokës publike dhe shpronësimin e pasurive të paluajtshme, pronë private, për të mundësuar zhvillimin dhe realizimin e projektit. Por me një kusht. Përpara se t’i lindë kjo e drejtë, kompania private do të duhet fillimisht të negociojë me pronarët e tokave dhe pasi këto negociata dështojnë, atëherë hyn në lojë ligji për shpronësimet.

Në këtë rast investitori strategjik nuk ka ndjekur asnjë nga këto procedura që kërkon ligji. As investitori, dhe as shteti shqiptar që duhet të mbrojë të drejtat e qytetarëve dhe pronarëve! Madje pronat private po shpronësohen me kosto të cilat do t’i përballojë buxheti i Autoritetit Portual Durrës, ku parashikohet për të gjithë pronat e identifikuara të paguhen 8 milion euro.

Edhe këtu një tjetër shkelje, sepse ligji për Investimet Strategjike thotë në mënyrë eksplicite që këto kosto paguhen nga investitori strategjik!

Por shkeljet nuk mund të mbarojnë këtu…

Vendimi i Këshillit të Ministrave që përcakton procedurën e dhënies me qira ose enfiteozë të tokave publike cakton ministrinë përgjegjëse për ekonominë si autoritetin që vendos në dispozicion të investitorëve strategjikë pronat. Dhe jo Autoritetin Portual Durrës siç ka caktuar në vendim Komiteti i Investimeve Strategjike.

Në marrëveshjen që ky autoritet është duke lidhur me investitorin LIDL Albania caktohet një qira mujore në vlerën 5 mijë euro, e cila do të jetë e pandryshuar për 30 vjet! Synimi është që më pas vlera e investimit privat të kalojë.

Ndërsa infrastruktura në rrugë, energji dhe kanalizime do të bëhet po nga pala e shtetit e shqiptar!

Po kush është investitori strategjik për të cilin po përgatitet terreni për t’i dhënë për një qira qesharake 200 mijë m2 pasuri publike dhe private dhe të drejtat eksluzive të përpunimit të mallrave në zonën ku do të ndërtohet porti i ri?

Kompania Lidl Shqipëria është regjistruar në 12 janar të vitit 2022 fillimisht me emrin LVM Real Estate Investments me objekt blerjen, shitjen, qiradhënie dhe zhvillimin e pasurive të paluajtshme dhe çdo veprimtari që nuk ndalohet me ligj.

Objekti i shoqërisë nuk ka asnjë lidhje me logjistikën portuale apo e tregtinë me shumicë dhe hapjen e rrjetit të supermarketeve.

Pronar i kësaj firme rezulton WE – International Zveite GmbH, ku në regjistrin e pronarëve përfitues rezulton që kontrollohet dhe nga shoqëria Lidl Stiftung & Co. KG me pronar përfitues shtetasin Dieter Josef Schvarc.

Në faqen zyrtare të kompanisë LIDL në hartën e vendeve që operon nuk rezulton Shqipëria, dhe kompania që është pëfaqësuese e saj rezulton operuese e rrjetit të Bullgarisë, jo drejtpërdrejt nga LIDL që zotërohet nga grupi gjerman Schvarc.

Po përse kjo pronësi është kaq e paqartë dhe çfarë synohet të fshihet pas kësaj?

Përse Lidl nuk vjen zyrtarisht në Shqipëri si emër i grupit Schvarc apo po tenton të mos marrë përgjegjësi në dëmtimin e reputacionit si rezultat i shkeljeve që janë bërë për t’i dhënë ekskluzivitetin e zonës logjistike në portin e ri dhe tokat e qytetarëve shqiptarë?

Këtë përgjigje duhet ta japin autoritetet të cilët kanë shpikur rregulla të reja për t’i dhënë një firme private tokën dhe një biznes të sigurtë që pritet të gjenerojë miliona euro të ardhura në vit me të drejta eksluzive për shërbimet logjistike të portit!/ Piranjat

🌟 ToonPopKids — Stories That Grow With You!
Fun animations, lullabies & learning for little ones 💤🎶📚
Subscribe Free
Share it :